OpEd

Mbroje votën!

Kam bindjen se njëzet vjet na kanë regjur mjaft sa për të kuptuar se përrallat ekzistojnë vetëm nëpër libra e filma. Na kanë pjekur mjaft sa për të ditur se kush gënjen më fort. Na kanë mësuar se asnjë gjë nuk mund të lëvizë përpara po qe se asgjë nuk ndryshon, dhe se askush i huaji nuk mund ta dojë atdheun tonë më shumë se vetë ne.

Mbaroi fushata.

Shyqyr kurrkush nuk na e premtoi liberalizimin e vizave e as punësimin e 200 mijë vetave brenda mandatit. Na thanë se Kosova ka nevojë për rritje ekonomike prej 8% në vit, ama shumë pakkush na tregoi se si do të arrihet kjo rritje.

Për herë të parë pati pajtim mes të gjitha partive - që problemi më i madh me të cilin ballafaqohet Kosova është krimi i organizuar së bashku me korrupsionin; problem i cili ka nevojë urgjente për zgjidhje. Dhe, pa zgjidhjen e të cilit, ky vend nuk do të ketë asnjë perspektivë.

Secili, pavarësisht përgjegjësisë që ka pasur për instalimin e korrupsionit në Kosovë, i ofroi zgjidhjet e veta në formën e vet. U bë garë për atë se cili shtet a cili grup politik e përkrahte ndonjërin prej kandidatëve për kryeministër; u sollën njerëz që mbajtën fjalime në gjuhë të huaja; u demantuan përfaqësimet shtetërore dhe pjesa më e madhe e korit diplomatik u deklarua në mënyrë, si ndryshe, diplomatike: që njerëzit duhen dalë për të votuar për të ardhmen e tyre. Se zgjedhja është në duart e votuesve dhe në ndërgjegjen e tyre.

Gjëja më e mirë e gjithë kësaj fushate ishte që nuk pati incidente dhe se sot do të na pushojnë veshët nga fjalimet politike dhe presionet eventuale nëpër të cilat kemi kaluar këta dy muajt e fundit sa realisht zgjati fushata.

Heshtja për reflektim

Pra, sot jemi në heshtje, dhe teknikisht sot na jepet koha të mendojmë se a do të votojmë dhe për kë do të votojmë. Ata që e kanë prerë mendjen për votën, tashmë e kanë të qartë se si do të veprojnë.

Ajo që duket se kësaj radhe do të jetë më ndryshe se madje edhe zgjedhjet e shkuara, është se numri i votuesve do të jetë më i madh se kurdoherë. Më duket se si asnjëherë më parë nuk ka pasur më shumë interesim për të votuar se kësaj here. Për t'u shënuar është interesimi i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në diasporë, që jo vetëm kanë votuar nëpërmjet postës, por edhe kanë vendosur të vijnë për fundjavë në vendet e tyre të origjinës për të kryer detyrimin qytetar. Mbase nga frika se votat me postë do të mund të mbaronin të anuluara apo të humbura diku rrugës. Dhe, sërish e theksoj, fituesin do ta përcaktojë diaspora.

Përvoja nga e shkuara na ka treguar se mosdalja në votime ka dhënë hapësirë për vjedhjen e votave dhe për pasojë, manipulimin e rezultateve. Prandaj, siç e kam thënë edhe në krejt zgjedhjet paraprake, e besoj se krejt ne duhet të dalim të votojmë. Është më mirë madje edhe ta prishësh vetë fletëvotimin sesa që të ta vjedhin atë. Kjo është mënyra më e mirë për ta mbrojtur votën vetë votuesi. Do të jetë çështje e komisionarëve të emëruar nga partitë politike se si do t'i mbrojnë ato nëpër vendvotime kur të vijë çasti për numërimin e votave të hedhura. Sepse kjo është garancia e vetme se vota do të jetë e mbrojtur aq sa për të mos lejuar që vjedhja eventuale të ndikojë në rezultatin përfundimtar.

Kësaj radhe u veçua edhe një gjë: asnjë nga hulumtimet e opinioneve që i kanë porositur partitë politike nuk është bërë publik. Psenë e kësaj duhet kërkuar me te numrat shumë të përafërt, që tregojnë se fituesi do të dalë i tillë më parë për ca nuanca sesa ndonjë përqindje e madhe. E për ta kuptuar këtë, do të na duhet durim, për shkak se tashmë e dimë se tradicionalisht, numërimi i votave në Kosovë di të zgjasë me javë.

Ndërkohë

Derisa partitë ngarendin lart e poshtë, prej komune në komunë, dolën ca biseda private me përmbajtje ofenduese për bashkëpartiakët; incizime marrje ryshfeti; takime "ndikuese" me punëtorët e firmave private; fotografi takimesh me bosa të nëntokës e një grumbull lajmesh të rreme e "dokumentesh autentike". Pati edhe përpjekje infiltrimi pelegrinësh nga shteti fqinj për të ndikuar te votuesit - por që të gjitha kaluan disi në mënyrë të heshtur, thuajse tashmë jemi mësuar me këso lloj lojërash, dhe se kemi arritur pjekuri të mjaftueshme për nxjerrë përfundimet tona në lidhje me to.

Nga ana tjetër, në jetën jashtë fushatës, dolën në pah një grumbull lajmesh që në fakt nuk zbulojnë asgjë të re. Tashmë të mësuar me skandalet që e ngjyrosin jetën politike në Kosovë, e kuptuam se ministritë kanë shpenzuar paratë e taksapaguesve e nuk i kanë shpalosur ato shpenzime para publikut, sepse kanë pasur çfarë të fshehin. Dëgjuam për ndërhyrjen e një injoranti në një monument historik 400-vjeçar; patëm rastin ta lexonim një hulumtim të gjatë për shkatërrimin e natyrës, për përfitime të majme financiare, e që ka kaluar pandëshkuar dhe, disi në fund, dhe jo papritur, kuptuam se Kosova ishte përjashtuar nga ENQA (Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë) që tash e bën barasvlerësimin e diplomave të kosovarëve pothuajse të pamundur.

Që të gjitha në fakt janë një gjë me të cilën kemi jetuar këta 20 vjet: një papërgjegjësi dhe injorancë e arrogancë që e kanë sjellë shkatërrimin përbrenda. Nuk ka pasur nevojë fare që Serbia të bëjë asnjë veprim në këtë drejtim - ne me veprimet tona e kemi shkatërruar një bazë të brishtë të gjithçkaje që ka mundur të ishte shumë më mirë seç na doli.

Dhe përgjegjësinë për krejt çfarë na ka ndodhur në këto dy dekada e ndajmë bashkë (edhe pse jo në formë të barabartë) politikanët dhe partitë politike, në njërën anë, dhe ne, votuesit, në anën tjetër. Për shkak se votat tona i sollën politikanët në pushtet. Heshtja jonë i mbajti aty për të na katandisur në këtë pikë.

Çka na pret përpara?

Nuk duhet ditur e as filozofuar shumë për të treguar se fituesi i zgjedhjeve të ardhshme (në kuptimin e subjektit politik), cilido qoftë ai, do të ballafaqohet me një Kosovë, shtet të papërfunduar; shtet të varfër; shtet me probleme serioze në arsim, shëndetësi, kulturë e gjyqësi; shtet me mungesë perspektive, me rënie nataliteti dhe me probleme njohjesh ndërkombëtare, ndër të tjera.

Ai subjekt që do ta krijojë qeverinë e ardhshme, me ndonjë parti tjetër, sepse vetëm nuk do të mundet, dhe nëse e ka seriozisht, do të duhej praktikisht të nisë thuajse nga zeroja: për shkak se është shumë më lehtë që një diçka të ndërtohet nga fillimi sesa që të meremetohet. Sepse në cilin meremetim, pa dalë ndonjë "krokodil" nuk e lë. E ta "mbysësh" atë, të merr shumë energji, mund, kohë e para.

Çfarëdo që të jetë zgjedhja e votuesve, krijuesi i Qeverisë së ardhshme do të duhej të kishte parasysh se ekipi sa më i vogël zyrtarësh e bën punën më të efektshme dhe llogaridhënien më efikase. Po qe se do të krijohet një shumicë solide, Kuvendin dhe Qeverinë e re i pret edhe ndryshimi i Kushtetutës, por edhe i shumë ligjeve që do të duhej të na e bënin jetën më të lehtë. I pret edhe ndryshimi i Rregullores së Punës që do t'i eliminonte paqartësitë procedurale që na kanë sjellë qeveri jostabile dhe Kuvend dembel pa asnjë përgjegjësi ndaj popullit.

E besoj, nëse e kanë seriozisht, edhe fituesit do të pajtohen se u bâ boll mâ dhe se Kosova duhet të bëhet ajo që është dashur të bëhet që para njëzet vjetësh: një vend i mirë dhe normal për të jetuar, ku të gjithë do ta duan vendin e tyre dhe do të kujdesen që ai të lulëzojë e jo të vyshket si deri tani.

* * *

Deri nesër, para se ta qesim votën, do të kemi kohë të mendojmë për Kosovën në të cilën jetojmë dhe për Kosovën të cilën e duam: për një shtet ku ka rend dhe ligj; ku ka qetësi dhe shanse për të punuar; ku ka shërbim cilësor shëndetësor e nuk duhet shkuar tjetërkund për t'u shëruar; ku mësojmë të shkruajmë e të lexojmë si duhet; ku e ruajmë trashëgiminë kulturore e historike; ku e dimë se do të ketë gjyq të drejtë që nuk do të na lërë në pritje me vite; ku do ta shijojmë të drejtën për ta gëzuar pensionin pa u ndier i poshtëruar...

Nesër vendimi është në duart e votuesve. Dalja në votim dhe shprehja e lirë e vullnetit është gjëja më e çmueshme që e kemi momentalisht nën kontrollin tonë. Të mos dalësh në votim, është t'u japësh hapësirë të tjerëve që të ta përvetësojnë votën, dhe nuk do të ishte hera e parë.

Kam bindjen se njëzet vjet na kanë regjur mjaft sa për të kuptuar se përrallat ekzistojnë vetëm nëpër libra e filma. Na kanë pjekur mjaft sa për të ditur se kush gënjen më fort. Na kanë mësuar se asnjë gjë nuk mund të lëvizë përpara po qe se asgjë nuk ndryshon, dhe se askush i huaji nuk mund ta dojë atdheun tonë më shumë se vetë ne.

E nëse ende nuk e kemi gjetur këtë dashuri, e besoj se vota e së dielës do të jetë çasti i zbulimit të saj.

flaka@koha.net