OpEd

Një shoshë kushtetuese

Nuk po e di a kanë qenë pushtetarët tanë aq të mençur sa për t'i lënë qëllimisht të gjitha këto zbrazëtira në Kushtetutë, pa u munduar t'i plotësojnë me ligjet dhe rregulloret përkatëse, ashtu që më pas t'ua shohin hairin me situata si kjo që po na ndodh tash. Apo nuk kanë ditur më mirë se kaq, duke menduar se secila gjë në këtë vend mund të improvizohet ashtu që t'iu shkojë për shtat.

Nuk e di nëse njerëzit që e kanë udhëhequr këtë shtet që nga fundi i luftës, e në veçanti pas shpalljes së Pavarësisë, janë jashtëzakonisht të mençur dhe dinakë, apo janë aq injorantë, saqë nuk i kuptojnë bazat e ndërtimit të një shteti funksional.

Është hera e dytë në më pak se pesë vjet që na ndodh të mos dimë as ta kuptojmë e as ta interpretojmë Aktin më të Lartë Juridik, i cili edhe normalisht nuk do të duhej t'i përfshinte të gjitha procedurat, por që do të duhej të shërbente që ato të plotësoheshin me akte ligjore dhe rregullore.

Mst: Interpretimet sipas nevojës

E fakti është se Kushtetuta jonë përcillet nga interpretimet e kohëpaskohshme që u bën Kushtetuesja neneve të saj dhe nga mungesa e përhershme e akteve përcjellëse që i sqarojnë procedurat.

Kështu kemi ardhur në situatën kur nevojitet një interpretim që duhet ta japë Kushtetuesja, porse duket se nuk ka kush t’i drejtohet (për interes apo për mungesë kompetencash). Herën e parë Jahjaga shërbeu si mashë e PDK-së. Kësaj radhe PDK-ja me Thaçin në krye duket të mos jetë e interesuar për interpretim nga Kushtetuesja.

Më 2014, falë një interpretimi jo fort të shëndoshë të Gjykatës Kushtetuese, u krijua bllokada institucionale për shkak se, sipas saj, Qeverinë mund ta formonte vetëm partia që kishte fituar numrin më të madh të vendeve në Kuvend, ani që nuk e kishte shumicën absolute. Shtonte tutje se nëse dështon në rundin e parë, mandati sërish t'i jepej po kësaj partie për ta krijuar Qeverinë. Dhe po qe se dështonte, shkohej në zgjedhje.

Herën e dytë po na ndodh që nga java e shkuar. Haradinaj dha dorëheqjen dhe me këtë akt ra edhe Qeveria. Kushtetuta thotë se në këtë rast kryetari duhet ta caktojë mandatarin e ri. Por nuk e përcakton as afatin, e as procedurën. Për më tepër, nuk thotë se çfarë ndodh kur bie Qeveria: nëse nuk ekziston më; nëse është në dorëheqje; nëse është në detyrë; nëse është transitore deri në zgjedhje, apo çka. Dhe në mungesë të definicionit të qartë, tash secili vepron ashtu siç ia merr mendja.

Haradinaj, i dorëhequr, dhe që e quan veten ish-kryeministër, e thirri një mbledhje të Qeverisë dje, që dështoi të mbahej, për shkak se ministrat e koalicionit të tij refuzonin të merrnin pjesë aktivisht në të. Me të dalë nga mbledhja e komunikoi atë që e kishte thënë brenda: se do t'i drejtohej Kushtetueses për interpretim.

Po qe se Kushtetuesja vlerëson se ai nuk e ka këtë kompetencë për shkak se është i dorëhequr apo është ish-kryeministër, atëherë del e qartë se Kosova nuk ka Qeveri. As të dorëhequr, as në detyrë, as hiç.

Mst: Problemi mbetet

Në këtë rast pra, problemi nuk zgjidhet. Përkundrazi. Vazhdon të mos dihen afatet brenda të cilave kryetari duhet ta caktojë mandatarin e ri. Vazhdon të ekzistojë dilema po qe se duhen konsumuar afatet që i përcakton Kushtetuta për caktimin e mandatarit menjëherë pas zgjedhjeve dhe konstituimit të Kuvendit (10+15 ditë për përpjekjen e parë dhe 10+15 për të dytën), që do të duhej të ishin afatet e logjikshme në mungesë të dispozitave të qarta që do ta rregullonin këtë çështje me Ligjin për Qeverinë dhe Rregulloren e Punës së Qeverisë, për shembull. E pa iu qasur Kushtetueses, kjo përgjigje nuk do të vijë vetë. Do të vijë e interpretuar sipas kutit të Thaçit, që krejt çfarë pati me na thënë pas dorëheqjes së Haradinajt qe një deklaratë koti pa përmbajtje.

Pra, pa kërkuar dikush një interpretim të Kushtetutës pas gjendjes së krijuar, nuk do ta kemi të qartë se si duhet menaxhuar këtë çështje, po qe se na ndodh, ta zëmë, sërish pas disa muajsh me një qeveri tjetër.

Ndërkohë, këtë vakuum po e shfrytëzon mjeshtri i mjegullës, Hashim Thaçi, i cili për javën tjetër ka paralajmëruar mbledhjen me përfaqësuesit e partive politike, për të parë se si duhet shkuar tutje. Me sa po kuptohet nga deklaratat e disa nga përfaqësuesit e partive, mbase mbledhja do të mundë të dështojë, ngase mund të ndodhë që partitë opozitare të mos shfaqen në atë mbledhje.

Por, sido që të jetë, me apo pa ato parti, askush nuk e ndal Thaçin që ta emërojë mandatarin e ri, e që ky person t'i nënshtrohet votimit në Kuvend. E sipas formulimit të pikës 5 të nenit 95 të Kushtetutës, kryetari ka për obligim ta caktojë një mandatar. Por, siç e thamë tashmë, nuk thuhet as kur e as brenda cilit afat duhet të konsumohet procedura.

Kuvendi, nga ana tjetër, ka për detyrim që të caktojë seancë për votimin e mandatarit të ri - dhe në mungesë qartësie, meqë askund nuk shkruan, mund ta konsiderojë të konsumuar votimin, i cili me shumë gjasë do të jetë i dështuar, dhe të thërrasë seancë tjetër, në të cilën do ta votojë shpërbërjen e vet me 80 vota.

Mst: Blerje kohe

Dhe pikërisht është dështimi i zgjedhjes së kryeministrit të ri ajo që PDK-ja po kërkon të shmangë.

E sa është evidente kjo e dëshmojnë deklaratat dhe polemikat gjatë dhe pas mbledhjes së Qeverisë: se KQZ-ja nuk ka mjete të ndara për t'i organizuar zgjedhjet e reja, pra për pasojë, meqë Qeveria nuk mund të marrë vendime për shkak të bojkotit të brendshëm më parë se për shkak të mosdefinimit të qartë kushtetues, duhet bërë gjithçka që Qeveria ta vazhdojë mandatin disi, dhe ta votojë buxhetin kur t'i vijë radha miratimit të Ligjit për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Ekziston një mundësi e sigurimit të mjeteve për zgjedhje: dhe kjo është që KQZ-ja t'i drejtohet ministrit të Financave për të kërkuar mjete, pasi të jenë shpallur zgjedhjet. Por problemi vazhdon të mbetet i njëjti: nuk e dimë nëse ky ministër është i "ramë", i dorëhequr, në detyrë, apo transitor, sepse vazhdojmë të mos e dimë statusin e kësaj Qeverie. Unë e besoj se edhe Qeveria që ka rënë, do të duhej të kishte fuqi të ushtrimit të detyrës ekzekutive për situata siç është kjo e buxhetit për zgjedhje, por jo edhe fuqinë për të miratuar buxhet apo miratuar ligje e vendime, apo për të lidhur kontrata të shtrenjta. Një saktësim nga Kushtetuesja do të ndihmonte shumë.

Ajo që duket se po vërehet se nga po shkon lëvizja politike këto ditë, është se Thaçi e Veseli janë në pritje të zgjedhjeve qendrore në LDK. Të shtunën që vjen, LDK-ja zgjedh kryetarin e ri. Me sa di, ende nuk po e kemi të qartë se si do të votohet dhe se kush do të jenë kandidatët që do të garojnë për kryetar partie. Nuk është e qartë po qe se Mustafa ka vendosur të tërhiqet nga partia, edhe për shkak të gjendjes shëndetësore, apo edhe për shkak se tashmë e ka zgjedhur kandidatin që do të mundë t'i sigurohej fitorja për ta mbrojtur "linjën" e tij.

Sepse, në teori, po qe se fitues do të dilte dikush si Lutfi Haziri, mund të ndodhë që të mos ketë zgjedhje, dhe që për të tretën herë do të mundë të llogarisnim në koalicionin PDK-LDK (me një kiamet partish të vogla, plus Lista Srpska = pra me votat që do të mjaftonin për votimin e Qeverisë). Ani pse është vështirë e besueshme që të gjithë deputetët e LDK-së do ta pranonin një opsion të këtillë.

Është gjithashtu shumë vështirë e besueshme se mandati do t'i ofrohej dikujt nga opozita (si opsion, meqë nuk po e dimë qartë se çfarë do të mendonte Kushtetuesja për këtë çështje), sepse e besoj se për Thaçin nuk është opsion që PDK-në ta qesë në opozitë në dy vjetët e ardhshëm me dorë të veten.

* * *

Duke iu kthyer paragrafit të parë të kësaj kolumne -- nuk po e di a kanë qenë pushtetarët tanë aq të mençur sa për t'i lënë qëllimisht të gjitha këto zbrazëtira në Kushtetutë, pa u munduar t'i plotësojnë me ligjet dhe rregulloret përkatëse, ashtu që më pas t'ua shohin hairin me situata si kjo që po na ndodh tash. Apo nuk kanë ditur më mirë se kaq, duke menduar se secila gjë në këtë vend mund të improvizohet ashtu që t'iu shkojë për shtat.

Sido që të jetë, duket se zgjedhjet nuk kanë shpëtim, por vetëm vonim. Se përse gjithë ky interes për të fituar kohë në një situatë kur absolutisht asnjë gjë nuk funksionon si duhet në këtë shtet, mbase do ta marrim vesh shpejt.

Porse ajo që përherë do të mbetet e paqartë është se si është e mundur që i gjithë një popull të jetë aq apatik dhe të rrijë e të shikojë seri, thuajse i gjithë ky lëmsh po ndodh diku larg e jo para hundëve të të gjithëve.

flaka@koha.net