OpEd

PISA - pasqyrë jo vetëm e mësuesve, por edhe e prindërve dhe e gjithë shoqërisë kosovare

Çfarë dëgjojnë fëmijët e moshës shkollore nëpër shtëpi dhe në shoqëri, çfarë shembujsh kanë dhe si i motivojnë. Rriten duke dëgjuar se zgjidhja është largimi nga Kosova, se diploma nuk të vlen asgjë, se për të gjetur punë duhen lidhje, shpesh edhe politike. Shkojnë në shkolla ku askush nuk ngel klasën, që është skandaloze. U japin mësim profesorët që nuk mendojnë se vetë duhet të mësojnë më shumë dhe të cilët duhet të frikësohen nga drejtorët apo prindërit. Penetrimi i madh i kosovarëve në internet është shifër që mashtron, sepse ai penetrim nuk bëhet për hulumtime shkencore, por për humbje kohe dhe devijim të të të rinjve nga detyrimet e tyre për edukim. Prandaj nuk duhet fajësuar vetëm mësuesit për nivelin katastrofal të dijes së fëmijëve të Kosovës.

Edhe fillimi i këtij dimri na solli një goditje të rëndë për imazhin e gabuar që kemi vetë për veten dhe për Kosovën: se “ajri i vendlindjes është më i miri dhe se kemi një rini dhe fëmijë të aftë që janë e ardhmja e vendit tonë”. Nëse vazhdohet me trendët çfarë i kemi këto ditë, me nivelin e edukimit, që sipas testit të PISA-s është ndër më të ulëtit në botë dhe me nivelin e  ndotjes së ambientit, që është ndër më të lartit në botë, Kosova nuk do të ketë një të ardhme të mirë.

Pse është kështu puna me ajrin, tashmë dihet. Sepse nuk është investuar me kohë në rinovimin e duhur të gjeneratorëve, nuk është menduar e as zbatuar mirë ndonjë politikë e ruajtjes së ambientit, ndërsa për “ndryshimet globale” politikanët flasin me tallje e jo me seriozitet. Për të ndryshuar ambientin, Kosovës i duhet një popullatë më e vetëdijshme për dëmin nga ndotja e për këtë duhet pritur ndonjë gjeneratë të re. E gjeneratat e reja po ngecin shumë në shkollim, prandaj nuk dihet se si do të mendojnë e punojnë kur të rriten. E se asgjë nuk shkon në drejtim të duhur, e dëshmoi edhe një herë testimi i PISA-s. Pritej që hera e kaluar, kur Kosova ishte nga fundi i listës, do të shërbente për ndonjë ndryshim, por prapë erdhi lajmi se jemi ndër të fundit në botë dhe shumë, shumë larg nga ata me të cilët duam të krahasohemi. 

Po bëhen analiza se pse është kështu. Dhe shpesh faji kryesor, me të drejtë, hidhet në sistemin e shkollimit. Tema dominuese viteve të fundit në këtë sistem kanë qenë rrogat e mësimdhënësve. Dhe ato janë rritur, sidomos në prag të zgjedhjeve, por kjo nuk ka siguruar përmirësim të sistemit. BE-ja radhazi ka kërkuar përmes raporteve të progresit që të rritet kualiteti i edukimit, të depolitizohet sistemi i shkollimit, të rritet përqindja e dërgimit të fëmijëve në sistemin parashkollor, ndërsa shkollimi i lartë t’u përshtatet më shumë kërkesave të tregut të punës. Por nuk janë mësimdhënësit të vetmit fajtorë. Fajtorë janë edhe prindërit dhe e tërë shoqëria. 

Çfarë dëgjojnë fëmijët e moshës shkollore  nëpër shtëpi dhe në shoqëri, çfarë shembujsh kanë dhe si i motivojnë. Rriten duke dëgjuar se zgjidhja është largimi nga Kosova, se diploma nuk të vlen asgjë, se për të gjetur punë duhen lidhje, shpesh edhe politike. Shkojnë në shkolla ku askush nuk ngel klasën, që është skandaloze. U japin mësim profesorët që nuk mendojnë se vetë duhet të mësojnë më shumë dhe të cilët duhet të frikësohen nga drejtorët apo prindërit. Penetrimi i madh i kosovarëve në internet është shifër që mashtron, sepse ai penetrim nuk bëhet për hulumtime shkencore, por për humbje kohe dhe devijim të të rinjve nga detyrimet e tyre për edukim. Prandaj nuk duhet fajësuar vetëm mësuesit për nivelin katastrofal të dijes së fëmijëve të Kosovës.

Nuk besoj të ketë në ndonjë vend të zhvilluar, i cili është shumë para Kosovës në listën e PISAS-s, me aq shumë nxënës të shkëlqyeshëm sa kanë dalë në Kosovë sipas sistemit të vlerësimit. Por kjo dëshmon se sa pak kritere ka në Kosovë. Bëhet problem kur dikush ngel klasën. Madje mësimdhënësit kërcënohen edhe kur i japin ndonjë nxënësi notë 3 apo 4. “A debil, asht djali jem që s’ia jep 5 a?”, mund të dëgjohen prindërit duke kërcënuar mësimdhënësit. Kështu notat e nxënësve në Kosovë janë bërë pjesë e mashtrimit të fëmijëve dhe prindërve, që pastaj kënaqen duke besuar se i kanë fëmijët shumë të aftë. 

Në Belgjikë, që është lart në listën e PISA-s, por jo edhe e kënaqur, mbi 30 për qind e fëmijëve së paku një herë gjatë shkollimit përsëritin vitin. Por nga kjo nuk bëhet asnjë tabu, e as problem. Madje ka raste kur nxënësi kalon vitin, por prindërit, mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollës mendojnë se për të qenë fëmija më i përgatitur për sfidat e jetës, është më mirë që të përsërisë edhe një herë vitin, e pastaj do ta ketë më të lehtë të vazhdojë. Sepse dija, shkathtësitë dhe përgatitja për tutje janë qëllimi i shkollimit e jo notat në dëftesë për t’u lavdëruar në oborrin e ndërtesës apo në plazh gjatë verës. 

Po t’i kishte ndonjë nxënës në Belgjikë, Francë apo ndonjë shtet tjetër të gjitha notat në maksimale, në të gjitha lëndët, do të dilte në TV si lajm i veçantë. Sepse kështu është ndërtuar sistemi i vlerave dhe vlerësimeve.

Përsëritja e klasës duhet të bëhet dukuri normale edhe në Kosovë, por si rezultat i kritereve të barabarta për të gjithë. Prindërit duhet të merren më shumë me fëmijët e tyre. Jo t’iu ndihmojnë për t’i bërë detyrat, por të kontrollojnë se a i kanë bërë apo jo, dhe a po mësojnë apo jo. Të mos mendojnë se penetrimi në internet dhe shkathtësitë për të përdorur telefonat e zgjuar po i bëjnë fëmijët e tyre më të zgjuar- mund të ndodhë e kundërta dhe kjo t’i bëjë ata të jenë më sipërfaqësorë dhe të izolohen në një botë abstrakte duke ngecur ndaj bashkëmoshatarëve të tyre në botë. 

Por gjithçka mund të kalojë sikur edhe më parë. Që këto dy lajme të këqija, se kosovarët kanë fëmijë tejet të pashkolluar, me standard modern, ndoshta edhe analfabetë, se thithin ajrin tejet të ndotur, që i solli dimri, të harrohen tash kur do të festojmë dy javë vitin e ri, pastaj vjen pranvera, pas saj vera e kështu me radhë, deri te testimi tjetër dhe matja tjetër e ndotjes së ambientit.