Kosovarët paguajnë për “mësimet” e BE-së nga e kaluara

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 12 June 2019 08:16

Ndonëse formalisht nuk kanë lidhje, proceset e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe ai për kthimin eventual të vizave për shtetasit e Shqipërisë janë të ndërlidhura. Derisa të ekzistojnë debate për kthimin e vizave për Shqipërinë, nuk do të jetë lehtë të hiqen për kosovarët. Është mirë për Kosovën që Gjermania tani mbështet heqjen e vizave. Por për ta bërë këtë realitet duhet një Gjermani, e cila, pos që vetë është në favor, i bind edhe shtetet e tjera të pajtohen me këtë

Tentimi i Holandës, një shteti me shumë ndikim në BE, që të rikthehen vizat për shtetasit e Shqipërisë nuk pritet të ketë sukses.

Kjo kërkesë është e motivuar me përshtypje për përfshirjen e shqiptarëve te grupet e krimit të organizuar dhe nuk mund të bazohet në fakte. Prandaj, edhe Komisioni Evropian pritet të pohojë se, për momentin, ndonëse ka të dhëna që dëshmojnë se një numër i madh i shtetasve të Shqipërisë ka keqpërdorur dhe është duke keqpërdorur regjimin pa viza, nuk ka arsye të aktivizohet mekanizmi për kthimin e vizave. Edhe të dhënat flasin për një trend në rënie të numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Por edhe pse në rënie, ky numër është për BE-në ende shqetësues. Sepse, siç pati thënë një herë kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, është e pakuptueshme që fare të ketë azilkërkues nga vende që janë kandidate për anëtarësim në BE.

Me numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së mund të krahasohen vetëm shtetet që nuk janë fare në Evropë, dhe në një masë edhe Gjeorgjia, nga e cila po ashtu në disa shtete të BE-së është duke u rritur numri i atyre që kërkojnë azil.

Komisioni Evropian nuk mund të gjejë argumente për të dëshmuar se autoritetet e Shqipërisë nuk janë duke iu përmbajtur detyrave që dalin nga liberalizimi i vizave. Shqipëria pa problem i pranon të riatdhesuarit, bashkëpunon me policitë e vendeve të BE-së.

Dhe, që e bën shumë të vështirë kthimin e vizave për shtetasit e Shqipërisë, nuk është lehtë të krijohet një shumicë e nevojshme e shteteve në Këshillin e BE-së për të suspenduar, qoftë edhe përkohësisht liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Së paku kështu do të jetë përderisa Holanda të jetë shteti i vetëm që e kërcënon një gjë të tillë, bazuar në një vendim të Parlamentit të këtij shteti.

Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse kësaj kërkese do t’i bashkohej, për shembull, ndonjë shtet i madh si Franca. Por edhe atëherë është vështirë të krijohet shumica për t’ua kthyer vizat shtetasve të Shqipërisë.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian po heziton tash e sa kohë që t’ua heqë vizat shtetasve të Kosovës, të vetmit që ende nuk e gëzojnë liberalizimin e vizave.

Në këtë rast do të duhej të ketë një shumicë të kualifikuar në Këshillin e BE-së. Pasi Gjermania është shprehur në favor, dhe në favor janë edhe shumë shtete të tjera, dikush mund të mendojë se kjo është një çështje numrash dhe tash edhe mund të ndodhë shpejt liberalizimi.

Por përderisa shtetet, si Franca dhe Holanda të jenë kundër, pak ka gjasa që fare të hedhet në votim në Këshill liberalizimi i vizave për Kosovën. Shtetet e tjera nuk do të duan që për një çështje të tillë të mbivotohen këto shtete me ndikim të madh në BE. Dikush mund të bëjë pyetje se pse Holanda, një shtet me 17 milionë banorë, na qenka aq me ndikim në BE. Ka shumë arsye pse Holanda ka aq shumë ndikim dhe më i thjeshti është se ky është shteti, i cili për kokë banori kontribuon më së shumti financiarisht në Bashkimin Evropian.

