Fitore në betejë, dorëzim në tavolinë

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 01 February 2020 08:23

Kurti dhe Mustafa do të duhej ta harronin për një çast se kush ka më tepër faj që erdhën deri në këtë pikë, kur s’po mund ta formojnë Qeverinë së bashku. Ata janë opozita, e cila i ka fituar zgjedhjet në Kosovë. Si në çdo betejë tjetër, do të kenë ndonjë ushtar të plagosur rrugës, por s’mund të rrezikojnë ta humbin luftën e fituar.

MË 6 TETOR qytetarët ua besuan shumicën e votave Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së si opsion i kundërt i politikave të Thaçit, këto të dyja janë duke rrezikuar që më 4 shkurt t’ia dorëzojnë këtë besim vetë Thaçit. Nëse këto dy parti do të vazhdojnë që interesin e posteve ta kenë më të rëndësishëm sesa rotacionin politik, atëherë më 4 shkurt pritet të marrë fund çdo gjë.

S’mund të paramendohet që LVV-ja ta propozojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë, pas dështimit të Kurtit, edhe nëse presidenti Thaçi, me të drejtën e diskrecionit që ia jep Kushtetuta, edhe do të vendoste t’ia jepte sërish të drejtën partisë fituese.

Opsion nuk do të ishte as qeveria e pakicës, me LVV-në dhe pakicat, për shkak se vota shqiptare do të përfaqësohej vetëm në masën 26.3 për qind në qeveri, kurse në opozitë do të mbeteshin 62.2 vota të shqiptarëve. Në situatën në të cilën është duke hyrë Kosova, me theks të veçantë dialogun me Serbinë, një qeveri në të cilën do të mbetej jashtë vullneti i shprehur në zgjedhje të lira i shumicës së popullatës së Kosovës, shqiptarëve, do të ishte skenar katastrofal.

Kështu që, Kurti dhe Mustafa duhet ta dinë se qytetarët nuk ua kanë besuar votën atyre në mënyrë që ata ta kthejnë atë besim mbrapsht, ose që t’ua mundësojnë partive të tjera ta bëjnë Qeverinë.

Ka ende kohë që kjo qeveri të formohet, porse tashmë jo vetëm ditët, por edhe orët kanë filluar të numërohen mbrapsht. E qartë, të dyja partitë që në start janë nxituar me qëndrimet për poste – LDK-ja duke insistuar që t’i ketë presidentin dhe kryeparlamentarin, kurse LVV-ja duke e propozuar njëanshëm për votim kryeparlamentarin – porse është koha të gjendet mesi i pranueshëm prej të dyjave.

Nëse nuk e bëjnë Qeverinë bashkë, siç kanë premtuar tash e më se dy vjet, askush në të ardhmen nuk do t’i kujtojë hollësitë se përse nuk u bë, por do ta kujtojnë edhe fort se Kurti dhe Mustafa dështuan ta bëjnë, edhe pse votat i kishin.

NË MËNYRË QË të bëhej një analizë objektive lidhur me ndarjen e fuqisë brenda institucioneve, duke harruar për një moment se kush e nisi e kush e vazhdoi mbrapsht, do të duhej shikuar se si është parë kjo fuqi nga zgjedhjet e kaluara në Kosovë.

Do ta ftoj këtu për ndihmë një analizë krahasuese të kolegut opinionist Fitim Salihu, në të cilën pasqyrohet përkthimi i votave të fituara për secilin subjekt me fuqinë e ndarë brenda partnerëve të koalicionit pas të gjitha zgjedhjeve në Kosovën e çliruar:


“ ~ Pas zgjedhjeve të para parlamentare të 2001-shit, ndonëse raporti LDK-PDK-AAK me ulëse të deputetëve ishte 47-30-8, raporti LDK-PDK-AAK me ministri ishte 3-2-2 për LDK-në dhe, për më tepër, PDK-ja merrte postin e kryeministrit. Në këto zgjedhje fituesi mori 2 postet kryesore shtetërore, partneri i dytë një post kryesor.
Pra, ndonëse LDK-ja pati 17 ulëse më shumë se PDK-ja dhe 39 më shumë se AAK-ja, ajo mori vetëm 1 ministër më shumë se secila syresh.

~ Pas zgjedhjeve të 2004-tës, ndonëse raporti LDK-AAK me ulëse deputetësh ishte 47-9 për LDK-në, raporti me ministri ishte 6-4 për LDK-në dhe, për më tepër, AAK-ja merrte postin e të parit të Qeverisë. Në këto zgjedhje fituesi mori 2 postet kryesore shtetërore, partneri i dytë një post kryesor.
Pra, ndonëse LDK-ja kishte 38 ulëse më shumë se AAK-ja, ose pesëfish më shumë, ajo mori vetëm 2 ministri më shumë se ajo.

