Fundi i një epoke

Flaka Surroi Flaka Surroi 12 November 2019 08:08

Sipas rezultateve zgjedhore, të cilat natyrisht se do t'i kontestojë NISMA, del se ky subjekt politik nuk e ka kaluar pragun. Kjo dëshmoi në formën më të fuqishme të mundur se populli kësaj radhe votoi për t'i ndëshkuar partitë që identifikoheshin me vite si parti të krahut të luftës, për shkak të abuzimit të skajshëm me pushtetin në këta 20 vjet

U desh të kalojë një muaj që KQZ-ja të dilte me rezultatet e zgjedhjeve të cilat pak a shumë krejt i dinin, por jo të gjithë donin t'i pranonin, në veçanti NISMA, e cila u bë shakaja e modës sa herë që dikush nga kjo parti dilte për të thënë se e kishin kaluar pragun.

E sipas këtyre rezultateve, të cilat natyrisht se do t'i kontestojë ky subjekt politik, del se NISMA nuk e ka kaluar pragun. Kjo dëshmoi në formën më të fuqishme të mundur se populli kësaj radhe votoi për t'i ndëshkuar partitë që identifikoheshin me vite si parti të krahut të luftës, për shkak të abuzimit të skajshëm me pushtetin në këta 20 vjet.

Këto zgjedhje dëshmuan se ata që dolën për të votuar, votuan për ndryshimin me shpresën se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë me një Qeveri që do të jetë më ndryshe nga të gjitha të tjerat që i kemi pasur më parë. Me një Qeveri që do të formohet pas një muaji intensiv bisedash e marrëveshjesh ndërmjet VV-së dhe LDK-së në lidhje me një program qeverisës, me synimin për t’i ndalë shpenzimin e pakontrolluar të buxhetit dhe korrupsionin e rrënjosur në institucione.

Pritshmëri të mëdha

Sfida më e madhe me të cilën do të ballafaqohet Qeveria e re do të jetë pritshmëria e madhe e votuesve për ndryshime të mëdha. E ndryshimet nuk mund të ndodhin pa një pastrim rrënjësor të rrjetës së merimangës së ndërtuar me vite nga ata që gllabëruan krejt çka mundën nga e mira e përgjithshme. Do ta kenë shumë të vështirë t'i copëtojnë zinxhirët e lidhjeve farefisnore dhe klienteliste të shpërndara gjithandej nëpër institucione, dhe do ta kenë shumë të vështirë të riparojnë një diçka që është vendosur mbi themele të brishta dhe që është ndërtuar keq. Është shumë më lehtë ta ndërtosh një shtëpi të re sesa ta meremetosh atë, porse problemi është që shumë kohë kemi humbur si shoqëri dhe nuk e kemi luksin për të humbur edhe më.

Gëzimi dhe euforia e fitores do të shuhen shpejt, që në çastin kur të kalojnë në anën tjetër të fushës në të cilën kanë bërë garë. Është krejt më ndryshe kur je brenda, e sheh se çfarë kaosi ke para vetes, e krejt ndryshe kur sheh si zhvillohen gjërat para syve të tu, kur e di se gjërat shkojnë keq e ankohesh, porse nuk ke fuqi për t'i ndryshuar.

Problemet e Kosovës janë aq të mëdha, sa siç e përsërisin jo rrallë anëtarët e partive të koalicionit të ardhshëm do të nevojiten së paku dy mandate për ta kthyer vendin në shtegun e duhur. Po qe se ia dalin ta çojnë mandatin deri në fund do të hyjnë në histori, e për të dytin është ambicie e largët, e cila do të varet shumë nga ajo që do të arrijnë ta bëjnë deri në gjysmë të mandatit që nuk e dimë se kur do të nisë. Për shkak se procedurat ankimore mund të na e hanë edhe një muaj.

Specialja dhe heshtja zgjedhore

Specialja e respektoi një heshtje zgjedhore të zgjatur. Nuk iu dërgoi ftesa figurave të profilit të lartë gjatë kohës sa ende numëroheshin dhe rinumëroheshin votat. Porse, në çastin kur tashmë votat përfunduan së numëruari dhe pas një sërë ftesash dërguar eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së, pardje na u kumtua nga Kadri Veseli se edhe ai është ftuar nga Specialja. Natyrisht, kjo ftesë nuk mundi pa u përcjell me deklaratën se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se do t'i përgjigjej ftesës të paraqitej para gjykatës, të cilën edhe vetë e kishte mbështetur në cilësinë e deputetit dhe të kryeparlamentarit.

Për ata që e kanë lexuar raportin Marty, ftesa për Veselin nuk qe befasi. Në atë raport ai përshkruhet si shefi në kampet e supozuara të mbajtjes në Shqipëri dhe pjesëtar i Grupit të Drenicës, siç përkufizohet në raport.

Kumti nuk u përcoll me ndonjë reagim të veçantë. Thuajse për të gjithë kjo gjë ka qenë e pritur, duke e marrë parasysh se sa është përfolur raporti, se sa ka pasur trysni që kjo gjykatë të themelohet dhe me çfarë paniku i ishin qasur po ata që e kishin themeluar, për ta zhbërë gjykatën në çastin kur kishin indice se edhe ata do t'i kapte shpata e drejtësisë atje. Logjikisht, pas ftesës dërguar Veselit, fare nuk do të duhej të befasonte që ftesa e radhës të jetë për Thaçin, kryepersonazhi i raportit Marty.

Te rasti i Veselit, ftesa vjen në kohën kur ai është deputet i zgjedhur dhe shef i ardhshëm i opozitës. Te i Thaçit do të ishte ftesa për kryetarin e shtetit, diçka ngjashëm me situatën kur ftesat e Tribunalit të Hagës iu nisën krerëve shtetërorë të Serbisë. Një paralele e keqe që i bën keq Kosovës dhe reputacionit të saj edhe ashtu të nëpërkëmbur për shkak të sundimit të komandantëve.

Se a do të ndodhë kjo ftesë dhe kur mbetet të shihet. Ashtu siç mbetet të shihet po qe se Thaçi do të dorëhiqet po qe se ftesa vjen në ditët në vijim. Diçka sikur Haradinaj, që e dha dorëheqjen në çastin kur u ftua. Atëherë tha se shkonte në Hagë si qytetar i Kosovës, porse njëkohësisht vazhdonte ta mbante postin e kryeministrit në detyrë. Dallimi është se Thaçi, po qe se do të jepte dorëheqje, nuk do të mund të vazhdonte ta mbante postin e kryetarit, ngase ushtrues detyre do të ishte kryetari apo kryetarja e Kuvendit.

Duke e ditur se si ka vepruar gjatë karrierës së tij politike, është vështirë e besueshme se ai do të japë dorëheqje, ngase e di se në këtë konstelacion politik nuk do të ketë shans për t'u rizgjedhur kryetar pas një viti e gjysmë kur t'i kalojë mandati. Dhe me gjasë do ta shfrytëzojë maksimalisht pozitën e tij, ashtu siç ka bërë deri tash, pa dhënë asnjë përgjegjësi për veprimet e veta. Do ta shfrytëzojë edhe mundësinë e fundit për t'u dëshmuar faktor pa të cilin nuk bën, qoftë kjo edhe me nxitjen eventuale të trazirave organizuar nga përkrahësit e tij. Dhe përderisa të mos ketë aktakuzë, do të vazhdojë ta jetojë ëndrrën e të parit të shtetit, duke u vendosur në ish-Komitet, një ndërtesë që deri tash i ka strehuar dy ministri, ani që detyrat i ka, pak a shumë, ceremoniale.

Mbase njëri nga vendimet e para të kësaj qeverie do të jetë anulimi i vendimit absurd për ta zhvendosur Ministrinë e Kulturës dhe atë të Bujqësisë në objekte private me qira prej 105 mijë eurosh në muaj, vetëm për ta vendosur aty zyrën e kryetarit. Dhe mundësisht ta lyejnë ndërtesën me të bardhë, dhe të shndërrohet në versionin socrealist të Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë

Për Thaçin nuk dëgjuam shumë këto ditë të zgjedhjeve. Teksa rridhte fushata dhe numërimi që pasoi, shkoi u shëtit në Japoni dy herë brenda muajit, shkoi në Amerikë dhe kush e di ku tjetër, dhe një ditë prej ditësh u takua me Valdete Dakën e KQZ-së. I dha ca deklarata për liberalizim e të ngjashme, por ky ishte pak a shumë aktiviteti i tij i "bujshëm" politik. Natyrisht, nuk e dimë po qe se ka pasur kontakte me dostin e tij Vuçiq, pra vetëm mund të supozojmë.

Porse një gjë që ndodhi gjatë javës, e është pasojë e veprimit të tij politik, qe dënimi me nga 15 vjet burgim i dy nga gjashtë shtetasit turq që Kosova i dëboi.

Derisa tallej me komisionin hetimor parlamentar, të cilit nuk i jepte përgjigje në lidhje me përgjegjësinë e tij për këtë skandal, komisioni nga ana tjetër ia bartte përgjegjësinë kryesore atij për ngjarjen e para dy vjetëve.

E se veprimi ka qenë i koordinuar nga Kosova me kërkesë të Turqisë, e dëshmoi dorëheqja e Gashit nga posti i shefit të AKI-së, që u kompensua më vonë me punësimin e tij në zyrën e kryetarit. Paradoksalisht e dëshmoi edhe avancimi i Maxhunit nga shef i Policisë në shef të AKI-së, post të cilin e mbajti deri të mërkurën e shkuar.

Maxhuni e dha dorëheqjen dhe u dekorua nga Haradinaj për punën e tij - në një situatë absurde, të takimit mes dy të dorëhequrve, ku njëri dekoron e tjetri dekorohet. Zyrtarisht u tha se Maxhuni jepte dorëheqje për shkaqe shëndetësore, e më pas u përfol se mbase do të mund të shkonte ambasador në Turqi, porse më së shumti u tha se me vetëdije është tërhequr ngase si njeri i afërt i Thaçit, dhe pas skandalit me shtetasit turq dhe me të birin e kapur nga policia me armë dhe drogë, do të ishte në shënjestër të pushtetit të ri. Dhe kjo e fundit nuk është larg mendsh, ngase njeriu kryesor i inteligjencës shtetërore gjithsesi duhet të jetë njeri i besueshëm i kryeministrit më parë sesa i kryetarit.

* * *

Po afrohet fundi i vitit e ne ende nuk i kemi institucionet në vend, për shkak se e kemi një sistem zgjedhor të çoroditur që askush nuk deshi ta ndryshonte. Mbase tash janë ngirë të gjithë prej të gjitha këtyre pritjeve dhe rinumërimeve të kota që na ndodhin, dhe dikujt do t'i kujtohet se zgjedhjet mund të jenë shumë më të mira po qe se ka më pak mundësi për manipulime.

Sido që të jetë, edhe nëse NISMA me ndonjë mrekulli ia del ta kalojë pragun, Qeveria e re nuk do të ketë nevojë as për votat e Listës Serbe, e as për ndonjërën nga partitë e PAN-it për ta udhëhequr shtetin. Në rast se NISMA kalon, koalicionit të ri do t'i mjaftojnë votat e minoriteteve joserbe, e nëse nuk kalon, Qeveria VV-LDK do ta ketë shumicën për të shtyrë para programin e vet.

Po qe se ditët në vijim do të na sjellin konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re, ky do të jetë fundi i një epoke, asaj të kumandantëve, që në emër të luftës pothuajse na e humbën paqen.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi