Vështrime

Në ditëlindjen e 70-të, NATO-ja kërkon identitetin e ri

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, edhe ai i Francës, Emanuel Macron, janë të pakënaqur me NATO-n e sotme, por me motive të ndryshme. Ata thonë pak a shumë të njëjtën gjë, që NATO-ja është si “truri i vdekur”, siç shprehet Macron apo se “Amerika nuk do të paguajë për mbrojtjen e fëmijëve evropianë”, siç thotë Trump, dhe që të dy e vënë në dyshim themelin mbi të cilin deri sot ka ekzistuar dhe vepruar NATO-ja. Brexiti është një test i madh edhe për të ardhmen e NATO-s, prandaj edhe vetë fakti se samiti për të kremtuar ditëlindjen re 70-të të Aleancës po zhvillohet në Londër është domethënës. Me Brexit ndikimi i shteteve të BE-së në kapacitete ushtarake të Aleancës bëhet pothuajse simbolik.

E krijuar para plot 70 vjetësh, Aleanca e Atlantikut të Veriut, NATO-ja, kishte për qëllim kryesor mbrojtjen e vendeve perëndimore të Evropës nga ndonjë kërcënim nga blloku komunist i Bashkimit Sovjetik. Kur në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, pasi Lufta e Ftohtë besohej se kishte përfunduar, dhe shumë shtete të ish-bllokut komunist tashmë ishin në rrugë drejt integrimit në BE dhe në NATO, u parashtrua pyetja se a ka më nevojë bota për një NATO ndodhi lufta në Kosovë. NATO-ja përmes ndërhyrjes për ta shpëtuar popullin e Kosovës, në një mënyrë gjeti arsyen e ekzistimit të saj edhe pas Luftës së Ftohtë. Për herë të parë NATO-ja ndërhyri në një hapësirë jashtë hapësirës së shteteve anëtare. Pas kësaj u vendos në Kosovë për të ruajtur paqen, por pa u angazhuar shumë politikisht, ani pse Aleanca për vetveten dëshiron të krijojë përshtypjen se para së gjithash është Aleancë politike e pastaj ushtarake.