Borë në Sarajevë

Enver Robelli Enver Robelli 04 July 2019 08:27

Shkrimtari i madh turk Orhan Pamuk ka vizituar kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës - për disa arsye: për të parë një shfaqje që bazohet në një roman të tij (regjisori është me origjinë shqiptare), për të vizituar një muze lufte dhe për të thënë disa fjalë për padishahun Rexhep Taip Erdoan.

Vitin e kaluar dështoi vizita e Orhan Pamukut në Sarajevë. Më parë autoritetet e kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës kishin vendosur që shkrimtarin e famshëm turk ta shpallnin qytetar nderi. Pak kohë pasi lajmi u bë publik, ceremonia dhe vendimi u anuluan me gjasë për shkak të presionit politik nga Partia e Aksionit Demokratik (SDA), partia kryesore e boshnjakëve, e cila frikësohej se nderimi i Pamukut në Sarajevë do ta zemëronte sulltanin Rexhep Taip Erdoan në Stamboll. Pamuk është kritik i ashpër i regjimit të Erdoanit. Laureati i çmimit Nobel thotë se në Turqi nuk ka liri të shprehjes: “Ne me shpejtësi të madhe po lëvizim nga shteti ligjor drejt një regjimi të terrorit”.

Tani Orhan Pamuk e ka realizuar, më në fund, vizitën në Sarajevë. Për disa arsye. Kryesorja ishte kjo: regjisori Dino Mustafiq, familja e të cilit është me origjinë shqiptare nga Gostivari i Maqedonisë, ka vënë në skenë romanin “Bora” të Orhan Pamukut. Kjo është një vepër shumë komplekse, ku përzihen feja dhe keqpërdorimi i saj, jeta në provincë dhe emigracion, luhatja e shoqërisë turke mes botës moderne dhe asaj konservatore. Natyrisht, si në pothuajse çdo vepër të Pamukut, edhe te “Bora” rrëfimi ndërtohet e sillet rreth një historie të dashurisë. Romani, sipas Dino Mustafiqit, tregon se çfarë bën vaki kur feja ideologjizohet. Në shfaqje morën pjesë të gjithë ata që në Sarajevë kanë emër e rang - personalitete nga bota e kulturës, politikanë, diplomatë.

Në Sarajevë Pamuk vizitoi Muzeun e fëmijërisë së kaluar në luftë (Muzej ratnog djetinjstva), i cili është hapur në janar të vitit 2017. Në të prezantohet koleksioni i gjësendeve personale, rrëfimeve, audio-incizimeve dhe dokumenteve të tjera që ilustrojnë përvojën e të rriturit në luftë. Pamuk u shpreh i kënaqur që ekziston ky muze dhe premtoi ndihmën e tij. Jasminka Haliloviq, e cila e ka themeluar muzeun, tha se është inspiruar mjaft nga Muzeu i Pafajësisë, të cilin e ka hapur Pamuk në Stamboll më 2012. Muzeu i Pafajësisë më 2014 fitoi çmimin e muzeut evropian, ndërsa Muzeu i fëmijërisë së kaluar në luftë në Sarajevë më 2018 u shpërblye me çmimin për muze të Këshillit të Evropës.

Edhe në Sarajevë politika ishte e pashmangshme për Orhan Pamukun. Më saktë: politika turke. Edhe më saktë: politika represive turke e personifikuar nga Rexhep Taip Erdoani, i cili sapo ka pësuar disfatën më të rëndë të karrierës së tij politike - aty ku Erdoan e nisi rrugëtimin politik, në Stamboll, sulltani i ri duhet të pajtohet me faktin se kryetar i mega-metropolit tani do të jetë socialdemokrati Ekrem Imamollu. Në një bisedë për Al-Jazeera Balkans Pamuk tha: “Nganjëherë zemërimi të ndihmon. Ju ndieni se po ndodhin gjëra të tmerrshme, dhe ato kanë ndodhur. I anuluan zgjedhjet në Stamboll, por qytetarët turq kundërgoditën dhe ia dhanë një shuplakë të mirë Qeverisë. Tash s'mund të mashtroni dhe vidhni votat. Për fat të keq, kjo qeveri po sillet shumë keq. Nuk i respekton Kushtetutën dhe ligjet. Po e rrezikon miqësinë me shtetet e Evropës dhe Turqia po izolohet. Jam shumë i lumtur për shkak të rezultateve në zgjedhjet e së dielës në Stamboll”.

Pamuk u ankua për presionin e madh ndaj kritikëve të regjimit të Erdoanit. Sipas tij, në Turqi artistët dhe gazetarët nuk janë të lirë. Erdoani e ka orientuar shtetin në atë mënyrë, saqë nuk u lejon hapësirë të thonë mendimin e tyre të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. “Por zgjedhjet lokale treguan se Turqia dalëngadalë po kthehet në shtigjet e vjetra të lavdisë. Më në fund e kthyem Stambollin. Fituam në Stamboll”.

Vizita e Pamukut në Sarajevë nuk kaloi pa disa mendime edhe për kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës. “Të gjithë ne dimë shumë gjëra për Sarajevën në radhë të parë krahas librave shkollorë. Të gjithë e dimë se osmanët sunduan këto treva dhe për këtë kam mësuar shumë në gjimnaz. Pastaj turqit, përfshirë edhe mua, dinë për Sarajevën nga atentati mbi Franz Ferdinandin dhe gruan e tij Sofinë. Pastaj mbi horrorin e viteve '90 dhe gjenocidin e tmerrshëm. Mund të them se në Evropë Sarajeva është vend unik. Kur kam qenë për herë të parë në Sarajevë ende mbretëronte atmosferë lufte, tani situata është më ndryshe, më e freskët”.

Në një bashkëbisedim me publikun e Sarajevës në Shtëpinë e Armatës, Pamuk tha se portretet që shkrimtari Ivo Andriq ua ka bërë myslimanëve janë të ilustruara në mënyrë objektive. Me këtë mendim sigurisht nuk pajtohet një pjesë e madhe e myslimanëve të Bosnjës, të cilët Andriqin e akuzojnë për përshkrim tejet negativ të myslimanëve. Krahas Andriqit, Pamuk tha se nga shkrimtarët e rajonit çmon dhe lexon Danillo Kishin dhe Xhevad Karahasanin. Në Sarajevë Pamuk paralajmëroi romanin e tij të ri “Nata e murtajës”, ku bëhet fjalë për një ishull osman në vitin 1890, kur murtaja bënte kërdi në botë. Miliona njerëz vdesin nga murtaja në Indi, Kinë, ndërsa në Evropë nuk ndodh asgjë. Përgjigjja se përse është kështu gjendet në roman.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli