Pasurimi nga (pa)drejtësia

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 07 July 2019 08:00

Konkursi i fundit për noterë dëshmoi që sikurse sektorët e tjerë publikë, edhe noteria është e kapur nga politika e nepotizmi. Dyshime për keqpërdorime të mëdha ka edhe për profesionin tjetër të lirë, atë të përmbarimit, që aktualisht është bërë edhe më profitabil sesa noteria. Përderisa noteria përfitimet më të mëdha i ka nga nevojat private juridike të qytetarëve, “preja” më e dëshiruar për përmbaruesit privatë janë borxhet e papaguara nga institucionet shtetërore

Të gjithë dëshirojmë të bëhemi të pasur. Është ligj i natyrës që njeriu të përpiqet vazhdimisht të përmirësojë kushtet e jetës dhe të krijojë një të ardhme më të sigurt materiale për veten dhe për pasardhësit. Dikush ja del, dikush jo. Varësisht nga përpjekjet, ambicia dhe vizioni i gjithsecilit për të arritur cakun.

Shtetet e forta, ku respektohen rendi dhe ligji, ua lehtësojnë qytetarëve të vet rrugëtimin drejt pasurimit, duke u krijuar lehtësira e kushte të barabarta të punësimit dhe konkurrencë lojale të ndërmarrësisë.

Në Kosovë, ku sundimi i ligjit është vetëm retorikë boshe e politikanëve dhe e zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë, mundësitë që të pasurohesh shpejt me punë të ndershme dhe duke respektuar ligjin dhe rregullat e biznesit janë të kufizuara. Kjo nga vetë zyrtarët e shtetit të cilët i kanë perfeksionuar metodat e shmangies nga zbatimi i ligjit për të përfituar nga paraja publike. Në radhë të parë për veten dhe familjen e pastaj edhe për politikanët që i kanë sjellë ata nëpër pozita.

Prandaj ata që ia mësyjnë rrugës së ndershme duhet të përgatiten për pengesa të llojllojshme që në start të nisjes së biznesit e deri tek presionet për t’iu paguar haraç zyrtarëve nëse duan që nëpërmjet tenderëve t’ua ofrojnë shërbimet e veta institucioneve publike. Ata që nuk pranojë të luajnë sipas “rregullave paralele” të shtetit nuk do ta arrijnë cakun ose do ta arrijnë me shumë vështirësi. Kështu, shteti ia imponon qytetarit të vet t’i bjerë rrugës “short cut” të pasurimit. Dhe zinxhiri i korrupsionit dhe i përfitimit të paligjshëm pasuror shkon vetëm duke u forcuar.

Dhe sa më shumë para që bëjnë, plaçkitësve të ulur në kolltukët qeveritarë dhe të sistemit të drejtësisë u shtohet uria edhe për më shumë. Nuk pushojnë kurrë së zbuluari rrugë të reja të zaptimit edhe të ndonjë burimi financiar.

Javën e kaluar u shpërfaq nga mediat edhe një herë pangopshmëria e tyre në konkursin për noterë.

Ka rreth shtatë vjet që në Kosovë funksionojnë të ashtuquajturat profesione të lira, si: përmbaruesit, noterët, ndërmjetësuesit e administratorët falimentues. Ato janë themeluar me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë dhe të zgjidhjes së lëndëve të shumta të grumbulluara nëpër gjykata.

Shërbimet publike të cilat i kryenin gjykatat, komunat dhe institucionet e tjera shtetërore tani i kryejnë noterët dhe përmbaruesit. Sado që këto shërbime tani janë më afër qytetarit dhe e kanë përshpejtuar zgjidhjen e kontesteve pronësore e juridike, tarifat e tyre janë shumë të larta për standardin e jetës së shumicës së kosovarëve. Rrjedhimisht edhe përfitimet e ushtruesve të këtyre profesioneve janë të mëdha.

Të rryer në zhvatjen e parasë publike, politikanë e zyrtarë të drejtësisë tani vrapojnë t’u sigurojnë familjarëve të tyre një vend edhe në këtë “krua” të pashtershëm milionash.

Nga 200 kandidatë për noterë që kaluan provimin me shkrim, rreth 60 sish kanë lidhje familjare apo partiake me politikanë dhe zyrtarë institucionesh. Sikur të ishin vetëm gjashtë të tillë në listë, ndoshta edhe do të mundë të besonim se është rastësi. Por shifra dëshmon që sikurse sektorët e tjerë publikë edhe noteria është e kapur nga politika e nepotizmi. Noterët e emëruar nëpërmjet politikës nesër a pasnesër do të detyrohen t’u shërbejnë interesave të po atyre politikanëve apo zyrtarëve që i emëruan. Borxhin do ta lajnë madje edhe duke bërë kompromis me ligjin në dobi të tyre.

Dyshime për keqpërdorime të mëdha ka edhe për profesionin tjetër të lirë, atë të përmbarimit, që aktualisht është bërë edhe më profitabil sesa noteria. Disa prej përmbaruesve, të cilët deri dje mezi mbijetonin me një pagë, si me një shkop magjik u kthyen në milionerë.

Për dallim nga noteria, që përfitimet më të mëdha i ka nga nevojat private juridike të qytetarëve, “preja” më e dëshiruar për përmbaruesit privatë janë bërë borxhet e papaguara të institucioneve shtetërore.

Vonesat e institucioneve publike për t’ua bërë pagesat operatorëve ekonomikë ose autoriteteve ndaj të cilëve kanë borxhe institucionet, qoftë nga neglizhenca, qoftë nga joprofesionalizmi i personelit, shkojnë në dobi të drejtpërdrejtë të përmbaruesve privatë.

Problemet me vonesa të pagesave dhe me humbjen e mijëra eurove nëpërmjet përmbarimit nga institucionet publike i ka evidencuar Zyra Kombëtare e Auditorit.

Proceset e auditimit kanë konstatuar moskoordinim total të institucioneve publike për ekzekutimin e pagesave për urdhrat përmbarimorë.

Skandalet e shpeshta qeveritare lidhur me keqpërdorimin e parasë publike nxisin dyshime që zyrtarë qeveritarë të lidhur me operatorë privatë dhe me përmbarues abuzojnë me procesin e përmbarimit, duke i vonuar qëllimshëm pagesat, në mënyrë që të rritet borxhi nëpërmjet kamatës dhe fitimet më pas të ndahen në trekëndëshin politika-biznesi-përmbaruesi.

Përderisa politika vazhdon të përzihet në emërimin e noterëve dhe të përmbaruesve, dhe ushtruesit e këtyre profesioneve nuk zgjidhen në bazë të meritokracisë, edhe në këtë sektor publik do të vazhdojë të lulëzojë korrupsioni, ndërsa siguria juridike e qytetarëve do t’i ekspozohet rrezikut të vazhdueshëm.

Ministria e Drejtësisë, si institucion mbikëqyrës i përmbaruesve dhe i noterëve, duhet të intervenojë sa më shpejt dhe të vërë nën kontroll të rreptë funksionimin e tyre. Mund t’ia fillojë me konkursin e fundit për noterë. Mbasi treguan paaftësi në sigurimin e një procesi të pastër dhe të pandikuar në vlerësimin e kandidatëve, le t’ua lënë mbikëqyrjen e procesit përfaqësuesve nga Ambasada britanike dhe ajo amerikane. Ata sot janë gardianët më të besueshëm në Kosovë të rregullsisë dhe korrektësisë në proceset e përzgjedhjes dhe emërimit të zyrtarëve nëpër institucione.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti