OpEd

Telenovela Qeveria nesër

Një pjesë jo të vogël të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën gjendet Kosova e mban LDK-ja, sa për që ka shërbyer si patericë e PDK-së, aq edhe për kohën kur e ka udhëhequr Qeverinë. Nuk e kam të qartë se si nuk po e kuptojnë udhëheqësit e saj se tash e kanë shansin për t’i larë bile një pjesë të gjynaheve me një qeverisje më ndryshe, të cilën Kosova nuk e ka pasur kurrë më parë. Ani që suksesi këtu nuk është i garantuar.

Jemi afër. Nuk jemi afër. Po merremi vesh. S’po merremi vesh. Flasim dy orë e nuk japim deklarata. Themi hajde, shihemi nesër. Të nesërmen mblidhemi prapë. Flasim tri orë, nuk merremi vesh. Shpërndahemi. Nuk japim deklarata. Deri në episodin e ardhshëm.

Kështu përafërsisht do të dukej skenari më i shkurtër i mundshëm i telenovelës “Qeveria nesër”, që ka nisur së emetuari që nga dita e certifikimit të zgjedhjeve, kur u dit përfundimisht se kush me sa vota i zuri sa vende në Kuvend.

Diçka që në shikim të parë dukej shumë e thjeshtë, për shkak se ishte zgjidhja më e lehtë e mundshme për ta qitur PAN-in në opozitë, është shndërruar në ankth për shumicën e votuesve që dolën për ta shprehur këtë dëshirë haptazi në zgjedhjet e 6 tetorit. Lëre që është bërë ankth, porse e ka mbërritur pikën që kufizohet me neverinë.

Videolojërat e Kurtit

Po duket përherë e më evidente se mungesa e përvojës, apo më mirë thënë përvoja më e shkurtër politike e Kurtit, në mesin e partive që e kanë pjekur zanatin qëmoti, është duke i kushtuar, edhe nerva edhe kohë.

Edhe pse tashmë e kishte përpirë një dozë të “parimësisë” së Isa Mustafës në krye të LDK-së, kur në çastin e fundit e prishi VLAN-in për të krijuar koalicion me PDK-në, Kurti mbase do të ketë menduar se Mustafa do të jetë penduar për atë veprim se do të ketë mbledhur mend për këtë situatë të re. Por doli se ujku i vjetër nuk e ka ndërruar madje as gëzofin, dhe se vazhdon ta luajë rolin e tij të negociatorit të pakompromis ashtu siç di më së miri: që nga situata e humbësit të dalë fitues. Nëse askund tjetër, atëherë në akaparimin e numrit sa më të madh të dikastereve që çojnë kandar.

Gjatë kësaj kohe Mustafa e dëshmoi edhe një gjë tjetër për të cilën veçohet: kokëfortësinë dhe inatin që jo rrallë e kanë udhëhequr për të marrë vendime politike. E gjithë fizkultura e tij rreth postit të kryetarit të shtetit, e tash edhe kryeparlamentarit, janë pasojë e drejtpërdrejtë e paraqitjeve audiovizuale të Kurtit në FB me porositë e tij për mosarritjen e marrëveshjes me LDK-në. Për shkak se Kurti zgjodhi këtë mënyrë për t’i bërë trysni LDK-së.

Herën e parë doli për të treguar se do ta zgjidhnin kryeparlamentarin vetë, ngase nuk kishin arritur marrëveshje me LDK-në. Votimi i Konjufcës ndodhi disa orë pasi që eksponentët e LDK-së dolën për të thënë se “VV-ja mund të llogariste në votat e tyre dhe se nuk do ta bllokonin formimin e institucioneve”.

Ky veprim ngjalli hidhërimin e LDK-së, ani pse këtu zor se ka vend për hidhërim. Pritej që Vjosa Osmani të zgjidhej kryeparlamentare, porse sharra hasi në gozhdën e quajtur kryetari i shtetit, dhe LDK-ja nuk pranoi të nënshkruante marrëveshje koalicioni. Pra, topi ka qenë në anën e LDK-së, dhe ajo vendosi ta qiste në aut.

Herën e dytë doli për të treguar se tashmë i kishte zgjedhur kandidatët që do ta përcillnin në Qeveri, dhe se tash kërkonte nga LDK-ja që t’i emëronte kandidatët e vet për ministra. Duhet theksuar se në listën e ministrive që Kurti i “mori për vete” nuk figuronte ai i MPB-së. Edhe kjo “e kalli” LDK-në, për shkak se LDK-ja nuk është shquar shumë për transparencë të këtij lloji. Është mësuar që të mos thotë asgjë derisa të mos dalë me një komunikatë për të treguar se çfarë kanë vendosur organet e partisë, mbasi të ketë kaluar një lumë i tërë uji nën urën e saj.

LDK-ja bllokuese

Që nga dita kur kishte refuzuar ta krijonte koalicionin parazgjedhor, LDK-ja thuajse po niste një porosi se nuk ishte e interesuar për ta krijuar koalicionin me VV-në fare. Ani pse e ka ditur se opsionet e tjera do të ishin përsëritje e gabimeve që i kishte bërë në të kaluarën. Është shumë e qartë se LDK-ja kishte luajtur bast se do t’i fitonte zgjedhjet, porse ja që doli e dyta. Dhe, duke e zbatuar taktikën e Haradinajt më 2004, insistoi të merrte krejt çka mund të merrte, madje edhe më shumë sesa vetë fituesi i zgjedhjeve.

