OpEd

“200.000 ojro ndër tavolinë” - Zhyll Vendi

Tek ne politikanët njihen si “lexues pasionantë” dhe librat që i blejnë ua përshtatin ngjyrës së perdeve apo tepihut në dhomë. Gjithashtu, librat i blejnë me metër varësisht nga zbrazëtia e gjatësisë së raftit. Mos t’i harrojmë gjithsesi edhe selfiet nga Panairi i librave, mundësisht me nga një libër voluminoz ashtu në dorë dhe me shikimin depërtues intelektual në libër.

Në Prishtinë këtyre ditëve aktualisht është duke u mbajtur Panairi i Librit, një eveniment i cili mbahet çdo vit dhe ku autorë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë, dhe shtëpi të ndryshme botuese publikojnë librat e tyre të rinj. Panairi vizitohet nga qytetarë të shumtë, nxënës dhe studentë, si dhe nga ana e intelektualëve të ndryshëm.

Tek ne politikanët njihen si “lexues pasionantë” dhe librat që i blejnë ua përshtatin ngjyrës së perdeve apo tepihut në dhomë. Gjithashtu, librat i blejnë me metër varësisht nga zbrazëtia e gjatësisë së raftit. Mos t’i harrojmë gjithsesi edhe selfiet nga Panairi i librave, mundësisht me nga një libër voluminoz ashtu në dorë dhe me shikimin depërtues intelektual në libër.

Në vazhdën e këtij evenimenti, unë do t’ju rikujtoj për një vepër klasike nga shkrimtari i njohur francez, Zhyll Vendi, dhe veprën e tij tashmë të ribotuar “200.000 ojro ndër tavolinë”.

Ky libër është dashur që t’i takojë zhanrit fantastiko-shkencor, mirëpo në fakt është një vepër shumë realiste. Ngjarja ka të bëjë me angazhimin e disa kombeve për të kapur një përbindësh gjigant me tentakula dhe me dhëmbë të mëdhenj, i gatshëm që të gllabërojë gjithçka përreth vetes. Kombet e Bashkuara formojnë ekspeditën për t’u përballur me përbindëshin. Pas dështimit të kësaj ekspedite, Bashkimi Evropian, gjithashtu, dërgon një ekspeditë për t’u përballur me përbindëshin e madh narwhalin. Pas një kërkimi të gjatë, ekspedita ndeshet me përbindëshin dhe e sulmon atë, me ç’rast dëmtohen veturat e ekspeditës. Mirëpo, kur protagonistët e ngjarjes dëshirojnë që të merren me përbindëshin, ata në fakt ballafaqohen me një makineri të sofistikuar burokratike të quajtur Najaufusim. Kjo makineri e sofistikuar udhëhiqet nga komandant Nemozha.

Pjesa tjetër e ngjarjes në këtë vepër zhvillohet në brendësinë e makinerisë së sofistikuar burokratike Najaufusim, e cila ishte ndërtuar në fshehtësi dhe që në fakt ishte projekt sekret qeveritar. Komandant Nemozha ishte ai, i cili po e drejtonte këtë makineri dhe ajo po bënte hulumtime të ndryshme në sferën e tenderëve në lëmi të ndryshme, si infrastrukturë, arsim, shëndetësi, privatizim, etj. Komandant Nemozha u thotë pjesëtarëve të ekspeditës se ekzistenca e tij dhe e makinerisë komplekse Najaufusim duhet të vazhdojë që të mbetet sekret, dhe prandaj ai nuk do të mundë t’i lironte pjesëmarrësit e ekspeditës. Disa nga pjesëmarrësit e ekspeditës janë të ngazëllyer nga prospekti i aventurave të shumta, ca të tjerë në mendje e kanë vetëm se si të ikin nga aty.

Me kalimin e kohës, ekspedita e Bashkimit Evropian, tashmë pjesëtare e makinerisë së sofistikuar burokratike Najaufusim, përjeton ngjarje të ndryshme, si p.sh. ndërtimin e Rrugës së Kombit, dhënien e Aeroportit me koncesion, dhënien me koncesion të shërbimeve të shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS), privatizimin e tokave të shumta shoqërore, ndërtim të spitalit dhe lëshimin e 200.000 ojrove ndër tavolinë, si dhe aventura të tjera të shumta ekzotike. Përgjatë zhvillimit të mëtutjeshëm të ngjarjes, komandant Nemozha ishte sugjeruar se ai ishte izoluar nga bota pas ballafaqimit me forcat të cilat dikur e kishin okupuar vendin e tij dhe të cilat kishin lënë pasoja shkatërruese për familjen e tij.

Në njërën nga aventurat, makina e sofistikuar burokratike Najaufusim ndeshet me një kallamari gjigant dhe me atë rast një anëtar ekuipazhi e humb jetën tragjikisht nga tronditjet e pësuara.

Diku afër përfundimit të librit, Najaufusim sulmohet nga një entitet tjetër dhe kjo e bëri komandant Nemozhën që të vuante dhe që të tërbohej. Me gjithë lutjet e shumta nga pjesëtari i ekspeditës, Nemozha nuk tregon mëshirë. Ai e sulmon entitetin, e shkatërron atë dhe të gjithë mbesin duke shikuar përderisa entiteti po binte në humnerë. Pas kësaj ngjarjeje, Nemozha bie në gjunjë pranë fotografive të gruas dhe fëmijëve të tij, dhe përballet me një depresion të thellë.

Pjesëtarët e ekspeditës i bëjnë përgatitjet e tyre të fundit për ikjen e tyre nga Najaufusim. Derisa ata po bëheshin gati për ikjen e tyre, ata kuptuan se makina e sofistikuar burokratike e kishte humbur rrugën në Moskenstraumen. Pjesëtarët e ekspeditës arrijnë që të ikin diku afër Ujmanit, por fati i Najaufusim mbetet i panjohur.

Ky libër klasik i Zhyll Vendit është përcjellë edhe në shiritat filmikë dhe si seriale të ndryshme, edhe pse njihet edhe me emërtime të ndryshme për t’i ikur titullit të gjatë origjinal. Serialet e realizuara, si Sopranos, Gomorrah, Mc Mafia, Narcos, Ozark, Doni i fundit, etj të gjitha janë produkte të veprës së Zhyll Vendit. Nga emri i këtij autori rrjedh edhe ajo fjalia e urtë pellazge “zhyll vendi, zhyll kuvendi”.

***

Ditëve që i lamë pas ishim dëshmitarë të disa paraqitjeve të presidentit Thaçi nëpër studiot e ndryshme televizive. Sjelljet e tij tashmë u ngjasojnë sjelljeve të asaj nuses së re naive të inatosur në vjehrrën e saj, dhe secila sjellje e saj bëhet për inat të vjehrrës.

Shumë vite me radhë e deri para pak kohësh Thaçi ishte njeriu më pro-evropian në këtë gadishull, e edhe më gjerë. Ai gjithnjë deklaronte se Kosova edhe Shqipëria do të bashkoheshin nën kulmin e Evropës së bashkuar. Mirë deri këtu, mund të them edhe thënie karizmatike. Por së fundmi hidhërimi i nuses evropiane e ka bërë nusen me kapriçio. "New State, Modern Statesman-i", i cili dikur politikat kombëtare të bashkimit i quante projekte të së kaluarës, përnjëherë na u shndërrua në rilindës të shekullit të kaluar. Pas bashkëngjitjes që ua bëri Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, duke mos ia dhënë Serbisë as edhe një milimetër të territorit të Kosovës, Serbisë, nusja jonë evropiane e vyeshme, e mirë veç një çik nevrike tash po ia bashkëngjit Kosovën Shqipërisë. Për ironi ai nuk po heziton të thotë se me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Kosova me automatizëm hyn në NATO dhe ata ishin ulur këmbëkryq edhe vetëm po presin kur do t’i bashkojë Hashimi. Aspak nuk e besoj që nusja nevrike ka me u ndalë veç me kaq! Kur të shtynë inat me vjehrrën duhet me i grahë deri në fund, me i tregu kush kullet në këtë shpi. Tash ka me e lypë edhe Çakorrin përmas, Sangjakun me Pazar të Ri, Çamërinë, Iliridën, sa të kuqet molla edhe Mollën e Kuqe ka me e lypë. Ka me pa shtriga plakë me kond ka punë! Gërrxhula plakë! Edhe dardhën kakiçke ka me e lypë nusja e përgazt. E tamam kur Evropa plakë ka me mendu që nuses së idhnume ju kanë hargjitë kërkesat, nusja ka me e nxjerrë një kërkesë të re nga mëngët si David Copperfieldi.

Tash nuset po janë me PMS para vjehrrave. Është prishur dynjaja. E vjehrra plakë çka ka me bo, rrin e shikon seri qysh nusja po ja mbledhë betë herë me atë kërcënim e herë me atë tjetrin, çkado që i ka qëllu aty ngat.

Thaçin gjithnjë e kam parë si një figurë tragji-komike dhe kurrë nuk kam mundur që ta perceptoja si një politikan serioz. Ai është vetëm aq serioz sa i ka ambiciet e tija personale, e për t’i arritur ato ai nuk zgjedh mënyra dhe metoda.

POST MORTEM - Albert Rohan

Dje ndërroi jetë njëri ndër arkitektët e Pavarësisë së Kosovës, zotëri Albert Rohan.

Ai mori pjesë në bisedimet të cilat kishin të bëjnë në lidhje me statusin final të Kosovës. Ishte dhe mbeti mik i përhershëm i shqiptarëve të Kosovës. Si diplomat i rryer austriak që ishte, ai kishte deklaruar se Kosovën e sheh si fëmijë të vetin dhe i gëzohet secilit sukses të Kosovës në rrugëtimin e saj, si një shtet i ri, i pavarur. Kosova ka të arritura të saja, por kryesisht ajo mbetet e ngulfatur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivel qeveritar e partiak. 20 vjet që nga çlirimi Kosovës, asaj ende është duke iu gërryer edhe palca e ashtit. Qe 20 vjet i janë sulur çakejt e pangopur dhe syuntë. Zotëri Rohanin do ta kujtojmë me shumë respekt dhe shpresoj se Kosova, fëmija i tij, në një të ardhme të afërt do ta bëjë atë që përsëri të mburret me ndonjë të arritur të saj.

U prehsh në paqe miku ynë! Do të të kujtojmë gjatë.

P. S. Ramush ka kohë që nuk të kam sugjeruar asgjë në lidhje me taksën ndaj produkteve serbe. Hashimi po thotë mos me e hjekë edhe me e zgjatë dorën e pajtimit e te unë disi vlen parimi “kqyr qysh ka vepru Thaçi futja kontra, edhe vendim i mirë ka me qenë saqë askush nuk e ka”.