Kështu, pa fajin e tyre, kosovarët kanë mbetur pa liberalizim vizash, mes të tjerash edhe pse në BE ka disa që besojnë se në të kaluarën “kanë nxitur” dhe nuk do t’i përsërisin më “gabimet”. Dhe çmimin për një qasje të tillë e paguajnë gjithmonë ata që janë në radhë e jo ata të cilët e kanë kaluar cakun.

Liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor ka qenë një lloj shpërblimi për shkak se këto vende nuk kanë ndonjë mundësi të avancimit real në procesin e integrimeve në BE. Dhe, realisht, në nivel të BE-së me mbi 500 milionë banorë, numri i qindra e mijëra shqiptarëve, nga shtetet e ndryshme, që kanë kërkuar azil, nuk paraqesin ndonjë barrë të madhe.

Problemi qëndron se ky numër nuk është i ndarë në shumë shtete, por Franca e mban barrën më të madhe. Prandaj, edhe shqetësimi i Francës është më i madh sesa i vendeve të tjera. Franca nuk ka shumë problem më me azilkërkuesit nga Kosova, por më shumë me ata nga Shqipëria. Në fakt, për nga njohja e së drejtës për strehim, si shtete ku më së shumti kosovarë kanë fituar këtë të drejtë në BE befasishëm dalin Polonia, Spanja dhe Republika Çeke, dhe atë me një numër shumë të vogël.

Ndonëse formalisht nuk kanë lidhje, proceset e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe ajo për kthimin eventual të vizave për shtetasit e Shqipërisë janë të ndërlidhura. Derisa të ekzistojnë debate për kthimin e vizave për Shqipërinë, nuk do të jetë lehtë të hiqen për kosovarët. Është mirë për Kosovën që Gjermania tani mbështet heqjen e vizave.

Por për ta bërë këtë realitet duhet një Gjermani, e cila pos që vetë është në favor, i bind edhe shtetet e tjera të pajtohen me këtë.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit prej kur Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur edhe kushtet e fundit për liberalizim vizash, heqja e vizave nuk ka ndodhur. Dhe duket se edhe ky vit është i humbur.

Nga Këshilli i BE-së vetëm thonë se “ka nisur marrja në shqyrtim e propozimit të Komisionit”, por në rastin e Kosovës secili hap ka zgjatur më shumë sesa për shtetet që ishin në radhë para saj. Se Këshilli “ka nisur shqyrtimin” nuk paraqet ndonjë premtim e as marrje obligimi nga ana e BE-së, që të veprojë shpejt. Edhe pas zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Evropian nuk ka dyshim se Parlamenti do të vazhdojë mbështetjen për liberalizimin. Por në Këshill ende priten disa pengesa.

Disa prej tyre janë të motivuara me performancën e dobët të gjyqësorit në Kosovë në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, sidomos me mungesën e vendimeve finale për konfiskimin e pasurisë së arritur në mënyrë të paligjshme. Ka shtete që nuk i besojnë as Komisionit Evropian dhe mendojnë se Kosova në fakt nuk i ka përmbushur të gjitha kushtet. Prandaj, duan më shumë shembuj të vendimeve finale të gjykatave për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë.

Disa shkaqe të tjera për vazhdimin e agonisë janë të lidhura me përvojën që BE-ja ka me shtetet e tjera të rajonit dhe me Gjeorgjinë.

Në fakt, këto “mësime” janë bërë pengesë e madhe për Kosovën. Në njërën anë është mësimi se, kur një herë të hiqen vizat, nuk është lehtë të suspendohen ato edhe pse ekzistojnë mekanizmat për një gjë të tillë. Por në anën tjetër është edhe mësimi se heqja e vizave është keqpërdorur nga qytetarët e disa shteteve.

këto rrethana, edhe pse ka pasur disa lëvizje në proces, edhe pse mbështetja e shprehur e Gjermanisë është shumë, shumë e rëndësishme, nuk ka ende arsye për ndonjë gëzim apo krijim të pritjeve se vizat do të tërhiqen shpejt. Nëse kjo heqje e vizave lidhet me ndonjë proces tjetër paralel, politik apo të natyrës tjetër, atëherë vetëm sa do të komplikohet edhe më shumë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj