Si ndodhi që mizoria komuniste dhe gabimet perëndimore ta krijonin një “bombë demografike”
Ditëve të kaluara, si “New York Times” ashtu edhe “The Wall Street Journal” kanë raportuar për një prej fakteve më të rëndësishme gjeopolitike të shekullit 21. Fuqia më e madhe në ngritje e botës, Republika Popullore e Kinës, është duke shkuar drejt një krize demografike.
Njëjtë si SHBA-ja dhe shumica e shteteve të zhvilluara, norma e lindjeve në Kinë është shumë për fundi shkallës së zëvendësimit. Por për dallim prej shumicës së shteteve të zhvilluara, Kina po plaket ende pa u pasuruar.
Natyrisht se Kina është bërë më e pasur: Kolegu im, David Leonhardt, që ka jetuar për një kohë në Kinë, në fillim dhe në fund të viteve 2010, sapo e ka shkruar një kolumne, duke e theksuar “maturinë” e ekonomisë kineze gjatë asaj periudhe, zhvillimin e ndërmarrjeve të reja, shpenzimet e konsumatorëve dhe klasën e mesme.
Megjithatë, madje edhe pas shumë vitesh rritjeje, GDP-ja kineze për kokë banori vazhdon të jetë sa një e treta apo një e katërta e asaj të shteteve fqinje, si Koresë Jugore dhe Japonisë. Në të njëjtën kohë, norma e lindjeve në këtë shtet është bërë e përafërt me atë të shteteve të pasura shumë më shpejt – gjë që ndikon në dy aspekte, që lidhen mes vete.
Së pari, Kinës do t’i duhet të paguajë për kujdesin për numrin gjithnjë e më të madh të të moshuarve, pa i pasur në dispozicion resurset e shoqërive më të pasura, të cilat përballen me po të njëjtën sfidë. Së dyti, perspektiva kineze për zhvillim do të zbehet për secilin vit në të cilin norma e lindjeve është për fundi shkallës së zëvendësimit, pasi që kështu fuqizohet një rreth vicioz – në të cilin një shoqëri gjithnjë e më e moshuar e humb dinamizmin dhe zhvillimin, duke e reduktuar përkrahjen ekonomike për prindërit potencialë, gjë që ul normën e lindjeve dhe rezulton me uljen e mëtejme të zhvillimit.
Raporti i gazetës “The Times” për normën e lindjeve në Kinë, po ashtu, na e rikujton se kjo grackë është kulturore, duke e cituar një grua të re kineze, e cila flet për gjeneratën e saj: “Që të gjithë ne jemi fëmijët e vetëm të familjes dhe, të jem e sinqertë, jemi paksa egoistë… Si mund të rris fëmijë, kur për vete jam fëmijë?”. Është ky një sqarim i përgjithshëm i një problemi të njëmendtë: Të kesh fëmijë, që pashmangshëm paraqet njërën prej gjërave më të vështira për qenien njerëzore, është edhe më e rëndë në një shoqëri në të cilën fëmijët janë të padukshëm dhe rriten pa vëllezër dhe motra, shoqëri në të cilën familjet e mëdha janë të rralla dhe nuk ka shembuj apo forma solidariteti për njerëzit që synojnë të bëhen prindër.
Në tërë këtë mes, atë të cilën është duke e përjetuar, Kina paraqet pjesë të rënies së përgjithshme demografike të botës së zhvilluar, një rënie kjo e cila ka mbërthyer edhe shtetet në zhvillim. Si shkruan Lyman Stone në numrin më të fundit të “National Review”, njeriu është duke u përballur gjithnjë e më shumë me një “krizë globale të lindshmërisë” dhe problemi nuk është i kufizuar vetëm tek evropianët, amerikanët apo japonezët. Është kjo një krizë qe kërcënon me rënie gjithnjë e më të theksuar të zhvillimit, në rastin më të mirë. E në rastin më të keq, po t’i referohemi një hulumtimi të mëparshëm të ekonomistit të Stanfordit, Charles Jones, kriza rrezikon të rezultojë me “planet bosh: dija dhe standardet jetësore stagnojnë për një popullsi që zhduket gradualisht”.
Edhe në këtë sfond global, rasti me Kinën është i veçantë, pasi që politikat mizore kanë përkeqësuar problemet demografike.
Për këto politika – politika “një fëmijë për familje” – regjimi komunist bart pjesën kryesore të fajit. Dhe, faji vetëm sa është rritur, pasi që edhe pas shfuqizimit të kësaj politike, represioni i ushtruar nga regjimi ka ndikuar në rënien e numrit të popullsisë. Si ka theksuar Stone përmes “Twitter”-it, Pekini, duke i marrë në cak popullsitë pakicë apo komunitetet fetare, është duke i sulmuar në të njëjtën kohë edhe grupet me normën më të madhe të lindjeve, në njëfarë qëndrimi që do të mund të interpretohej kësisoj: nëse lindjet tek popullsia shumicë pësojnë rënie, edhe lindjet tek pakicat duhet të ulen.
Por këtij faji komunist duhet t’i bashkohet edhe faji perëndimor, pasi që politika “një fëmijë” kishte qenë e lidhur me një projekt të përgatitur prej teknokratëve perëndimorë, financuar prej institucioneve perëndimore dhe nxitur prej intelektualëve perëndimorë – një program ky seksist, racist, antifetar që synonte ta demontonte “bombën demografike”, e cila, si e dimë tani, do të ishte demontuar vetë, pa programe të sterilizimit të detyrueshëm.
Citati i fundit vjen nga libri mbresëlënës i Mara Hvistendahlit, “Unnatural Selection”, i cili është një prej dy librave të rekomanduar nga unë sa i përket kësaj teme; tjetri është “Fatal Misconception” i Mattew Connellyt. Të dytë e trajtojnë çështjen në mënyrë retrospektive: Përpjekjet perëndimore u ndalën krahas rënies së rrezikut nga “bomba demografike” dhe ndonëse maltuzianizmi mbështetet tek aspektet e ambientalizmit dhe në ankthet evropiane rreth migrimit afrikan, e tërë kryqëzata për kontrollimin e popullsisë do të mbetet në kujtesë si një gabim qëllim-mirë.
Por lajmet nga Kina janë rikujtues se gjithçka do të duhej të kujtohej në mënyrë më të prerë. Me mendjen tek sfidat demografike të së ardhmes, një kritikë e veçantë do të duhej të shprehej për ata që, duke shpërfillur humanitarizmin e tyre të presupozuar, vazhdojnë të përdorin mjete detyruese dhe të gabuara që ta rëndojnë edhe më shumë një problem të madh të shekullit 21.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës njujorkeze).