Më lejoni që në fillim të pajtohem me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Fare pak e njoh, e kam parë dhe kam biseduar me të dy-tri herë, por sipas biografisë së saj nuk do të thosha se është raciste.
Rrjedh nga një martesë e përzier kombëtare, familje të arsimuar dhe të kamur, u shkollua në Perëndim, në stil jete modern... Si të jetë raciste? Paj, racistët do të duhej të ishin njerëz gjysmanalfabetë që nuk kanë dalë përtej sokakut të vet.
Për racizëm e kanë akuzuar ministrat kosovarë të fyer nga deklarata e saj e famshme për njerëzit që “thjesht kanë zbritur nga mali”. Meqë Bërnabiq është e racës së bardhë, siç janë edhe shqiptarët, shikuar teknikisht, me siguri nuk mund të flitet për racizëm, por për ksenofobi.
Më saktë, për albanofobi, e cila, dorën në zemër, ekzistonte edhe në kohën e Jugosllavisë Socialiste dhe të “vëllazërim-bashkimit”. Shqiptarët vazhdimisht janë “shikuar nga lartësia” jo vetëm nga serbët, por edhe nga popujt e tjerët jugosllavë.
Sipas shumëkujt, shqiptarët ishin ndryshe, ekonomikisht, në aspektin arsimor, në pikëpamje sociale të prapambetur. Në kohën e paraluftës, në Beograd shiheshin kryesisht “te Vuku” (bëhet fjalë për një shesh të Beogradit, ku shitej fuqia punëtore - sqarim yni) duke pritur punët të paguara ligsht, e në rastin më të mirë mbanin furra dhe ëmbëltore. Më të mirat në qytet.
A është pra e çuditshme që Bërnabiq tha atë që e tha? Edhe e çuditshme, edhe e dhembshme, edhe e habitshme, edhe e marrë... Edhe pse ndoshta nuk është raciste, deklarata e Ana Bërnabiqit është problematike nga aq shumë arsye sa është e vështirë të numërohen.
“Ata njerëz kanë qenë në uniforma, ata kanë qenë në mal, pra drejtpërdrejt nga mali kanë zbritur dhe janë bërë liderë elitash politike në Prishtinë. Unë më shumë do të doja që ata të kishin dalë nga sektori civil dhe të kishin drejtuar ndonjë organizatë joqeveritare”, ka thënë Bërnabiq.
Po ajo ishte teknokrate në NALED (Nacionalna Alijansa za Lokalni Ekonomski Razvoj - Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal - sqarim yni) dhe çfarë dobie kemi prej saj? Është dëshmuar si përfaqësuese e Qeverisë? AB (Ana Bërnabiq - sqarim yni) nuk e sheh se edhe ajo rrethohet nga disa personalitete të komprometuara, të cilat gjatë të nëntëdhjetave të luftës nuk ishin paqësorë, por luftënxitës? AV (Aleksandar Vuçiq - sqarim yni) me të cilin AB po përngjan gjithnjë e më shumë, një pjesë të luftës po ashtu e ka kaluar në mal, madje në malet përreth Sarajevës së rrethuar. Kemi edhe të dënuarit e Hagës të afërm me elitën politike të Serbisë, të cilët po ashtu gjatë të nëntëdhjetave janë marrë me aktivitete të përgjakshme malore.
Kur e pyetën Ana Bërnabiqin për ta, ajo u përgjigj disi - e çfarë t’u bëjmë atyre, e kanë larë borxhin e tyre... AB dhe AV shpjegojnë se kur ajo ka folur për “njerëzit nga mali” nuk ka menduar në shqiptarët, por në përfaqësuesit politikë të tyre. Nga të cilët shumë sish ishin në UÇK, nëpër malet e Kosovës, disa i ndërlidhin me krimet e luftës. Çuditen AB dhe AV pse shqiptarët “ e thjeshtë” fyhen dhe identifikohen me të tillë? Pse serbët “e thjeshtë” fyhen kur përmenden për shembull krimet dhe kriminelët e luftës? Çdo zënie në gojë e gjenocidit në Srebrenicë është gjoja atak ndaj serbëve, aktakuzat e aktgjykimet e Hagës ndaj Mladiqit, Karaxhiqit dhe të tjerëve, ndëshkime për gjithë popullin.
Pse serbët janë fyer kur ish-kryeministri kroat Zoran Milanoviq kishte përdorur shprehjen “një grusht mjeranësh”? Kongresisti amerikan nga Partia Republikane, Tim Burchett, pas një bisede me ishpresidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga (njëra nga shumë që me ironi iu përgjigj AB-së me foto nga mali), i quajti serbët “plehra” dhe “popull i egër”. Fyese, apo jo? Por me gjasë nuk e kemi dëgjuar gjithë xhirimin.
Me siguri edhe ai ka ndonjë sqarim. Hedhja poshtë e korrektësisë politike është efekt anësor i trendëve politikë bashkëkohorë populistëdemagogjikë. Shumë sish dërdëllisin dhe mbesin gjallë. AB “ka shkëlqyer” shumë herë, ndërsa, siç ka nisur, druaj se, larg qoftë nga Vjerica Radeta, do të shndërrohet.
Zgjedhje do të ketë, ndërsa kryeministrja duhet t’u dëshmohet masave të gjera të votuesve të SNS-së (partisë së Vuçiqit - sqarim yni) të cilin, për shumë arsye, “nuk po e shijojnë”. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, që t’i dëshmohet atij që e ka zgjedhur.
(Marrë nga gazeta “Danas”)