Posti i kryetarit të shtetit që ka mundur të dakordohej kurdo brenda vitit të parë të bashkëqeverisjes u bë shkaku kryesor për mosarritjen e marrëveshjes. E tash problem përnjëherë është bërë zgjedhja e kryeparlamentarit. Edhe po të jepte dorëheqje Konjufca për t’ia lëshuar rrugën Osmanit, apo mbase dikujt tjetër sipas qejfit të tre kryenegociatorëve të LDK-së, nuk jam e sigurt se nesër nuk do të dilte një kërkesë e re nga LDK-ja. Dhe sa herë që të dalin kërkesat e tilla, dëshmohet se nuk e kanë seriozisht kur e thonë se janë për një qeverisje të re dhe të mirë për të cilën ka nevojë Kosova. Se po ta kishin pasur përnjëmend, ne tashmë e kishim pasur Qeverinë e formuar edhe para fundit të vitit të shkuar. Po ja që nuk e kemi, dhe një Zot e di kur do të ndodhë kjo.

Është shumë simptomatike, megjithatë, fakti se negociatat në emër të LDK-së po i udhëheqin tre njerëz që nuk kanë marrë pjesë fare në zgjedhje: Mustafa, Veliu dhe Haziri. Është tepër shqetësuese se në këto takime Osmani është aty vetëm ndonjëherë, ani pse ajo më shumë se askush tjetër në LDK e ka fituar legjitimitetin për t’i përfaqësuar interesat e partisë për krijimin e një koalicioni për të cilin ka avokuar vetë. Është hala edhe më shqetësuese që brezi i ri i politikanëve të LDK-së kanë mbetur krejtësisht nën hijen e treshes negociuese.

Tashmë e kam thënë jo pak herë se një pjesë jo të vogël të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën gjendet Kosova e mban LDK-ja, sa për që ka shërbyer si patericë e PDK-së, aq edhe për kohën kur e ka udhëhequr Qeverinë. Nuk e kam të qartë se si nuk po e kuptojnë udhëheqësit e saj se tash e kanë shansin për t’i larë bile një pjesë të gjynaheve me një qeverisje më ndryshe dhe të cilën Kosova nuk e ka pasur kurrë më parë. Ani që suksesi këtu nuk është i garantuar, sepse vetëm në çastin kur eventualisht do të formohej Qeveria, do të kuptonin se sa pengesat do t’iu dalin rrugës.

Telenovela tashmë ka hyrë në muajin e tretë të emetimit. Të shpresojmë se nuk do t’iu ngjasë atyre latinoamerikaneve nga fillimi i ’90-ve, që dinin të zgjasnin përtej vitit kalendarik.

Ndërkohë

Natyrisht se ndërkohë lajmërohet Gjarpri, i cili rri heshtur në pritje të sulmit. Pasi e caktoi një afat jokushtetues 48-orësh, ku e detyronte praktikisht Kurtin që t’ia jepte emrin e mandatarit, dje ia nisi një letër tjetër, ku pak a shumë i kërcënohej se po qe se nuk ia jepte emrin, do të mund ta konsideronte, “sipas prerogativave kushtetuese që i ka” se Kurti, heshtazi, e ka refuzuar mundësinë për ta dhënë emrin e mandatarit duke hapur rrugë me iu qas ndonjë partie tjetër (edhe pse këtë tekstualisht nuk e thotë).

Thaçi insiston se është simbol i unitetit dhe se e ka për detyrë ta sigurojë qeverisjen e mirë dhe funksionimin e institucioneve, porse në asnjë çast nuk bëri përpjekje për të marrë interpretim nga Kushtetuesja se çfarë ndodh kur kryeministri jep dorëheqje, kurse Qeveria në dorëheqje merr vendime, një pas një, të dëmshme për Kosovën, pa asnjë përgjegjësi të vetme. Nëse vërtet është dashur të sigurohej se shteti duhet të funksionojë me institucione legjitime që mund të marrin vendime të ligjshme, është dashur ta pyeste Kushtetuesen se a është e ligjshme të zbrazet buxheti shtetëror nga dikush që qe gjashtë muaj është i dorëhequr nga posti. Dhe se a është e ligjshme që njerëzit që janë zgjedhur deputetë, mbas një milion makinacioneve dhe rinumërimeve, të vazhdojnë t’i mbajnë postet ekzekutive dhe të mos shkojnë ta japin betimin në Kuvend, duke u arsyetuar se janë shumë “busy”.

Është evidente kjo që po do ta bëjë Thaçi: që të mos e mundësojë krijimin e një Qeverie me Kurtin kryeministër. Një veprim i tiji eventual që t’ia japë mandatin një tjetër partie, do ta çojë lëndën në Kushtetuese. Kjo nga ana tjetër, mund ta prishë interpretimin e saj paraprak dhe ta japë një zgjidhje tjetër kushtetuese për t’iu përshtatur dëshirave të Thaçit, sidomos kur kihet parasysh se disa nga anëtarët e Kushtetueses kanë qenë madje kandidatë për deputetë të partive të caktuara. Shkuarja në Kushtetuese do ta zvarriste procedurën edhe kush e di sa kohë – mbase aq sa i vyen Thaçit e të interesuarve të tjerë për t’u bërë me pushtetin, apo madje edhe për të vazhduar ta mbajnë atë.

* * *

Njëzet e kusur vjet liri dhe thuajse dymbëdhjetë vjet pavarësi, megjithatë nuk na kanë bërë të piqemi. Sillemi si qenie të brishta e të pasigurta; carrokë që lumturohen po qe se ia dalin t’ia marrin lodrën carrokut tjetër; njerëz që nuk e kanë fijen e përgjegjësisë për asnjë gjë të vetme, dhe thuajse dikush na ka borxh për të na ruajtur dhe mbajtur. Po qe vazhdojmë kështu, shtrohet pyetja nëse vërtet e kemi merituar shtetin dhe nëse ndonjëherë do të bëhemi shtet njëmend e jo shtet hajgare çfarë jemi.

flaka@koha.net