OpEd

Në pritje të LDK-së

Zgjedhjet në ardhje mbase edhe nuk do të jenë zgjidhje për gjithë këto probleme që na kanë kapluar, porse përfundimisht do të jenë fundi i legjislaturës më të keqe që ka pasur Kosova ndonjëherë. E mbase do ta shënojnë edhe fundin e marrëzisë së quajtur Qeveri me gjithë ata ministra, zëvendësministra, koordinatorë, këshilltarë, asistentë e çkamos tjetër, që në dy vjetët e fundit e kanë përfaqësuar simbolin më të shëmtuar të Kosovës: shtet i çorganizuar, i çoroditur, i papërgjegjshëm dhe shtet hajgare

Lajmi i javës pa dyshim është mosvazhdimi i kontratës ndërmjet “Valës” dhe operatorit virtual “Z-Mobile”, një nga skemat më të shëmtuara të shkatërrimit të publikes në favor të interesave private.

Para dhjetë vjetësh, kur ishte krijuar kjo skemë, gazeta kishte pasur një seri shkrimesh që alarmonin për një kontratë pa asnjë fije logjike, as ekonomike e as kurrfarë. Hulumtimi solli nisjen e hetimeve dhe marrjen në pyetje të njerëzve të përfshirë. Porse, nuk pati asnjë efekt tjetër, pos vazhdimit të zbatimit të një kontrate që e ka dëmtuar seriozisht stabilitetin financiar të, dikur, kompanisë së vetme fitimprurëse publike në Kosovë.

Se çfarë do të ndodhë tutje me këtë raport "afarist", mbetet të shihet. Porse bëhet fjalë për 300 mijë numra telefonikë, të cilët “Vala” i kërkon t'i kthehen prapa; për një proces arbitrazhi i cili kërkon që “Vala” t'i paguajë shumë milionë euro dëmshpërblim për mosrespektim kontrate dhe eventualisht edhe një procedurë arbitrazhi për mosvazhdimin e kësaj kontrate. Ajo që mbetet ende e paqartë apo së paku nuk është bërë e qartë krejtësisht, është se sa milionë euro i ka humbur “Vala” nga e gjithë kjo skemë. Për pasojë, edhe sa milionë dividendë, që do të duheshin derdhur në buxhetin e Kosovës, kanë mbetur të paarkëtuar.

Ndërkohë

Dhe derisa sindikalistët e “Valës” po i gëzoheshin vendimit të Bordit për mosvazhdimin e kontratës së lartpërmendur, megjithatë pas mbetet një problem shumë serioz në atë ndërmarrje që askush nuk e përmendi - dhe ky është mbipopullimi i ndërmarrjes me kushërinjtë e politikanëve, sidomos në gjashtë muajt e fundit.

Problem i kompanisë nuk është vetëm dëmi i shkaktuar nga kontrata e moçme me “Dardafonin”, por edhe punësimi masiv i njerëzve pa të cilët mundet, por të cilët për shkak të afërsisë me politikën ia kanë gjetur vetes një rrogë, pavarësisht se nuk kanë zyrë e nuk kanë punë me çka me u marrë. Pa u pastruar kompania nga "suficiti i punëtorëve", zor se do të vijë në vete.

E, nga ana tjetër, problem vazhdon të jetë situata e krijuar pas dorëheqjes së parevokueshme të Haradinajt dhe zbrazëtirës kushtetuese që po lejon një sërë interpretimesh, si dhe humbjen e pakufi të kohës. Kjo e fundit për kinse konsultime me partitë politike se çfarë duhet bërë në situatën kur nuk dihet se a duhen njerëzit e mbledhur në ekzekutiv t'i lëshojnë zyrat dhe krejt beneficionet që i gëzojnë, apo të vazhdojnë të shtiren thuajse asgjë nuk po ndodh.

Tashmë është e ditur që mjeshtri i zvarritjeve është Thaçi, të cilit nuk i bëhet vonë, dhe i cili, edhe pse e ka mundësinë kushtetuese t'i drejtohet Kushtetueses që ta sqarojë situatën e krijuar, këtë nuk e bën me qëllim. Për shkak se do që të fitojë kohë për PDK-në, e cila me gjithë nisjen e fushatës para ca muajsh duket se nuk qëndron mirë me sondazhe.

Që të gjithë i kanë sytë e kthyer nga LDK-ja, e cila sot do të vendosë se kush do të jetë kryetari i saj në mandatin e ardhshëm. Shumë demokratike me emër, fare jotransparente me veprime, me arsyetimin se këto i kufizon statuti i partisë, zgjedhja do të ndodhë pa ditur nëse do të ketë më shumë kandidatë dhe se nëse do të mundë të ndodhte edhe një kuvend i karrigeve, ku partia do të ndahet përsëri.

Po qe se edhe ndodh ndarja e re, nuk do të jetë kjo hera e parë për këtë parti. Tashmë kjo i ka ndodhur nja tri a katër herë deri tash, dhe nuk është se e ka dëmtuar shumë. Për më tepër, i ka shërbyer për "dëlirje" dhe eventualisht për inkorporim të njerëzve të rinj. Ajo që ka dëshmuar përvoja e fraksionimit të LDK-së është se fraksionet kryesisht kanë dështuar (në fakt fraksionet edhe nëpër botë zor se kanë pasur ndonjëherë sukses).

E nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptuar se përse LDK-ja u ka mbijetuar copëtimeve të brendshme: një, për shkak se e kanë mbajtur strukturën e organizimit që nga koha e ish-Lidhjes Socialiste nga sistemi i kaluar, që në bllok qe shndërruar në anëtarësinë e parë të LDK-së; një kohë të gjatë ka kontrolluar fondin e 3% që i ka mundësuar mbijetesë, për shkak se partitë nuk mund të mbahen pa para, dhe tre, struktura udhëheqëse e kësaj partie ka shumë vjet që pëson ndryshime kozmetike - pra janë njerëz të regjur për t'i ruajtur pozitat e tyre. E për t'i ruajtur pozitat e tyre, e për t'u bërë edhe me pushtet, janë të gatshëm të hyjnë në koalicione me PDK-në, në emër të "interesit të shtetit".

Kalkulimi

E pra, pavarësisht se kush do të dalë fitues i zgjedhjeve të brendshme në LDK, duket se zgjedhjet janë të pashmangshme.

Edhe pse në teori PDK-ja, LDK-ja, Srpska dhe pakicat e tjera i kanë 64 mandate, është vështirë e besueshme se të gjithë deputetët e LDK-së do të pranonin ta votonin një koalicion të ri me PDK-në. Mjafton që katër të mos votojnë e që mandatari i ri eventual të mos votohet.

Nëse duhet mbështetur mbi atë që e kanë deklaruar liderët, madje edhe të partive në pushtet, të gjithë do të donin të shkonin në zgjedhje. Pra, parimisht, askush nuk është në favor të formimit të një qeverie të re, që me gjasë do të ketë probleme numrash në Kuvend.

Për pasojë, ajo që po pritet është të shihet se kush po del fitues në LDK, për të përcaktuar se cilat do të jenë koalicionet parazgjedhore. Kjo, po qe se do të ketë të tilla, duke e marrë parasysh përvojën aspak etike që partitë e dëshmuan në gjithë këto vite. Apo nëse partitë do të vendosin që të gjitha të garojnë veç e veç, ashtu që pastaj të lihet hapësira për koalicione paszgjedhore për formimin e qeverisë.

Cilido që të jetë opsioni, një gjë është e sigurt: Kosova hyn sërish në zgjedhje pa e reformuar sistemin e vet zgjedhor, dhe pa e pasur sigurinë nëse lista e votuesve është përditësuar dhe pastruar nga personat që kanë vdekur, porse ende figurojnë në to.

Në pritje

Opsionet për të shkuar në zgjedhje deri dje ishin dy: ose të bëhej përpjekja për emërimin e mandatarit të ri, e që kjo të dështonte, ose që Kuvendi të mblidhej dhe ta shpërbënte veten.

Teknikisht, Kuvendi nuk ka pasur arsye ta priste kryetarin fare për t'ia dhënë mandatin dikujt e që të dalë në votim. Kuvendi ka mundur ta thërriste seancën e jashtëzakonshme dhe ta qiste në rendin e ditës shpërndarjen e vet, madje as pa pasur nevojë që për këtë të pritej veprimi i Kadri Veselit për ta thirrur mbledhjen e Kryesisë. Ky më në fund lëvizi, dhe e thirri mbledhjen e Kryesisë për të hënën që vjen.

Sipas Rregullores, janë edhe deputetët që mund ta nisin kërkesën për seancë, e mjaftojnë 40 sish për këtë punë. E pas, duhen votuar 80 deputetë për ta shpërndarë Kuvendin. Ky votim pasohet nga dekreti i kryetarit, do të duhej ta nënshkruante dekretin që e fuqizon këtë veprim. Nëse aplikohet rregulli sikurse te dekretimi i ligjeve, kryetari do t'i ketë 8 ditë për ta nënshkruar këtë dekret, e po qe se nuk do ta nënshkruante, ai do të hynte në fuqi automatikisht -- sepse qëllojani, edhe në këtë rast Kushtetuta nuk e përcakton afatin për nënshkrimin e këtij dokumenti. Pra, sërish mund t'i shërbejë si argument Thaçit për zvarritje të mëtejme, po qe se ashtu do t'i konvenonte.

Porse në këtë rast, po qe se Kuvendi do të vendoste se nuk do të duhej të vazhdonte punën, e besoj se edhe trysnia ndërkombëtare do të rritej që ky akt të fuqizohej me dekret, ashtu që të shkohet në zgjedhje në afatin sa më optimal.

* * *

Pra, siç e shkrova edhe javën e shkuar, e besoj se zgjedhjet kanë vonim, por jo edhe shpëtim.

Këto zgjedhje mbase edhe nuk do të jenë zgjidhje për gjithë këto probleme që na kanë kapluar, porse përfundimisht do të jenë fundi i legjislaturës më të keqe që ka pasur Kosova ndonjëherë. E mbase do ta shënojnë edhe fundin e marrëzisë së quajtur Qeveri me gjithë ata ministra, zëvendësministra, koordinatorë, këshilltarë, asistentë e çkamos tjetër, që në dy vjetët e fundit e kanë përfaqësuar simbolin më të shëmtuar të Kosovës: shtet i çorganizuar, i çoroditur, i papërgjegjshëm dhe shtet hajgare.

Nëse ende besojmë se jemi shtet dhe se do të bëhemi shtet stabil, ky është çasti i fundit që ndryshimi i madh të ndodhë. Pa të nuk do të dalim nga shtegu i rrugës qorre në të cilën jemi futur.

flaka@koha.net