OpEd

Kujt i mbetet froni evropian?

De Gaul dhe Mitterrand, do të ishin të lumtur me pasardhësin e tyre Macron. Ndonëse ideologjikisht të ndryshëm, tre presidentët francez, i bashkon nacionalja. Pa marrë parasysh tre orientimet: i djathtë, i majtë dhe liberal; që të tre në 74 vitet e paqes së dytë botërore, shtynë idenë e tyre për lidership Francez të Evropës së bashkuar. Fundja, këtë e aspironte edhe Napoleoni, me idenë e tij për bashkimin e kontinentit, por me te si perandor. Macroni është larg aspiratave perandorake, por afër idesë për të qenë i pari në Evropë. Për dallim nga Trumpi dhe “America 1st”, Macroni preferon “Europe la première”. Por për të qenë Evropa e para në botë, sipas konceptit të tij për “Evropën Sovrane”, ajo duhet të jetë e reformuar, para se të jetë e zgjeruar. Derisa gjermanët përmes BE: realizuan bashkimin gjerman; francezët do synojnë drejtimin e një BE-je ndryshe. Një integrim të mbyllur, ku kandidatët para-anëtarësues, jo patjetër të bëhen edhe anëtarë të BE-së. “Partneritet i privilegjuar”, “partneritet special”, “anëtarësim i kushtëzuar”, “anëtarësim i revokueshëm”; e deri te zëvendësimi i tërë politikës së zgjerimit, me politikën e fqinjësisë evropiane, janë vetëm disa nga modalitetet eufemiste për të mbuluar fundin e zgjerimit evropian.

Në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, kufijtë e Evropës po ri-aktualizohen si në fund të dekadës së dytë të shekullit paraprak. Më 1919, Versaja caktoi “kufijtë e rinj” evropian. Më 2019, Parisi sërish tregon se deri ku janë kufijtë e Evropës. Atë që nuk arriti ta bënte Presidenti Mitterrand para çerek shekulli, me tri rrathët e tij koncentrik, po provon ta bëj Macron me tri qarqet e tij. Rrethi i parë i Mitterrandit, ishte “bërthama e fortë” (me 5 shtetet kyçe), i dyti me të tjerat shtete anëtare dhe i treti me aspirantët nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Sot, Macron në rrethin e parë më të gjerë dhe më larg bërthamës, i mendon të gjitha shtetet e Evropës “por të pa-integruara në BE”; në të dytin - “rreth të integruar “,vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, (pjesë e tregut të përbashkët- por jo të Euro- Zonës); dhe në të tretin - “thelbësor “, shtetet e Euro-Zonës, (pra 6 shtetet themeluese plus Spanja dhe Portugalia). Evropa, pra po rikthehet në përplasjet perandorake të qendrës dhe periferisë, të veriut dhe jugut, të Evropës së Vjetër dhe Evropës së re. Përplasja Francezo- Habsburge, po ri-dominonë Evropën, si pas paqes së Vjenës (1815) ashtu edhe asaj të Versajës (1919). Me 1 maj të vitit 2004, Franca nuk e përpiu aq lehtë shtrirjen e ndikimit strategjik gjerman në Evropën Qendrore dhe Lindore, me integrimin e madh në BE të dhjetë shteteve tradicionalisht gjermanofone, (me përjashtim të Rumanisë frankofone). Në epokën e Merkelit të fuqishme, Franca nuk kishte ç’të bënte, sidomos me një Britani të Madhe pro zgjerimit të BE-së. Mirëpo me tërheqjen e Merkelit, vitin që vjen dhe daljes së Britanisë së Madhe nga BE- sivjet, aspiratat neo-De Gaulliste të Macronit, rikthyen në formulën e tij të njohur pas Luftës së Dytë Botërore: “Franca lartë, Gjermania poshtë, Britania e Madhe jashtë”. Macroni po katapultohet në liderin e ardhshëm Evropian përmes ri-konfigurimit të BE-së.

Ndoshta bërthama evropiane e Macronit do forcohet përbrenda, por kjo do dobësonte kufijtë e saj të jashtëm. Një bërthamë aq e vogël evropiane, vështirë se do i përballonte sfidat aq të mëdha në muret e saj. BE u krijua si projekt paqe. Si një magnet integrues, që sa më shumë zgjerohej, rritej edhe fuqia e tij tërheqëse. BE edhe mund të ri-modelohet në dy a më shumë shpejtësi, apo në rrathët koncentrik të kufijve të rinj, por ndalja e zgjerimit të BE-së, do rrezikonte kufijtë e saj jugor, nga unionet alternative: “Euro- Aziatike” Ruse; apo “unazës Kineze“. Mos-integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, do krijonte një vakum strategjik, që do mund të mbushej nga jo-evropianët. Nëse Ballkani nuk do bëhej pjesë e unifikimit evropian pa kufij, do mund të ndodhë unifikimi nacional brenda kufijve kombëtar. Përjashtimin e Ballkanit nga integrimi evropian, do e shtynte rajonin drejt integrimeve kombëtare. Agjenda evropiane, pastaj do zëvendësohej me agjendën nacionale. Dështimi i projektit Pan- Evropian, do shtonte projektet Pan- Nacionale. Ndalja e zgjerimit të BE-së, do shënonte përfundimin e modeleve të shteteve multi-nacionale dhe lindjen e shteteve një-nacionale.