OpEd

Nga Halepi i Sirisë në oborrin e Mbretit Luigji XIV: udhëtimi i Hana Dijabit në vitin 1708

«Llamba e Aladinit» dhe «Ali Baba dhe dyzet hajdutët»: një libër mahnitës mbi një botë të perënduar.

Se çfarë kanë parë perëndimorët në Orient – kjo është e dokumentuar gjerë e gjatë. Ka gjykime, paragjykime dhe përshkrime të kësaj bote që përkundet mes magjisë dhe mërzisë. Po çka panë orientalët në Perëndim? Dihet shumë pak, me ndonjë përjashtim. Hana Dijab është njëri nga orientalët e paktë që erdhi në Paris. Më 1707 francezi Paul Lucas ishte i ngarkuar nga Mbreti Luigji i XIV që të shkojë në trevat arabe për të mbledhur kronika dhe monedha të vjetra.

Në Halep, në metropolin e madh e të lashtë të botës arabe, i cili pas luftës së fundit në Siri me gjasë është shkatërruar pakthyeshëm, pra në Halep Paul Lucas njoftoi një arab të krishterë me emrin Hana Dijab, një djalë i pazarit, i cili fliste, natyrisht, arabisht, por edhe turqisht, frëngjisht dhe deri diku italisht. Bash një shoqërues dhe përkthyes i tillë i duhej Paul Lucas-it. Dijab do të përkthente për francezin, ndërsa francezi do t’i premtonte se do ta merrte me vete në Paris. “A di të lexosh gjuhën arabe?”, pyet Lucas. Arabi përgjigjet: po, por ai thotë se di edhe «frangji» (domethënë: të lexojë alfabetin latin). Lucas vazhdon: “Nëse vjen me mua, do të strehoj në bibliotekën e librave arabë, dhe mbreti do të të shpërblejë dhe gjatë gjithë jetës tënde do të jesh nën mbrojtjen e tij. Ministri më ka ngarkuar që nga këto vise të sjellë një burrë që di të lexojë arabishten. Do të kesh shumë dobi nga kjo. A dëshiron të vish me mua?» Arabi Hana Dijab është 20-vjeçar dhe kureshtar i pafund. Përgjigjja e tij është e qartë: “Po”.

Në vitin 1993 në Bibliotekën e Vatikanit u gjet një dorëshkrim – ishte udhëpërshkrimi i Hana Dijabit nga Halepi i Sirisë në Paris, në oborrin e Mbretit Luigji i XIV (ose siç e quanin ndryshe: “le Roi-Soleil”, “Mbreti Diell”). Ndërkohë ky udhëpërshkrim, i shkruar për herë të parë më 1764, është botuar në frëngjisht dhe gjermanisht. Një libër mahnitës për një botë të perënduar. Hana Dijab dhe Paul Lucas udhëtuan përmes Qipros, Egjiptit, Tripolitanisë libiane në Tunis dhe nga atje, përmes Mesdheut, tutje drejt Evropës. Në bregdetin e Libisë ata arrijnë me një anije franceze, e cila bart stofra egjiptiane dhe pelegrinë që kthehen nga Meka. Në Livorno të Italisë Hana Dijab përpiqet ta bindë gruan e një bashkëvendësi të krishterë ta heqë shaminë, siç është traditë në “vendin e të krishterëve”. Gruaja njëherë refuzon, pastaj bindet - dhe Dijab shkruan se “gratë te ne (...) janë edukuar që të rrinë të mbyllura”. Gjatë shtegtimit me anije ata ndeshen me piratë, flasin me diplomatë, lypsarë dhe tregtarë – dhe bëhen dëshmitarë se si marinarët e gllabërojnë një mace, sepse uria bën kërdi.

Kulmi i udhëtimit, kjo vetëkuptohet, është Parisi. Hana Dijab qëndron tetë ditë në Kështjellën e Versajës (Versailles), ku bashkë me Paul Lucasin i raportojnë Mbretit mbi përjetimet e udhëtimit. Arabi Hana Dijab i prezanton Mbretit edhe dy minj kërcimtarë të shkretëtirës.

Takimi më i rëndësishëm dhe me efekt historiko-letrar i Dijabit ishte me dijetarin francez Antoine Galland në vitin 1709. Dijab tregon: “Një plak na vizitonte shpesh. Ai lexonte mirë arabisht dhe përkthente libra nga kjo gjuhë në frëngjisht. Në atë kohë ai, mes të tjerash, përkthente tregimet e ‘Një mijë e një netëve’. Ky burrë kërkoi ndihmën time në disa pika, të cilat nuk i kuptonte dhe të cilat ia shpjegova. Në librin që po e përkthente mungonin disa net, dhe unë i rrëfeva atij tregimet që i dija. Ai e plotësoi librin e tij me këto rrëfime dhe ishte i kënaqur me mua”.

Nga takimet e Hana Dijabit me Antoine Galland u krijua letërsi botërore. Gjatë një udhëtimi në Orient Galland kishte blerë një dorëshkrim të “Një mijë e një netëve”, por për fatin e tij të keq manuskripti përfundonte te nata 282. Hana Dijab ia shkroi Galland dy tregime nga “Një mijë e një net” dhe ia tregoi dymbëdhjetë të tjera, mes tyre «Llamba e Aladinit» dhe «Ali Baba dhe dyzet hajdutët», të cilat i njohin jo vetëm fëmijët në mbarë botën.

Pas mbërritjes në Paris Paul Lucas mban distancë ndaj sirianit, i cili pas një kohe kthehet në Halep, duke gënjyer gjatë rrugës se është mjek francez dhe si i tillë ai shëron pashallarë e guvernatorë të provincave. Zanatin e mjekut Hana Dijab e kishte mësuar nga Paul Lucas, i cili po ashtu nuk ishte mjek, por një adhurues i madh i eksperimenteve. Udhëpërshkrimin e tij Hana Dijab e përfundoi në Halep më 1764. Në gjermanisht libri është botuar nga shtëpia botuese “Die Andere Bibliothek”, e njohur për botime të kujdesshme dhe luksoze. “Ky është fundi i raportit tonë dhe i udhëtimit tonë. Lusim Zotin të na falë për gjithçka që është dashur të shtojmë apo që kemi lënë anash. Përfunduar në ditën e tretë të muajit mars në vitin 1764 të kohës së krishterë», shkruan Hana Dijab.