Roli i BE-së në botë do të jetë më i vogël

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 15 January 2020 08:04

Nuk ka dyshim se Bashkimi Evropian është një superfuqi ekonomike, tregtare, financiare. Me gjithë problemet e ndryshme që dalin herë pas here, është edhe një fuqi morale në botë me vlerat që synojnë shumë popuj edhe jashtë kontinentit. Është udhëheqëse edhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike, ka standardet më të larta të ruajtjes së ambientit, sigurisë së ushqimit. Është e para kur duhet ndihmuar ndonjë vend të goditur nga ndonjë katastrofë, tërmet apo përmbytje. Por fuqia ekonomike dhe financiare e BE-së nuk është transmetuar në rolin që ajo ka në skenën ndërkombëtare në aspektin politik.

Bashkimi Evropian synon ta ndryshojë atë, që të ketë një zë më të lartë dhe më me ndikim në botë. Të jetë më aktiv në Afrikë e Azi. Njohësit e zhvillimeve të brendshme në BE dyshojnë se një rritje e rolit të saj në botë është reale.

Edhe pse Komisioni i ri Evropian i ka vënë vetes epitetin e “Komisionit gjeopolitik”, roli i BE-së në skenën ndërkombëtare do të jetë gjithnjë e më i vogël si pasojë e interesave të ndryshme të disa shteteve anëtare dhe mekanizmave kompleksë të vendimmarrjes. Jo vetëm se BE-ja po e humb rolin në botë, por edhe në oborrin e vet, siç është hapësira e Ballkanit Perëndimor.

Rasti i Kosovës dhe statusit të saj është një shembull që shpesh përmendet si dëshmi se si mungesa e unitetit mes shteteve anëtare e bën BE-në të duket si lojërat e ligës së dytë. Sepse nuk mund të dëgjohet shumë dhe të ketë ndikim zëri që mungon. E zëri i BE-së shpesh mungon sa herë që duhet të shprehet qartë për ndonjë problem. Ja për shembull: në rastin e Kosovës 5 shtete që nuk e kanë njohur atë vazhdojnë të pohojnë se pavarësia ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ani pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe shumica e madhe e shteteve të tjera anëtare mendojnë ndryshe. Dhe kështu kemi 5 shtete, të cilat në një çështje tejet evropiane, siç është statusi i Kosovës, i shpallur sipas propozimit të një dërguari ndërkombëtar që mori parasysh edhe nevojat e BE-së, janë më shumë në anën e Rusisë e të Kinës sesa të aleatëve anëtarë të BE-së.

Nga një BE që dëshiron të jetë më relevante në marrëdhëniet ndërkombëtare, në skenën globale, atëherë duhet të jetë më e guximshme, më e zëshme dhe më unike. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe struktura e re udhëheqëse e institucioneve kryesore të BE-së, e edhe ato shtete anëtare të cilat duan një BE më të fortë në skenën ndërkombëtare. E të gjithë thonë se e duan pikërisht një të tillë.

Kjo nuk arrihet me deklarata sipërfaqësore, me shumë ambiguitet, rreth krizave të mëdha dhe çështjeve serioze. Një test i madh për Komisionin e ri Evropian dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ishte kriza në Lindjen e Mesme pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit. BE-së iu deshën tri ditë që të dalë qoftë edhe me një deklaratë e lëre më të ndërmarrë ndonjë veprim. E ajo deklaratë e dhënë nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula va nder Leyn, ishte më shumë sikur një thirrje e një humanisti për paqe, respekt, dialog dhe përmbajtje e jo një prononcim i qartë i një organizate që veten e quan “gjeostrategjike”. Që në fillim të mandatit Komisioni u ndesh me një sfidë të tillë dhe dinamikën me të cilën reagoi shumë gazetarë e morën si shkas për tallje me zotimin se ky Komision do të jetë “gjeopolitik”.

Nuk është faji tek institucionet e BE-së, por më shumë tek shtetet anëtare, të cilat insistojnë që për çështjet e politikës së jashtme vendimet të merren me konsensusin e të gjithëve. Kështu, edhe vetëm për një deklaratë të thjeshtë përfaqësuesi i lartë i BE-së duhet të ketë pajtimin e të gjitha shteteve anëtare. E kur është kështu, atëherë edhe deklaratat janë sipërfaqësore dhe të paqarta në mënyrë që askush të mos zemërohet. Por një mënyrë e tillë e vendosjes nuk do ta bëjë BE-në më të fortë në skenën globale. Prandaj edhe kryetari i mëparshëm i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, kishte propozuar që për disa çështje në politikën e jashtme të mos insistohet në pajtimin e të gjitha shteteve, por të mund të veprohet edhe me shumicë të kualifikuar në mënyrë që të mos bllokohet në tërësi veprimi i BE-së. Kjo do të duhej sidomos kur BE-ja duhet së paku të dënojë rastet e shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut. Ka pasur raste kur BE-ja nuk ishte në gjendje ta bënte këtë, sepse ndonjë shtet anëtar kishte ndonjë interes tregtar me regjimet që shkelnin të drejtat e njeriut. Në këtë mënyrë BE-ja humbte edhe më shumë kredibilitetin e saj.

Në politikën e jashtme, në fund të fundit, BE-ja është aq e fortë sa duan shtetet e saja anëtare. Si organizatë do të ketë ndikim edhe më të vogël pas Brexitit, pasi nga anëtarësia e BE-së po del një shtet që është njëri prej dy fuqive të vetme bërthamore në BE, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe një shtet me një strukturë shumë efikase diplomatike.

Nëse do që t’i dëgjohet zëri, BE-ja duhet të ketë zë. Deri më tash nuk e ka pasur aq shumë, sidomos në politikën e jashtme. Nëse nuk ndryshon diçka, atëherë roli i saj në botë do të jetë edhe më i vogël sesa që ishte deri më tash.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj