OpEd

Ku mbeti “viti vendimtar për Ballkanin” në BE

Fundi i këtij viti po afrohet dhe në të nuk pati asnjë kthesë pozitive në procesin e integrimeve evropiane të rajonit të Ballkanit. Sipas skenarëve më pozitivë të mundshëm, gjatë vitit 2019 është dashur të zgjidhen shumica, nëse jo të gjitha, kontestet bilaterale mes shteteve të rajonit, në mënyrë që deri në vitin 2025 ndonjë shtet i rajonit të mund të jetë gati për anëtarësim në BE. Por pasi shumica e problemeve, përfshirë kontestet për kufijtë apo raportet mes Kosovës dhe Serbisë, as nuk nisen të zgjidhen, atëherë viti 2025, sado i largët që duket, është tepër optimist si afat i zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit.

Deklaratat se “gjatë vitit tjetër presim kthesa në procesin e zgjerimit të BE-së në rajon” apo se “Ballkani Perëndimor do të jetë prioritet gjatë vitit që vjen”, i kemi dëgjuar tash e dhjetë vjet, apo edhe më shumë. Që nga samiti i Zagrebit në vitin 2000, pastaj në atë të Selanikut në vitin 2003, në Brdo afër Kranjit në vitin 2008 apo në Sofje në vitin 2018. Pa shumë probleme janë përmendur zotimi për “perspektivën evropiane të rajonit”, gatishmëria e BE-së që t’i ndihmojë këto shtete që të afrohen me BE-në dhe të përgatiten për anëtarësim një ditë. Dhe prej atëherë, është bërë punë në këtë drejtim, por krahasuar me periudhën kohore që ka kaluar, procesi ka qenë shumë i ngadalshëm.

Vitin që vjen, në pjesën e parë të tij, Kroacia gjatë kryesimit të BE-së dëshiron të organizojë një samit të madh BE-Ballkan, me qëllim që t’ia japë një shtytje apo ta ringjallë procesin e zgjerimit të BE-së. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, këtë e kishte paralajmëruar në maj të vitit 2018 gjatë samitit të Sofjes. Por që në atë samit u pa se nuk është lehtë të promovohet procesi i zgjerimit nëse ka liderë të rëndësishëm të shteteve të mëdha të BE-së, të cilët nuk duan as të dëgjojnë për zgjerim, së paku për një kohë. I tillë është edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, i cili në Sofje kishte thënë se “BE-ja ka gabuar në të kaluarën se është marrë tepër shumë me zgjerimin e jo me vetveten”, dhe se tash BE-ja duhet të reformohet së pari brenda saj e pastaj mund të shikojë nëse mund të pranojë shtete të tjera. Një porosi të tillë presidenti i Francës e kishte përsëritur edhe këtë vit, gjatë samitit në Bruksel, ku diskutohej për ndarjen e posteve kryesore në institucionet e BE-së. Macron përdori faktin se ishte shumë vështirë të arrihej pajtim mes 27 shteteve dhe nënvizoi se “si do të mund të arrihej pajtimi nëse do të kishte edhe më shumë shtete”.

Në këto rrethana BE-ja nuk qe në gjendje as ta marrë vendimin që e kishte premtuar para një viti për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kësaj teme do t’i kthehen përsëri pas tri javësh, dhe, siç duken tash gjasat, për Maqedoninë mund të merret vendim pozitiv, ndërsa për Shqipërinë gjasat janë shumë të vogla.

Pasi BE-ja është shumë e zënë me procesin e aprovimit të Komisionit të ri dhe me transicionin institucional, që është në vazhdim e sipër, deri në fund të vitit nuk mund të pritet asnjë vendim apo hap i rëndësishëm i BE-së. Kështu, pa ndonjë kthesë të madhe, do të përfundojë edhe ky vit. Ndërsa në pjesën e parë të vitit që vjen do të shihet nëse Kroacia do ta ketë fuqinë që të vendosë si prioritet të BE-së përsëri procesin e zgjerimit. Me gjithë problemet që ka në raportet e saj bilaterale me Serbinë, dhe shqetësimin për kroatët në Bosnjë-Hercegovinë, Kroacia është ndër vendet e rralla që fuqishëm mbështet zgjerimin dhe e konsideron si prioritet kombëtar. Sepse është e vetëdijshme se përparimi i vendeve fqinje mund të ketë vetëm ndikim pozitiv edhe në Kroaci. Sllovenia, Hungaria po ashtu e mbështesin zgjerimin sikurse edhe shumica e shteteve lindore. Por në shtetet kryesore të BE-së mbështetja është shumë e vogël. Në Gjermani, Francë, Holandë, Belgjikë, Luksemburg apo Finlandë, shumica e madhe e kundërshtojnë zgjerimin e Bashkimit Evropian. Por kundërshtimi i tyre nuk do të duhej të përdorej për ngadalësim të procesit, i cili edhe ashtu është shumë i ngadalshëm. E ky vit nuk solli asnjë përshpejtim.

Fundi i këtij viti po afrohet dhe në të nuk pati asnjë kthesë pozitive në procesin e integrimeve evropiane të rajonit të Ballkanit. Disa arsyetohen me zgjedhjet evropiane dhe me frikën nga e djathta ekstreme që e kundërshton zgjerimin. Por e vërteta është se forcat liberale janë më shumë kundër zgjerimit sesa ato radikale. Nëse shihet harta politike në vendet që janë më të zëshme kundër zgjerimit, si Franca, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, të katër këto shtete në pushtet janë partitë liberale. Duket se forcat tradicionale politike më shumë po e shfrytëzojnë të djathtën ekstreme apo partitë populiste si justifikim sesa që ato janë vërtet ndonjë sfidë e madhe për procesin e zgjerimit.

Sipas skenarëve më pozitivë të mundshëm, gjatë vitit 2019 është dashur të zgjidhen shumica, nëse jo të gjitha, kontestet bilaterale mes shteteve të rajonit, në mënyrë që deri në vitin 2025 ndonjë shtet i rajonit të mund të jetë gati për anëtarësim në BE. Por pasi shumica e problemeve, përfshirë kontestet për kufijtë apo raportet mes Kosovës dhe Serbisë, as nuk nisen të zgjidhen, atëherë viti 2025, sado i largët që duket, është tepër optimist si afat i zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit.

Serbia nuk e ka bërë as hapin e parë në zgjidhjen e shumë mospajtimeve me Kroacinë rreth demarkacionit të kufirit. Nuk ka përparim as në zgjidhjen e çështjeve të kaluara që kanë mbetur nga lufta. Kosova dhe Serbia nuk kanë avancuar drejt normalizimit të raporteve. As Mali i Zi dhe Kroacia nuk e kanë zgjidhur problemin e kufirit në Bokën e Kotorit.

Sllovenia dhe pas saj edhe Kroacia kanë hyrë në BE pa i zgjidhur çështjet e hapura kufitare. Por tash BE-ja, edhe për shkak të përvojës mes këtyre dy shteteve, ka vendosur që të mos pranojë vende të cilat në BE do të bartnin probleme të tilla. Prandaj pa i zgjidhur ato, BE-ja nuk do ta shqyrtojë pranimin e tyre.

Me afrimin e fundit të këtij viti, sikur edhe viteve të mëparshme, përsëritet pyetja se ku mbeti “viti vendimtar për zgjerimin e BE-së në rajonin e Ballkanit”? Përgjigjja do të jetë, sikurse edhe viteve të mëparshme, se edhe ky vit do të jetë i harruar. Dhe do të përsëritet shpresa se viti i ri do të sjellë më shumë.