Vështrime

Dialogu nuk duhet të lidhet me procesin e integrimeve evropiane

Me apo pa përparim në dialog, as Serbia e sidomos Kosova nuk do të integrohen në BE në 10 deri 15 vjetët e ardhshëm. Kështu, faktori tërheqës i integrimit në BE si motiv për sukses në dialog është humbur. Sikur Serbia ta kishte njohur Kosovën në vitin 2008, ndoshta sot do të ishte anëtare e BE-së. Sikur Serbia tash ta njohë Kosovën, nuk do të hyjë në BE në dhjetë vjetët e ardhshëm. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen për interes të këtyre dy shteteve, e jo për shkak të ndonjë premtimi abstrakt për integrime në BE.

Paralajmërimi se udhëtimi i tij i parë në cilësinë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të jetë në Kosovë, ka lënë në hije një thënie tjetër shumë problematike të Josep Borrelit në seancën dëgjimore në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ai, duke relativizuar kundërshtimin që Spanja i bën pavarësisë së Kosovës, ka thënë se “Kosova nuk mund të jetë shtet përderisa nuk njihet nga Rusia, Kina e India”. Problemet me këtë thënie janë të shumta. E para është se Borrel pothuajse e ka relativizuar rolin e tij të ardhëm në lehtësimin apo ndërmjetësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sepse, nëse ai vërtet mendon ashtu, pse të mundohet Kosova në një dialog të lehtësuar me BE-në nëse shefi i diplomacisë së BE-së mendon se janë të kota njohjet e shumicës së madhe të shteteve anëtare të BE-së nëse nuk të njehë Rusia, Kina dhe India. Kjo thënie shkon në kundërshtim me pohimet e tij se do të punoj për ta rritur ndikimin e BE-së në botë, sidomos për përpjekjet që BE-ja të flasë me një zë, në mënyrë që ai zë të dëgjohet më shumë.