Miku i mirë në ditë të vështirë

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 25 November 2019 08:14

Sa i vështirë bëhet zgjimi nga gjumi herët në mëngjes gjatë stinës së dimrit.

E kjo sidomos bëhet edhe më e vështirë ditën e hënë, kur njeriu shkon në punë pas një vikendi të kaluar bukur. Kabllogramet diplomatike të ditës së hënë ishin kryesisht ato të cilat të gjithë ju i lexuat edhe vetë. Vërshimi me lajmet për mikpritjen që kosovarët si nikoqirë ua bënë Kombëtares dhe simpatizantëve anglezë, kundër të cilëve u luajt ndeshja e futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Me të shkruar këtë paragrafin e fundit nuk kam se si të mos ndalem të marr njëherë frymë thellë, ta pickoj veten, në mënyrë që të bindem se jetoj në këtë realitet.

Nuk kam se si të mos e kthej kohën mbrapa 26-27 vjet më parë, kur statusi im në shtetin britanik ishte ai i një refugjati nga një shtet i dikurshëm i quajtur Jugosllavi. Atëherë edhe ëndërr po ta shihja ndonjë ngjarje që ndërlidhej me Kosovën, do të zgjohesha i mbuluar nga djersët e ftohta. Një letër e shkëmbyer me familjarët apo një telefonatë sado e shkurtër me miqtë, pasi që asokohe ishte një luks i madh, të bënte që të ndiheshe si një i varur nga ndonjë substancë narkotike. Çdo lajm për çfarëdo ngjarjeje në Kosovë dhe rreth Kosovës, me familjarë apo me miq, qoftë si lajm i gëzueshëm apo i pikëllueshëm, përjetohej aq rëndë. E këtë rëndësi e shtonte edhe fakti se si refugjatë, statusi i të cilëve në Britaninë e Madhe asokohe ende ishte në fazën e shqyrtimit, dhe nuk e kishim të drejtën e lëvizjes së lirë jashtë shtetit, e bënte atë përjetim të ndërlidhur me atë ngjarje edhe aq më të rëndë për ta përjetuar. Ishim komunitet fare i vogël dhe për norma të një shteti si Britania e Madhe pothuajse fare neglizhent si numër. Çfarëdo lajmesh, e që asokohe ishin shumë të rralla apo nonekzistente në lidhje me Kosovën, e që do të ngrinin atë vetëdijesimin e anglezëve në lidhje me Kosovën apo popullin e Kosovës, mbeteshin dhe përfundonin vetëm si orvatje individuale të secilit prej nesh në një audiencë fare të limituar me britanikët, me të cilët rrethoheshim. Me kalimin e viteve dhe me të kuptuar që qëndrimi ynë në këtë shtet si duket do të ishte shumë më i gjatë se që secili nga ne e kishte paramenduar kur shkelëm në ketë ishull, atëherë filluan edhe ato integrimet tona më të thella në këtë shoqëri. Tashmë nuk u mjaftonim me një vend pune në ndonjë restorant si pjatalarës, ndihmës kamerieri apo kamerier, ndonjë larës i veturave, pastruese apo kujdestare fëmijësh. Shumë nga ne regjistruam studimet këtu, dhe krahas punëve të cilat i bënim, filluam edhe rrugëtimin tonë të edukimit në këtë shtet. Ky rrugëtim i ri i yni bëri që tashmë të fillonim të silleshim pranë një niveli tjetër njerëzish, ku ne nuk ua kryenim thjesht një shërbim, mirëpo ishim të barabartë në rrugëtimin tonë për përfundimin e studimeve akademike.

Vitet 95-96 kryesisht dominoheshin me lajmet nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë, krimet e luftës të cilat atje po bëheshin nga makineria ushtarake jugosllave, apo thënë më saktë ajo serbe. Lajmet për Kosovën ishin fare sporadike dhe kryesisht vetëm ndonjë rresht në kuadër të ndonjë artikulli i cili kryesisht merrej me ngjarjet e ndërlidhura me luftën në Bosnjë-Hercegovinë.

Pastaj vjen edhe viti 1998. Në Kosovë publikisht kishte dalë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me aksionet e saja guerile po e bënte shtetin serb të kuptonte se padrejtësitë dhe aparteidi që kishte vite të tëra që po ushtroheshin në një mënyrë sistematike kundër popullit shqiptar nuk do të ishin më diçka, ndaj të cilit populli do të qëndronte duarkryq. Bashkësia ndërkombëtare disi fatin e Kosovës e kishte lënë në “harresë”, dhe kjo shenjë nga Milosheviqi u kuptua se ai mund të vazhdonte me programin e tij për krijimin e Serbisë të Madhe dhe për dëbimin e popullatës shqiptare nga ato troje nën presionet politike dhe policore-ushtarake.

Më pas ndodhën masakrat e Qirezit dhe të Likoshanit. Këto ishin, thënë kushtimisht, lajme të cilat vërshuan mediat shumë më tepër, dhe ajo vetëdija e opinionit se ende të gjithë kapitujt në një vend që dikur quhej Jugosllavi nuk kishin përfunduar, kishte mbetur edhe epilogu i asaj krijese katrahurë pikërisht aty ku edhe janë bërë padrejtësitë më të mëdha historike edhe gjatë formimit të saj, pra në Kosovën tashmë përsëri të përgjakur. Vitet ‘98 dhe ‘99 shënuan rritjen e trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Slobodan Milosheviqit. Do të ndodhte masakra e Jasharëve, dhe në veçanti ajo e Raçakut, e cila përfundimisht do të niste në lëvizje një makineri ndërkombëtare që t’i kundërvihej Serbisë me sanksione ekonomike e më pas edhe ushtarakisht. Në kuadër të asaj makinerie si mund t’i harrojmë emrat si Tony Blair, Robin Cook, Lord Robertson, Jamie Shea e shumë të tjerë, të gjithë britanikë. Pasi që asokohe jetova në Angli, u përqendrova në këta emra dhe në këto ngjarje.

Filluan edhe bombardimet e Aleancës Veriatlantike kundër caqeve të makinerisë ushtarake, paramilitare dhe policore serbe në Kosovë, Serbi, Vojvodinë e pjesërisht edhe në Mal të Zi. Regjimi i tërbuar serb vetëm sa shtoi represionin dhe dhunën e shfrenuar ndaj popullatës civile shqiptare. Brenda ditësh numri i refugjatëve buzë kufijve me Maqedoninë dhe Shqipërinë po shtohej në qindra mijëra sish. Regjimi serb ishte i interesuar të krijonte një krizë humanitare të pamenaxhueshme nga askush, dhe në këtë mënyrë të siguronte dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për ndërhyrjen e saj ushtarake kundrejt një shteti sovran, siç ishte Serbia. Britania e Madhe në kuadër të shumë shteteve të tjera u organizua për pritjen e organizuar të refugjatëve shqiptarë nga Kosova në gjirin e saj. Ishin me dhjetëra aeroplanë të cilët në baza ditore dhe javore po sillnin me qindra dhe mijëra refugjatë kosovarë nga kampet e Maqedonisë. Pamjet nga ato kampe tashmë ishin të njohura për publikun britanik, pasi që i shihnin përditë në lajmet qendrore, si dhe në shumë gazeta prestigjioze ditore.

Organizimi dhe sistemimi i refugjatëve të sjellë nga Kosova po bëhej me një përpikëri të paparë. Shumë nga komuniteti ynë u angazhuan si përkthyes për të porsaardhurit. Janë me qindra rrëfime që ata i tregojnë për organizimin e popullit anglez dhe britanik në përgjithësi në mikpritjen të cilën ua ofruan kosovarëve të ikur nga lufta. Ata ishin refugjatët më të privilegjuar, të cilët ndonjëherë kishin shkelur në tokën e këtij ishulli. Gjërat me shpejtësinë me të cilën shteti britanik po ua ofronte atyre ua kalonin edhe pritshmërive të britanikëve të lindur këtu brez pas brezi, dem baba dem. U vendosën në shtëpitë e tyre private, fëmijët u sistemuan nëpër shkolla, ndihmat materiale dhe ato në veshmbathje, si dhe lodra për fëmijë, si pasojë e organizimit të popullit anglez, ishin mbresëlënëse, dhe kosovarët e arritur në këtë ishull ishin dhe mbetën refugjatët më të privilegjuar, të cilët ky vend dhe ky popull i kishin mirëpritur ndonjëherë.

Pas 78 ditësh të bombardimeve të Aleancës Veriatlantike, Serbia më në fund u gjunjëzua dhe nënshkroi kapitullimin e saj me NATO-n. Për të përmbyllur këtë golgotë ishin ushtarët britanikë ata të cilët do të hynin të parët si çlirimtarë të Kosovës dhe do të përballeshin me pritjen dhe gëzimin e popullit, që kishte mbetur i ngujuar brenda në Kosovë, i cili tashmë po fillonte t’i gëzonte ditët e para të lirisë së tij.

Duke qenë se ky është një ditar i imi, unë jam i vetëdijshëm se shpeshherë disa gjëra edhe mund të përsëriten, mirëpo kjo është detyra parësore e një ditari, që të shënohen kujtimet dhe përjetimet në të, dhe si të tilla të përçohen dhe t’i mbijetojnë kohës për lexuesit e interesuar eventual të një të ardhmeje.

Vikendi të cilin e lamë pas, 20 vjet pas luftës e gjeti skuadrën angleze mysafire në tokën e Kosovës që të ballafaqohet me Përfaqësuesen e Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pritja dhe respekti që iu bënë atyre, si dhe disa mijëra tifozëve anglezë të cilët po sorollateshin rrugëve të kryeqytetit dhe gjetiu nëpër Kosovë bëri që ata të ndiheshin si asnjëherë më parë në përvojën e tyre si kombëtare e futbollit apo sikur tifozë të Anglisë.

Gjithçka e bërë nga iniciativa qytetare, “Plisat”, Komuna e Prishtinës, e arriti efektin e PR-it më të madh se çfarëdo aktiviteti qeveritar me kampanja qoftë edhe milionëshe qysh prej kohës së shpalljes së pavarësisë, por që kaluan pothuajse të pavërejtura. Për këtë gjë jam më se kompetent që të flas, pasi është në lëmin tim të ekspertizës. Rrjetet sociale, gazetat prestigjioze britanike, TV komentet, gazetat botërore, të gjitha u morën me mikpritjen që Kosova u bëri miqve të saj anglezë. 20 vjet pas luftës Kosova i nderoi miqtë e saj dhe çlirimtarët e saj. Kjo është njëra nga ato gjëra që më bën të kem shpresë se një ditë do ta forcojmë dhe do ta ndërtojmë shtetin e mirëfilltë që secili banor i Kosovës e meriton.

P. S. Albin, unë ashtu si edhe shumica e qytetarëve të Kosovës me padurim e pritëm përfundimin e zgjedhjeve. Ato e qitën VV-në si fituese dhe LDK-në si parti të dytë. Premtuat për ndryshime në mënyrën e qeverisjes që të dyja nga ju. Për atë arsye edhe u votuat nga populli. Tashmë i keni edhe grupet punuese të cilat po takohen për “përafrimet e planeve qeverisëse”. Por titujt nëpër portalet e lajmeve janë paksa brengosës për ne si qytetarë dhe votues.

Kushtëzimet për të cikat lexojmë se po vijnë nga LDK-ja për pozitë të presidentit, Parlamentarit, plus 7 ministrive, nëse qëndrojnë si të vërteta nuk janë ato për çka populli ka votuar dhe për ndryshimet për të cilat është në pritshmëri. Nuk është pritshmëria e popullit votues pensionimi politik i Isa Mustafës si president i Kosovës, atë nuk ia kemi për borxh dhe atë gjë nuk mund ta negociosh as ti. Qeverisja me çdo çmim e sjell një qeveri me nënshtrim. Të tilla patëm mjaft. Jo, të faleminderit!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

TFURK27/11/2019 09:14

Miku dhe armiku shihen në ditë të vështira. “Këto jo vetëm se do të ishin shifra alarmante edhe për ndonjë shtet më të madh dhe shumë milionësh,por edhe janë paralajmërimi më serioz për Kosovën e vogël me vetëm rreth 2 milion banor, e cila fatkeqësisht po zbrazet çdo ditë e më shumë. Prej krejt asaj që dëgjon nga të ikurit dhe azilkërkuesit shqiptar në vendet evropiane, është gjendja e vështirë ekonomike, niveli i ulët arsimor, imponimi i atmosferës puro turko-arabe dhe tëhuajsimi i atdheut të shqiptarëve, nga imamët vahabisto-salafist në vend të tyre, ka bërë që shqiptarët ta humbin çdo shpresë për euro-integrim dhe evropianizim të Kosovës, detyron ata të heqin dorë nga shtetësia e vet dhe sjellin buzë humnerës shtetin e Kosovës”

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani