OpEd

Letër e hapur ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar

P. S. Ramush, bre burrë, na u prezantove si politikan i sporteve të ronda. Pse, bre burrë, e le Driton Kukën me t’u bashkangjit në parti? Ai i ka tejkalu pritshmëritë dhe obligimet ndaj shtetit. Unë e di se Dritoni ka të drejtë me u kyç ku të dëshiron po deshti, por pritshmëritë e mia janë që pasuritë tona kombëtare si Driton Kuka të mos përvetësohen nga asnjë parti politike. Dritoni dhe puna e tij i tejkalojnë të gjitha ato

Ekselencës suaj, Ruairí O'Connell, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar i Ambasadës në Prishtinë

Ekselenca e juaj, do t’ju drejtohem nga pozita e të barabartëve në detyrat tona me të cilat jemi të ngarkuar. Për dallim nga ju, i cili jeni i emëruar, unë jam ambasador i vetemëruar dhe i vetëngarkuar i Republikës së Kosovës në Facebook.

Më lejoni që t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë për përkushtimin tuaj në detyrën e juaj dhe në promovimin e vlerave të kulturës britanike dhe në përforcimin e urave të miqësive tona thellë të etabluara shekullore.

Ana e jonë e urës ka nevojë për riparime imediate. Nuk e besoj se ju dyshoni në sinqeritetin dhe respektin e miqësisë sonë ndaj kombit dhe shtetit tuaj, por ne kemi probleme në këtë anën tonë të urës, e cila neve na shërben edhe përbrenda për tejkalimin e problemeve ditore me të cilat një shoqëri mund të ballafaqohet. Ne si shoqëri gjatë viteve e lejuam që bazamenti i asaj ure të na lëkundet.

Tani në sytë e një kosovari të rëndomtë kjo "urë" është shqyrtim i mundësisë se si të iket nga ky vend ose si të hidhesh nga ajo "urë" poshtë dhe t’i "tejkalosh" të gjitha brengat dhe problemet të cilat jeta na i ka përplasur fytyrës.

Këshillat e juaja prej një miku të sinqertë të Kosovës se si të ndërtonim një shoqëri demokratike nuk munguan asnjëherë, ju shkuat edhe përtej këshillave, ndihmuat edhe në praktikë dhe ishit thellësisht të interesuar dhe të përfshirë në sqarimin tuaj prej diplomati se ana e urës sonë këtej ishte e korruptuar, dhe si e tillë në afate të mesme dhe afate të gjata ajo urë nuk do të dërgonte dhe lidhte me asgjë, pos me theqafje kolektive shtetërore.

Ekselenca e juaj, më lejoni që gjatë drejtimit ndaj jush me anë të kësaj letre të mos përdori gjuhë strikte diplomatike dhe "politikisht korrekte" , pasi që unë e kam këtë komoditet si ambasador i vetëshpallur. Kjo nuk do të thotë se unë jam individ i papërgjegjshëm, e vetmja gjë që nuk e kam është linja e raportimit.

Ashtu sikur që unë jam i vetëdijshëm, po ashtu në atë dijeni jeni edhe ju se Kosova gjendet në udhëkryq të sfidave të mëdha pas dy dekadash të abuzimeve me themelet e urës, me gënjeshtrat, papërgjegjësitë, korrupsionin, nepotizmin dhe klientelizmin e instaluar nga partitë politike, të cilat udhëhoqën me politikën kosovare të dy dekadave të fundit. E kjo gjë u degradua edhe më shumë që nga pavarësimi i Kosovës e këtej.

Është momenti i fundit që shoqëria kosovare të zgjohet nga kjo letargji e cila e ka kapluar, e nga kjo letargji ajo nuk është e vetëdijshme për hemorragjinë të cilën është duke e pësuar demokracia si pasojë.