~ Pas zgjedhjeve të 2007-s, ndonëse PDK-ja kishte 12 ulëse më shumë se LDK-ja, raporti me ministri ishte 7-5 për PDK-në dhe, për më tepër, LDK-ja merrte postin e presidentit.
Në këto zgjedhje fituesi mori 2 postet kryesore shtetërore, partneri i dytë një post kryesor.

~ Pas zgjedhjeve të 2010-s, ndonëse raporti PDK-AKR me ulëse të deputetëve ishte 34-12 për PDK-në që kësisoj kish trefish më shumë deputetë, AKR-ja merrte postin e presidentit. Megjithatë, raporti i ministrive ishte 9-3 për PDK-në.
Në këto zgjedhje fituesi mori 2 postet kryesore shtetërore, partneri i dytë një post kryesor.

~ Pas zgjedhjeve të 2014-s, ndonëse raporti PDK-LDK me ulëse të deputetëve ishte 37-30 për PDK-në, raporti me ministri ishte 7-6 për LDK-në (pa i llogaritur dy ministritë e ndara për aleatët parazgjedhorë të PDK-së). Për më tepër, LDK-ja merrte edhe postin e kryeministrit. Në këto zgjedhje fituesi mori 2 postet kryesore shtetërore, partneri i dytë një post kryesor.
Pra, ndonëse PDK-ja kishte 7 ulëse më shumë se LDK-ja, ajo mori 1 ministri më pak se ajo.

~ Pas zgjedhjeve të 2017-s, ndonëse PDK-ja si parti më vete mori 23 deputetë, përkundër AAK-së me 10, Nismës me 6 dhe AKR-së me 4 deputetë, pra më shumë se gjysmën e deputetëve të koalicionit, ajo mori vetëm 6 nga 21 ministritë, ndërkohë që AAK-ja mori 2, Nisma 3, kurse AKR-ja mori 4 ministri – madje ato më të lakmuarat.
Nga dy postet kryesore të lira për koalicionin, PDK-ja mori kryeparlamentarin dhe AAK-ja kryeministrin.”

NGA TË DHËNAT që i ka përmbledhur Fitimi, del qartë se asnjëherë deri më tash, pas zgjedhjeve - pavarësisht se sa ka qenë dallimi në ulëse në Kuvend ndërmjet partnerëve të koalicionit - asnjëherë nuk kemi pasur marrëveshje koalicioni, ku nuk janë ndarë mes këtyre parterëve edhe tri postet kryesore të shtetit. Ose ndryshe, asnjëherë nuk kemi pasur marrëveshje kur një parti politike në koalicion i merr dy postet kryesore shtetërore, kurse partia e dytë në koalicion asnjërin post, pavarësisht numrit të posteve ministrore.

Në situatën në të cilën ndodhemi, LVV-ja është duke insistuar që t’i mbajë për vete postin e kryeministrit dhe atë të kryeparlamentarit dhe t’ia kompensojë LDK-së këtë me numër më të madh të ministrive, ndërsa kjo e fundit po refuzon, duke thënë se po marrin pushtet të pabalancuar. Kjo ngurtësi mund ta dështojë përfundimisht mundësinë e një marrëveshjeje dhe ta fusë vendin në një spirale të paparashikueshme zhvillimesh, gjithsesi jo fort pozitive.

Sërish, krahasuar me koalicionet e mëhershme, vërtet, është hera e parë që partinë e parë nga partia e dytë e ndanë vetëm një votë në Kuvend, si dhe është hera e parë që partia/koalicioni i parë në zgjedhje ka marrë më pak se 30 për qind të votave.

Duke i pasur të gjitha këto parasysh, Kurti dhe Mustafa do të duhej ta harronin për një çast se kush ka më tepër faj që erdhën deri në këtë pikë, kur s’po mund ta formojnë Qeverinë së bashku. Ata janë opozita, e cila i ka fituar zgjedhjet në Kosovë. Si në çdo betejë tjetër, do të kenë ndonjë ushtar të plagosur rrugës, por s’mund të rrezikojnë ta humbin luftën e fituar.

U kanë mbetur edhe pak orë që atë të cilën e kanë fituar në betejë ta kapitalizojnë, ose ta humbin në tavolinë.

[email protected]

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi