OpEd

A do të mundë të godasin demokratët

Numri pashembullt i lartë i kandidatëve – 25, së paku në numërimin e fundit – për nominimin demokrat për ta sfiduar presidentin amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet e 2020-s ka prodhuar një hapje të pakëndshme të garës. Numri i garuesve do të bjerë meqë kualifikimet për pjesëmarrje në debatet partiake tkurret (sidomos në shtator) dhe disa ngelin pa para. Disa e dinë se nuk kanë shanse reale për të fituar, por shpresojnë se duke u bërë më të njohur mund ta përfitojnë ndonjë post në kabinet, ujdi më të majme për shkrim librash apo paga më të mëdha për fjalime.

Vëzhguesit politikë më me përvojë kanë vlerësuar se demokratët mund ta mposhtin Trumpin përderisa nuk lëkunden së tepërmi kah e majta, duke i anashkaluar ata që e mbështetën Barack Obaman dhe pastaj Trumpin, përfshirë punëtorët jakë-blu dhe banorët e periferive që i vendosën zgjedhjet e 2016-s.

Kanë ndodhur momente të ndryshme gjatë dy debateve demokrate, kur mund ta paramendonit Trumpin të qeshej. Dhe tani shumë demokratë janë të dëshpëruar.

Problemi i demokratëve, sidomos në këtë qark zgjedhor, është se votuesit në garën primare (në që të dy partitë) janë të prirë të jenë më ekstrem sesa partitë, si tërësi. Lëkundja e fundit e demokratëve kah e majta ka nisur me sfidën më 2016 të Bernie Sandersit – i cili e quan veten “socialdemokrat” dhe nuk është anëtar i Partisë Demokrate – deri te nominimi i supozuar i Hillary Clintonit. Sandersi, me portretizimin e tij si rebel dhe premtimet surreale (si dhe dobësinë e Clintonit) për pak sa nuk e zhbëri nominimin e saj. Të rinjtë në veçanti e konsideronin atë si figurë ngacmuese anti-establishment.

Senatorja Elizabeth Warren po ngrihej në sondazhe edhe para debateve. Por agjenda e saj e gjerë politike paraqet një hap drejt intervenimit qeveritar në ekonomi dhe aranzhimet e tjera të brendshme; shtimit të trilionë dollarëve, pa një shpjegim të qartë se si do të sigurohet pagesa për to; dhe vështirë se mund të miratohet nga Kongresi (edhe në rast se demokratët e rikthejnë kontrollin në Senat). Asnjëra prej këtyre nuk e kanë hutuar atë, ama teksa ajo po bëhet njëra prej dy a tre kandidatëve kryesorë (duke ia rrëmbyer një hise të mbështetjes Sandersit), këto dobësi pritet që të dalin në sipërfaqe.

Kamala Harris, e lindur nga prindër profesionistë prej Xhamajkës dhe Indisë, është më e kujdesshme sesa Warreni dhe në disa raste, qëndrimet e saj – për shembull, rreth asaj nëse sigurimet private shëndetësore duhet të shfuqizohen – kanë qenë kundërthënëse. Ajo e ndërtoi reputacionin e saj me të qenë prokurore dhe kryeprokurore në Kaliforni, dhe ka rrokur vëmendjen kombëtare duke i shfrytëzuar shkathtësitë e saj si prokurore në seanca dëgjimore, ndonëse jo përherë drejtësisht. Si një prokurore e Kalifornisë, ajo ishte pjesërisht progresive ama ka kërkuar po ashtu dënime të serta dhe raportohet t’i ketë mbajtur të mbyllur disa persona të pafajshëm.

Në të dytin prej debateve demokrate, Harris e vodhi shfaqjen duke e sulmuar ish-nënpresidentin, Joe Biden, në pozitën e kryekandidatit. Duke peshkuar në rrymat e një kundërthënieje nga të ‘70-at, Harris aludoi se ish-senatori i Delawares e kishte kundërshtuar transportimin e mandatuar në nivel federal me autobusë për nxënësit, me qëllim që të krijojë integrim më të madh racor në shkolla. Një sondazh i “Gallup”-it në fillim të të ’70-ave kishte treguar se vetëm 4 për qind e qytetarëve të bardhë dhe 9 për qind e afroamerikanëve e kishin mbështetur programin tejet kundërthënës.

Harrisi, e cila bëri të ditur se si fëmijë ajo kishte marrë pjesë në programin e transportimit me autobusë (ndonëse në atë vullnetar në Berkeley të Kalifornisë), e kombinoi këtë sulm me një deklaratë të dëmtimit personal prej bashkëpunimit të fundit të Bidenit me dy segregacionistë të përbetuar në Senat për të siguruar kalimin e disa pakove ligjore, disa dekada më parë. (Që të dy kishin pozita të pushtetshme në Senat dhe bashkëpunimi me ta i demokratëve që mbështesnin të drejtat civile nuk ishte diçka e pazakontë, ani pse Bideni mund të kishte zgjedhur shembuj më pak famëkeq për të dalë te esenca).

Harrisi u zotua ta prekte mbështetjen e fortë të Bidenit për afroamerikanët, e cila është ndihmuar nga tetë vjetët e tij të kaluar si nënpresident i Barack Obamas. Bideni ishte i papërgatitur kundruall sulmeve dhe kishte vështirësi në dhënien e përgjigjeve. Ai e nënvizoi historikun e tij të majmë për të drejtat civile dhe disa javë më vonë kërkoi falje për faktin se dukej që i mbështeste dy senatorët segregacionistë. Dhe doli se qëndrimi aktual i Harrisit për transportin me autobusë nuk ishte fort ndryshe prej atij të Bidenit. Por sulmi i saj mjaftoi për ta katapultuar atë në krye të sondazheve.

Vëmendja e përqendruar e shtypit te sulmi i planifikuar kaherë i Harrisit ndaj Bidenit – konfrontimet dhe përplasjet (ani pse qartazi të parapërgatitura) kalojnë mirë në ekranet televizive – është një shembull tipik i asaj që tregon se çfarë nuk është në rregull me këto “debate”, të cilat janë një mjet për zgjedhjen e ndonjë kandidati.

Rënia e dukshme e Sandersit në sondazhet e kohëve të fundit – duke u renditur prapa Harrisit dhe Warrenit në disa anketa, si dhe prapa Bidenit – mund t’i atribuohet faktit se veprimi i tij nuk është më i freskët. Ai ende lëngon në premtime dhe ngec në hollësi, ndërsa është akoma idhnak dhe ulëritës. Por, kryesisht, Sandersi nuk është më i rebeluari i vetëm në garë.

Bideni, sidoqoftë, i ka problemet më të mëdha. Para debatit të parë, ai fluturonte rreth 20 pikë përpara rivalëve të tij. Ndonëse kjo mund të ketë qenë kryesisht falë emrit të tij të madh dhe afërsisë evidente me Obaman (i cili vazhdon të jetë tejet neutral), ai është konsideruar si i përhumbur në nostalgji. Ai duket se nuk e kupton se sa shumë kanë ndryshuar politikat amerikane në aspektet e hiper-partizanimit qëkur ai ishte në Senat, para se Partia Republikane t’i kthehej djathtas dhe të bëhej më obstruksioniste.

Për më tepër, Bideni kurrë nuk ka ditur që të bëjë fushatë për presidencë, meqë ka dështuar dy herë. Ai do të mbushë 77 vjeç në nëntor (është tre vjet më i moshuar sesa Trumpi) dhe në mandatin e tij të parë do të jetë 80 vjeç – pra, do të ishte presidenti më i moshuar amerikan në histori.

Dy apo tre të tjerë mbesin si kandidatë bindës demokratë. Aktualisht, joshjen më të madhe duket se e ka Pete Buttigieg, prefekti mbinatyrshëm i mençur 37-vjeçar i Bendit Jugor, në Indiana, një burrë homoseksual që ishte paraqitur vullnetar për të shërbyer në Afganistan.

“Prefekti Pete” ka pasur një ngritje mahnitëse dhe mbetet i dashuri i shumë donatorëve demokratë. Por mu përpara debatit, atij iu desh të konfrontohet me një çështje që i irritonte qytetarët përreth vendit: një polic i bardhë në Bendin Jugor së fundmi ka qëlluar dhe ka vrarë një qytetar të paarmatosur me ngjyrë. Në debat, çështja dukej se po e rrënonte. Dhe ai do të jetë në telashe po qe se nuk arrin ta përthithë mbështetjen e afroamerikanëve, një problem ky të cilin e kishte pasur qysh prej fillimit, ngase si prefekt i ri, ai e kishte shkarkuar një shef policie me ngjyrë në Bendin Jugor.

Me përmbylljen e dy debateve të para, shumë kandidatë demokratë kanë mbështetur propozimet kundërthënëse majtiste, si “Përkujdesja shëndetësore për të gjithë”, e cila mund ta çojë në vdekje sigurimin privat shëndetësor dhe t’i rrisë taksat; t’i dekriminalizojë imigrimin ilegal; mbulimin e imigrantëve pa dokumente në planet qeveritare të përkujdesjes shëndetësore; dhe transportimin me autobusë në shkolla.

Një dilemë e madhe në garën demokrate për nominim është një test i dy atributeve të mëdha: cili kandidat mundë ta mposhtë Trumpin dhe cili po ofron platforma më joshëse për zgjedhësit primarë. Këto nuk janë gjëra të njëjta.

(Elizabeth Drew është gazetare me seli në Washington dhe autore e librit “Washington Journal: Reporting Watergate and Richard Nixon’s Downfall”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)