Vështrime

Edukimi medial duhet të promovohet, por si dhe cilat janë sfidat?

Gjatë vitit 2020, Qeveria e re dhe institucionet e saj duhet të ndërtojnë një strategji për edukim medial, në mënyrë që edukimi medial të shtrihet edhe te fëmijët, edhe tek të rinjtë, edhe tek të rriturit, duke filluar me arsimim formal, ku përfshihen të gjitha grupmoshat e fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe duke zbatuar edhe arsimimin joformal për të rriturit

Aftësia për të pasur gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale është strumbullari dhe qëllimi i nocionit të edukimit medial. Kur kihet parasysh nevoja për ngritjen e nivelit të gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale në shoqërinë tonë, lehtë vijmë në përfundim se trajtimi i edukimit medial te fëmijët, te të rinjtë apo te të rriturit/të moshuarit përballet me sfida të ndryshme, që këndej edhe me zgjidhje të ndryshme. “Java Globale për Edukimin mbi Medien dhe Informacionin” tregoi se sa shumë është bërë e rëndësishme çështja e edukimit medial, kudo anembanë botës. Më vjen mirë që edhe në Kosovë, çdoherë e më shumë, po vetëdijesohemi për nevojën e shoqërisë për edukim medial.