Hemorragjia e demokracisë e dimë se çka ka si epilog, e një të tillë nuk e dëshironi as ju si mik i yni i sinqertë çfarë jeni, nuk e dëshiroj as unë, dhe sigurisht se nuk e dëshirojnë as qindra e mijëra banorë dhe qytetarë të sinqertë të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e një vendi në një krahasim mjekësor do të paraqiste zemrën e një organizmi. Puna e zemrës është që të ushqejë me gjak të gjitha organet dhe pjesët e trupit. Kohë pas kohe në organizëm mund të paraqiten sëmundje, të cilat pengojnë furnizimin e të gjitha pjesëve të trupit dhe organeve me gjakun e nevojshëm dhe të shëndoshë siç janë diabeti, kolesteroli i shtuar në gjak, pastaj sëmundjet vaskulare presidenciale, më fal gabim shtypi peripherale, osteomyelitis (infeksion i eshtrave) etj. e të gjitha këto mund të dërgojnë deri te amputimi i ndonjërës prej pjesëve apo gjymtyrëve të trupit.

Kushtetuta e Kosovës është shkelur vazhdimisht me qëllime meskine të një individi të caktuar për ta shpëtuar lëkurën e tij të gjarprit që të mos zhvishet nga një gjykatë, e cila kur u formua, u formua enkas për të "bërat" e tij. E ai prapa skenash sigurisht se e ka edhe ndonjë "përkrahje" dhe sugjerim të ndërkombëtarëve se si të veprojë në hapat e mëtutjeshëm po qe se dëshiron që ta shpëtojë lëkurën e tij.

Këtë e them unë, pasi që, siç ju thashë, e kam komoditetin si ambasador i vetëshpallur duke mos e shkaktuar asnjë skandal diplomatik me këtë gjë.

Diçka tjetër e gënjente popullin për bisedimet me Serbinë, e në fakt krejt për diçka tjetër po negocionte me Serbinë në Bruksel, dhe ky fakt do të duhej të ishte i mjaftueshëm që një politikan i një shoqërie që pretendon të jetë demokratike të shporrej nga politika njëherë e përgjithmonë. Ish-bashkëpartiakët e tij asnjëherë nuk u distancuan nga veprimet dhe qëndrimet e tij antikushtetuese dhe pa mandat si president i vendit. E si të distancoheshin kur ai së bashku me ta e instaluan klientelizmin partiak në secilën pore të kësaj shoqërisë sonë. E nxjerr një kashtë, dalin gjashtë.

E pikërisht ai dhe shumë bashkëpartiakë të tij janë kanceri i metastazuar i kësaj shoqërie tash e 20 vjet të pasluftës. Paksa vonë për kimioterapi, por ka ardhur koha e amputimit të asaj pjese të sëmurë të organizmit. Shpresoj që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të duheshin që të mbaheshin së shpejti sovrani të japë verdiktin e tij të duhur dhe kancerin e metastazuar të kësaj shoqërie ta dërgojë në pakthim.

Pafytyrësia e politikanëve vendorë tashmë e ka tejkaluar shabllonin e rëndomtë për t’i gënjyer qytetarët e tyre në mënyrat më të paskrupullta të mundshme dhe fare duke mos u skuqur për atë gjë. Pafytyrësia e tyre tani e ka arritur nivelin tjetër të arrogancës së tyre, kur ata mendojnë se edhe me përfaqësuesit diplomatikë të shteteve tona mike mund të sillen në mënyrë të njëjtë të paskrupullt dhe të vazhdojnë të bëjnë fushatë zgjedhore tashmë në kurriz të diplomatëve të huaj dhe duke gënjyer në emër te tyre.

Ironia më e madhe qëndron në faktin se këta njerëz mbajnë poste të larta zyrtare dhe paguhen majm nga paratë e taksapaguesit kosovar.

Mirëpo një pafytyrësi e pjekur qe 20 vjet dhe një "afërsi" me popullin vetëm me rastin e vjeljeve të votave gjatë fushatave zgjedhore, me premtime boshe dhe megalomane e aspak që përkasin me realitetin e kanë sjellë injorancën e përmasave të tilla dhe papërgjegjësinë totale për fjalën publike, përgjegjësinë publike dhe llogaridhënien. Sistemi i “çeqeve dhe balancave" në shoqërinë kosovare është totalisht jofunksional. Çeqet janë pa mbulesë e si të tilla as nuk kanë se si të balancohen në fund. Por edhe për mosbarazim të tyre askush nuk po jep kurrfarë përgjegjësie të asnjë natyre. Këto thënie i kam huazuar nga terminologjia politike britanike me të cilat ju, ekselenca juaj, jeni shumë mirë të njoftuar.

Kjo Kosovë e këtillë nuk ishte as ideali e as ëndrra e mijëra viktimave të luftës që e lamë pas, prej ku falë intervenimit të miqve tanë dolëm fitimtarë.

Secili politikan kosovar gjatë këtyre 20 vjetëve u shndërrua në milioner. Aty mund të ketë ndonjë përjashtim aty-këtu, por pjesa më e madhe e tyre u shndërruan në milionerë brenda kohës shumë të shkurtër. Ato pasuri mund të shihen edhe në deklarimet e tyre të pasurisë, e që sigurisht paraqesin vetëm një pjesë simbolike të tyre nga ajo çka ata në fakt disponojnë realisht.

Ekselenca e juaj, secili qytetar i Kosovës është i vetëdijshëm dhe në dijeni të gjithë asaj që ndodh tek ne. Shumica nuk guxojnë të shprehen lirshëm për arsye të kërcënimeve me humbje të vendeve të tyre të punës apo të të afërmeve të tyre. Unë pranoj shumë mesazhe private në përkrahje të mendimeve që unë i shpreh lirshëm dhe ku kritikoj padrejtësitë e politikanëve kosovarë dhe dukuritë negative të shoqërisë sonë, si pasojë e politikave të gabuara dhe të korruptuara.

Mirëpo unë ende nuk e kam humbur plotësisht besimin në popullin tim. Ne disponojmë me individë fantastikë, të cilët janë në gjendje të krijojnë mrekulli për vete, për shtetin dhe kombin. Mirëpo si të krijojmë një shoqëri ku individëve të tillë do t’ua shtojë mundësitë e fushëveprimit, t’ua plotësojë kushtet, nevojat dhe t’ua mësojë etikën, përgjegjësinë shoqërore dhe individuale, si dhe punën ekipore për të mirën e gjithëmbarshme kolektive.

Ekselenca e juaj, unë gjithashtu jam i sigurt se as ju nuk e keni humbur plotësisht besimin tuaj në energjinë që ky popull i ri evropian e mbërthen në vete. Ne ende kemi shumë potencial edhe për shumë Rita Ora, Dua Lipa, Majlinda Kelmendi, Era Istrefi, Bebe Rexha, Xherdan Shaqiri, Granit Gjaka, e shumë e shumë talentë të tjerë nga shumë lëmenj të tjerë e që do të vijnë nga Kosova e vogël evropiane. Ky është vetëm fillimi ynë. Ne edhe më parë gjatë historisë kemi ditur që të ngrihemi nga hiri ynë si Feniksi dhe të ngremë flatrat tona lart dhe të fluturojmë me mburrje.

Mik i imi i nderuar, ekselenca e juaj, më lejoni që në fund të letrës sime edhe një herë t'ju falënderoj dhe përgëzoj publikisht për çdo gjë që ju e bëtë për popullin dhe për dy vendet e mia, Kosovën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Juve ju dëshiroj shumë shëndet dhe suksese ne rrugëtimin e juaj të mëtutjeshëm diplomatik.

Përzemërsisht,

Ambasadori i Kosovës në Facebook

Asdren Rrahmani

P. S. Ramush, bre burrë, na u prezantove si politikan i sporteve të ronda. Pse, bre burrë, e le Driton Kukën me t’u bashkangjit në parti? Ai i ka tejkalu pritshmëritë dhe obligimet ndaj shtetit. Unë e di se Dritoni ka të drejtë me u kyç ku të dëshiron po deshti, por pritshmëritë e mia janë që pasuritë tona kombëtare si Driton Kuka të mos përvetësohen nga asnjë parti politike. Dritoni dhe puna e tij i tejkalojnë të gjitha ato.