Na ishte dy herë

Bekim Kupina Bekim Kupina 04 January 2020 08:56

Përrallë për babën, Babadimrin, realitetin virtual dhe dëshirat.

Listën e dëshirave të Vitit të Ri gjithnjë e kishte modeste. Balona dhe xixëllonja. Ama, i ati nuk i kishte tiparet e Babadimrit të projektuar në kokën e tij. Sa herë që qyteti vishej me dekorin festiv, ai fluturonte në ëndrra duke e paramenduar veten në një takim me Babadimrin. Herë i dukej i gjatë, mjekërbardhë, i afërt, gazmor, e herë shkurtabiq e nevrik, saqë deri vonë e kishte pasur problem t’i dallonte Babadimrin dhe babanë e vet. Ndoshta pse të dyve iu fillon emri me B. Sikur s`ia kapte mendja se i pari ishte krijesë përrallash, teksa i dyti real, rastësisht i ngjashëm me ndonjë personazh, ama jo me Babadimrin. Saktësisht i atyre përrallave që nisin me refrenin “Na ishte njëherë”.

Këtij i ishte ngulitur në kokë, mbase shkaku i përzierjes ndërmjet dy personazheve, ndaj edhe në shkollë, kur mësuesja e pyeste për librin e lexuar, rrëfimin e niste me shprehjen “Na ishte dy herë”.

Nuk kishte faj, nga ana tjetër, ndërmjet të atit të sertë dhe Babadimrit të dashur s`mund ta gjente zgjidhjen për konfliktin e tërheqjes së dyfishtë.

Megjithatë, i ati i tij real, teksa Babadimri një figurë e imagjinatave, të cilit ai sa i besonte e sa s`i besonte. Jo për tjetër, por çdo Vit të Ri dëshirat e projektuara sa herë shtohen në listën që s`ka mbarim.

Kjo, ngase njëherë e një kohë ishte babai referencë. Vite të tëra ai priti që babai t`ia blinte sajën e premtuar, por kot. I lodhur nga ky premtim, një ditë sakaq iu drejtua. “Pse ke hy me punu babë”?! I ati çehrerëndë, në çast ngrysi vetullat, tundi kokën dhe nuk arriti të përmbahej. Qeshi me zë. “E, po unë nuk jam Babadimër”- i tha atij. Ishte ndër të rrallat herë kur babi qeshej. Jo pse s`i qeshej, ama thuhej ta kishte punën e rëndë. Punonte minator, dhe qëndrimi në horizontin e shtatë ia kishte përzier ndjenjat. Punonte natën, prandaj ditën e kishte zor të kthjellej. Gjithnjë dukej nervoz, saqë edhe qeshjen e kishte të tillë.

Rrëfimi për sajën vazhdon... Njësoj sikurse ai për Babadimrin. Meqë e pa se nuk ka dobi prej babait, ai fort u pleks me figurën e Babadimrit. Madje nisi ta zbërthejë edhe në kontekstin gjuhësor. Baba-dimri. Për pak nuk u ndie komod, sepse asociacioni i parë me këtë emër ishte babai, për të cilin ai nuk është se gëzonte ndonjë respekt. Nga një mori dëshirash, në fëmijërinë e hershme, ai kishte arritur t`ia plotësonte veç një. Një palë doreza lëkure që të ndihej komod kur të gjuhej me topa bore me shoqërinë.

Vite më pas, sërish iu kthye dilemës së fëmijërisë nëse vërtet ekziston Babadimri.

Ani pse në moshë të pjekur, ishte i prirë ende të besonte në ekzistencën e tij. Për dallim prej babait, së paku Babadimrit mund t`i kërkonte çfarë të dëshironte. Edhe nëse nuk realizohen, punë e madhe... Mbylli sytë dhe dëshirën e tij e shqiptoi me zë. Tashmë si i rritur nuk ia mori mendja t`i kërkonte sajë Babadimrit. E bëri zemrën gur dhe tha: “I dashur Babadimër, dua një veturë Tesla”!

Kur të nesërmen agoi dita, në oborrin e shtëpisë së tij, përveç disa krandeve, pulave dhe një grumbulli plehu në skaj, nuk pa gjë!

Ofshau thellë! Përplasi derën, u fut brenda dhe pa një pa dy iu qas Instagramit.

Klikun e parë që e bëri e çoi në profilin e Teslas. Meqë e pa që dëshira e tij ishte e kotë, shfletoi fotografitë e modeleve të fundit të gjigantit botëror të veturave. I dukej sikur njërën nga to e kishte në pronësi, ndonëse fluturimin me to e bënte duke rrëshqitur me gisht në ekranin e telefonit smart.

Tundimi s’e la rehat. Bëri e ç`nuk bëri, iu kthye rrjetit tjetër social. Facebook prej kohësh është shndërruar në një platformë ku njerëzit duan të thonë diçka. Pavarësisht nëse ia qëllojnë a jo, e rëndësishme është të duken. Apo, edhe vetëm të thonë ”Mendoj, hajt ditën e mirë...”!

U mendua gjatë, derisa arriti deri diku ta rafinojë një mendim që ka të bëjë me historinë personale. Ama nuk ka dert, sepse historitë personale e bëjnë atë të njerëzimit.

Përvoli mëngët, kafshoi buzët dhe shpërtheu.

“’Nuk ekziston’, ‘na ishte njëherë’, ‘madje as dy herë’. Siç nuk ekziston as baba e as Babadimri. Ekziston veç vetja”. E postoi statusin në FB dhe u shtri në kokërr të shpinës. I ngjasoi me njëfarë herezie, por u vetarsyetua me idenë se në rrjete sociale gjithkush po thotë gjithçka. Në këtë kohë kontestimesh, atij iu duk sikur bëri një më shumë, duke u përpjekur për t`ia rrënuar shoqërisë dy autoritete kryesore: babën dhe Babadimrin. Në fakt, jo për t`ia rrënuar, sa për t`ia qartësuar pozicionin tradicional.

Ndërmjet babës e Babadimrit ka veç një të vërtetë. Ajo shkon përtej asaj virtuales. Që t`u jepet fund përrallave në këtë vend dhe që realiteti të konceptohet mbi parametra realë.

Ndaj nuk ishte njëherë, por është tash. Mbi këtë premisë ai nisi ta rrënojë piramidën e dëshirave, sikurse çmontohen kubëzat lego. Nga ajo shumësi mbeti vetëm një. Në vitin me dy njëzetëshe, si një inxhinier, ta bëjë realitet të vetmen ëndërr të tij. Ta ketë një vend pune dhe ta dëshmojë se rrëfimet e tipit ”na ishte njëherë”, janë vendnumërim.

Përralla në shkallë, story në Instagram!

#Gëzuar2020!

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Kupina