Brexiti - Humbje për Kosovën

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 05 February 2020 08:21

Edhe BE-ja, edhe Britania e Madhe do të mbijetojnë pa njëra-tjetrën. Por të dyja palët do të jenë më të dobëta sesa po të kishin mbetur së bashku. Duke qenë se Britania ka qenë shteti që më së shumti në BE është angazhuar në favor të Kosovës, që para shpalljes së Pavarësisë e deri tash, Brexiti do të ketë pasoja edhe për Kosovën. Por gjërat janë të paparashikueshme dhe mund të ndodhë që, derisa Kosova të vijë në radhë për anëtarësim në BE, britanikët të ndërrojnë mendje e edhe ata të jenë në atë proces.

Prej mesnate nga e premtja e 31 janarit, deri të shtunën e 1 shkurtit, Kosova dhe Britania e Madhe kanë një gjë të përbashkët. Të dyja shtetet janë jashtë Bashkimit Evropian. Njëra pse kështu deshi shumica e qytetarëve të saj, ndërsa tjetra pse BE-ja nuk ka gatishmëri ta pranojë, as të nisë atë rrugëtim e as që është afër anëtarësimit në një të ardhme të parashikueshme.

Britania e Madhe, kështu, është bërë shteti i parë në histori që largohet nga Bashkimi Evropian. Ka pasur raste, si ai i Norvegjisë, që shteti e ka përmbyllur procesin e negociatave të anëtarësimit, por qytetarët kanë vendosur të mos hyjnë në BE. Por nuk ka pasur deri tash raste, e as që ka ekzistuar mundësia, që një shtet anëtar të largohet. Kur kjo mundësi ishte vendosur me Traktatin e Lisbonës, nuk ishte besuar se ajo do të shfrytëzohej ndonjëherë. Por ndodhi. Dhe ishte një moment pikëllimi. Nga BE-ja po dilte një shtet që ka mbi 10 për qind të popullatës, që ishte njëra prej dy fuqive të vetme bërthamore nga vendet anëtare krahas Francës, që kishte një kontribut prej mbi 12 miliardë eurosh në vit në buxhetin e përbashkët. Një shtet që kishte ushtrinë më të fortë në BE, që kishte një prej shërbimeve më profesionale diplomatike. Po ashtu, ky largim shënon për herë të parë kthimin e drejtimit nga zgjerimi i vazhdueshëm tash nga zvogëlimi. Prandaj ishte edhe një moment emocionalisht jo i lehtë. Pakkush festonte dhe shumëkush shprehte keqardhje. Përkundër kësaj, pasi demokracia është më e mira por nuk është ideale, zgjidhje tjetër nuk kishte, sepse kështu kishte vendosur sovrani në Britani, pa marrë parasysh se sa i vogël ishte dallimi mes atyre që votuan për largim dhe atyre që votuan për qëndrim në BE. Pa marrë parasysh se u dëshmua që në fushatën kundër BE-së ishin përdorur gënjeshtra dhe manipulime. Brexiti ishte i pashmangshëm.

Dhe tash ky është një realitet i ri me të cilin duhet të jetohet. BE-ja do të vazhdojë me 27 shtete anëtare, pa ndonjë vullnet të madh që së shpejti të zgjerohet, pos nëse ndodh ndonjë mrekulli dhe Norvegjia apo Zvicra vendosin t’i bashkohen. Vendet që duan të hyjnë në BE janë vetëm vendet shumë të varfra nga Ballkani Perëndimor (me varfëri mendohet në krahasim me mesataren e BE-së, si nga standardi jetësor, ashtu edhe për nga standardet e tjera), të cilat janë ende në fazën e hershme të arritjes së standardeve të nevojshme. Por në BE nuk ka ndonjë vullnet që të tillat - sidomos me këto probleme të brendshme – të pranohen së shpejti. Prandaj duken iluzione pohimet se së shpejti ndonjë vend i rajonit do të zërë vendin e Britanisë së Madhe dhe numri i shteteve anëtare të BE-së do të vazhdojë të rritet përsëri.

Tash pasi Brexiti u formalizua, vëmendja është kthyer nga raportet e ardhshme. Ka një fazë kalimtare deri në fund të këtij viti, gjatë së cilës në praktikë asgjë nuk ndryshon në jetën e qytetarëve. Kufiri do të kalohet vetëm me letërnjoftime, Britania do të vazhdojë të paguajë në buxhetin e BE-së, por edhe të thithë mjete nga ky buxhet për projekte, ndërkaq mallrat dhe shërbimet do të mund të qarkullojnë lirshëm dhe nuk do të ketë pika doganore. Por kur të skadojë ky afat, nëse nuk arrihet deri atëherë marrëveshja për raportet e ardhshme dhe nëse nuk zgjatet afati, Britania do të jetë sikur secili shtet tjetër i tretë. Madje, Kosova do ta ketë më lehtë sepse ka Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit, e cila i jep një qasje të lirë në treg për shumicën e madhe të mallrave.

Dhe, bazuar në deklaratat nga të dyja anët, nuk do të jetë lehtë që BE-ja, me 27 shtete anëtare, të arrijë një marrëveshje me Britaninë e Madhe. Sepse Londra dëshiron të mbajë mundësinë e qasjes së tërësishme në tregun unik të BE-së për mallrat, kapitalin dhe shërbimet, por jo edhe për punëtorët. Pikërisht për të pasur mundësi që të kenë kontrollin se kush mund të vijë për të punuar në Britani, shumica e njerëzve edhe kishin votuar për largim në BE-ja. Nuk kishin ndihmuar as faktet se ardhja e polakëve, rumunëve dhe të tjerëve nga vendet lindore anëtare të BE-së kishin dhënë kontribut shumë pozitiv në ekonominë e vendit, shumë më shumë sesa kishin përfituar nga shërbimet sociale. Madje manipulimi ishte aq i madh, saqë besohet se edhe shumica e imigrantëve nga Afrika dhe Azia, si pakistanezët dhe nigerianët, kishin votuar për Brexitin, sepse besonin se “polakët po ua marrin vendin e punës edhe atyre”.

Problemi është në insistimin e BE-së se nuk do t’i lejojë Britanisë së Madhe të zgjedhë se çfarë do e çfarë jo nga marrëveshja e ardhshme që do të përfshijë kryesisht qasjen në treg. Sipas BE-së, Britania ose duhet t’i pranojë të katër liritë e lëvizjes në tregun unik (mallrat, kapitali, shërbimet dhe punëtorët) ose nuk do të ketë qasje në këtë treg, sikurse kanë Zvicra apo Norvegjia.

Edhe BE-ja, edhe Britania e Madhe do të mbijetojnë pa njëra-tjetrën. Por të dyja palët do të jenë më të dobëta sesa po të kishin mbetur së bashku. Duke qenë se Britania ka qenë shteti që më së shumti në BE është angazhuar në favor të Kosovës, që para shpalljes së Pavarësisë e deri tash, Brexiti do të ketë pasoja edhe për Kosovën. Por gjërat janë të paparashikueshme dhe mund të ndodhë që, derisa Kosova të vijë në radhë për anëtarësim në BE, britanikët të ndërrojnë mendje e edhe ata të jenë në atë proces.

Britania ka paralajmëruar se do të mbetet shumë e angazhuar në rajon, përfshirë edhe në Kosovë. Madje ka pasur paralajmërime se stafi në Foreign Office, që do të merret me Ballkanin, do të shtohet. Sepse duhet kompensuar për gjërat që Britania i bënte si vend anëtar i BE-së, duke u bazuar edhe në strukturat e përbashkëta të Bashkimit Evropian. Si vend anëtar i NATO-s, që ka misionin edhe në Kosovë, si vend me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Britania do të mbetet shtet me rol të rëndësishëm në botë, përfshirë edhe në rajonin e Ballkanit. Por as ky rol nuk do të jetë më siç ishte deri të premten, deri kur Britania ishte ende vend anëtar i Bashkimit Evropian.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj