Vështrime

Ministria e Kulturës nuk duhet të shuhet

Në kohën kur shteti i Kosovës duhet ta mbrojë trashëgiminë e vetë kulturore, natyrore dhe shpirtërore, kur duhet të kujdeset që Serbia të mos mumifikojë trashëgiminë kulturore të Kosovës në emër të “specialitetit” të Kishës Ortodokse Serbe, kur ka nevojë për shenjëzim, mbrojtje, ruajte, studim e promovim të vlerave të shtresimeve kulturore në Kosovë, partitë politike që synojnë të bëjnë koalicion atipik, duhet të mendojnë në mënyrë tipike, të paktën për trashëgiminë kulturore. Tipike është t’i jepet peshë sa ka. Trashëgimia kulturore e Kosovës ka peshë të madhe. Ajo mban mbi supe paqen afatgjate të republikës.

Në kohën kur statusi i Kishës Ortodokse Serbe nuk përmendet fare, por mbahet krejt në heshtje, planifikohet thërmijëzimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kjo ndarje, paradoksalisht, do t’i konvenonte Serbisë dhe akterëve të saj destabilizues, të bekuar nga Kisha e saj. Sado që kryesuesit e qeverisë së ardhshme, kushdo qofshin ata, do të mund të refuzonin “specialitetin” ligjor të Kishës Ortodokse Serbe, shuarja apo shkapërderdhja e Ministrisë së Kulturës do të ishte zbehje e peshës së trashëgimisë kulturore. Sporti dhe rinia nuk janë peng i dialogut me Serbinë. Trashëgimia do të jetë. Shpresojmë të mos jetë, por duket se do të jetë. Analiza politike e logjike çon në mendimin se do të jetë peng i dialogut.