Një shtet, dy sisteme

Veton Surroi Veton Surroi 29 November 2019 08:26

Për vite me radhë është përsëritur se Kosova ka nevojë t’i integrojë serbët e Kosovës. Në fakt, fjala është për nevojën që serbët e Kosovës të çlirohen nga një sistem autoritar nën të cilin jetojnë

1.

Qesh i pranishëm në një tryezë të rrumbullakët, ku dy mësimdhënës universitarë serbë të Kosovës në këmbimin e mendimeve të tyre shpaluan një botë të cilën kishte kohë që mendoja se qe braktisur. Njëri mësimdhënës pyeti tjetrin se a mund ta kritikonte eprorin e vet publikisht, dhe mori përgjigjen negative, me shpjegimin e shkurtër dhe pothuajse pa nevojë për të elaboruar më shumë, se frikësohej ta bënte. Në bisedë e sipër kuptova se frika nuk ishte vetëm ajo e humbjes së vendit të punës; kishte edhe më shumë përmbajtje në atë frikë. Qe frika nga ndeshja me një pushtet totalitar, pushtet në të cilin eprori i saj është vetëm pjesë e një pjese të vogël, në shoqëri me policinë sekrete civile e ushtarake, përfaqësuesit e partisë, kishës dhe kombit.

Frika nuk qe prej pushtetit të shumicës, pra i institucioneve të Kosovës të dominuar nga shqiptarët. Frika qe nga një pushtet tjetër, i cili nuk e merr legjitimitetin e votës në Kosovë. Pra, është frika nga pushteti paralel serb në Kosovë që vepron në shërbim të pushtetit të Republikës së Serbisë.

Njëra prej figurave më të njohura të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, shkoi më tutje dhe në intervistën e fundit para vrasjes së tij identifikoi këtë si një frikë për jetë, dhe se kërcënimi kaherë nuk vinte prej shqiptarëve, por prej grupeve kriminale serbe.

2.

Ky kontekst i frikës, i ndërlidhjes mes pushtetit autoritar dhe grupeve kriminale që funksionojnë si shtet paralel, është ai me të cilin do rilexuar raportin e vëzhguesve të BE-së të zgjedhjeve të 6 tetorit, të kryesuar nga eurodeputetja gjermane Viola von Carmon-Taubadel. Në këtë raport thuhet se në viset me shumicë serbe partitë që donin të hynin në garë me Listën Serbe, të mbështetur nga Beogradi, “nuk ishin në gjendje të organizonin fushata efikase edhe për shkak të kanosjes së kandidatëve, familjeve të tyre dhe votuesve në përgjithësi”. Më tej thuhet se “komunat e kontrolluara nga Lista Serbe, si dhe Qeveria e Serbisë udhëzuan serbët e Kosovës që të votonin vetëm për Listën Serbe, ndërkohë që kundërshtarët e tyre u denoncuan si antiserbë. Kjo kufizoi ushtrimin e të drejtave fondamentale demokratike të lirisë së shprehjes, tubimit dhe përfaqësimit, kështu që procesi zgjedhor për serbët e Kosovës nuk i përmbushi këto standarde ndërkombëtare”.

Rezultati i këtij raporti është se në Kosovë janë zhvilluar dy procese zgjedhore, një i lirë në territorin e banuar me shumicë shqiptare dhe një jo i lirë në territorin e banuar me shumicë serbe. Rrjedhimisht, jo vetëm se në ndërtimin institucional kemi të bëjmë me përfaqësimin e të zgjedhurve me votë të lirë dhe atyre që janë produkt i kanosjes, por në instancë të fundit kemi bashkëjetesë të të dy sistemeve, të atij demokratik dhe atij autoritar. Në këtë rast, për më tepër, vija ndarëse mes votës së lirë dhe asaj të kanosur është etnike.

3.

Për vite me radhë është përsëritur se Kosova ka nevojë që t’i integrojë serbët e Kosovës. Në fakt, fjala është për nevojën që serbët e Kosovës të çlirohen nga një sistem autoritar në të cilin jetojnë, një sistem i cili tash duhet të bashkëjetojë me një demokraci (sado jocilësore të jetë) të shumicës shqiptare. Në një sondazh serioz të zhvilluar me serbët e Kosovës para zgjedhjeve parlamentare të tetorit nga organizata Aktiv/Radio KIM, 75.6 për qind të respondentëve deklaruan se nuk ndihen të lirë t’i shprehin bindjet e veta politike. Nuk besoj të ketë përqindje të këtillë përgjigjesh në Evropë nga Donbasi ukrainas deri në Portugali.

Një ndrydhje e këtillë tregon mes tjerash pse 92 për qind e respondentëve mendojnë se gjërat nuk po shkojnë mirë për serbët e Kosovës. Ndoshta këtij pesimizmi i shtohet edhe përqindja tjetër, 73. 3 për qind e respondentëve që janë kundër ndarjes territoriale të Kosovës në marrëveshje me Serbinë, një propozim që Vuçiqi dhe Thaçi e kanë negociuar në tre vjetët e fundit në emër të tyre.

Tash, këtij kompleksi i është bashkuar edhe një vijë ndarëse në dinamikat politike. “Ata janë në avantazh”, thotë për shqiptarët e Kosovës një mësimdhënës serb në këtë tubim. “U organizuan dhe hoqën qafe në zgjedhje pushtetarët e keq. Kush na ka faj neve që ende jemi nën zgjedhën e së keqes sonë”.

4.

Paralajmërimi se në Qeverinë e re të Kosovës nuk do të jetë Lista Serbe mund të arsyetohet fare thjesht me arsyetimin politik, se nëse Lista Serbe e përfaqëson Beogradin, atëherë më mirë është të bisedohet me shefat (shefin) e tyre se me vartësit, e lëre pastaj edhe të inkuadrohen në Qeveri. Por tashmë mbi të gjitha ekziston edhe një tjetër pamundësi strukturore : Qeveria e Kosovës nuk mund të shndërrohet në vend bashkëjetese të dy sistemeve, atij që prodhon votë të lirë dhe atij që kërcënon atë. Kjo e tejkalon dimensionin etnik: nëse Qeveria e Kosovës duhet të formohet me vullnetin e qytetarëve për çkapjen e shtetit (nga kapësit shqiptarë), pse duhet të ketë në të vend për kapësit serbë?

Kur të formohet dhe nëse i përmbahet paralajmërimit për dialog me serbët vendorë, Qeveria e Kosovës do të hasë një serb të Kosovës, që sipas sondazhit tregon se po qe se lirohet prej ndrydhjes të të shërbyerit si instrument politik, ka hallin më të madh atë që çdo sondazh tjetër tregon ndër shqiptarë: do punë (41.6 për qind), nuk sheh perspektivë (90 për qind) dhe do të ikë nga Kosova (çdo i dyti).

- Ku do të ikin, pyeta një drejtues organizate joqeveritare?

- Sikur shqiptarët, në Perëndim.

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi