Vështrime

Frika nga ekstremi i djathtë në BE e ekzagjeruar

Në nivel të BE-së, partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë nuk mund të paraqesin rrezik real nëse kundër tyre vërtet veprojnë partitë tradicionale. Në Francë dhe në Itali partitë e tilla kanë fuqi. Por në nivel të BE-së, pas zgjedhjeve evropiane, nuk do të rritet rreziku nga to. Më shumë rrezik paraqesin partitë tradicionale, të cilat pranojnë agjendën e ekstremistëve dhe ato që me ta hynë në koalicion. Rreziku nga ekstremi i djathtë është më shumë një arsyetim i partive tradicionale për veprimet e tyre sesa një rrezik i vërtetë.

Qytetarët e 28 vendeve anëtare kanë zgjedhur të dielën përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian në zgjedhjet e vetme transnacionale në botë. Këta 751 deputetë, e më vonë kur të ndodhë largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja 705, do të veprojnë në Parlamentin Evropian në 5 vjetët e ardhshëm. Në bazë të konstelacionit të forcave në këtë institucion të BE-së do të ndahen edhe funksionet kryesore, prej vendeve në komisione parlamentare e deri tek detyrat e raportuesve për temat e caktuara. Për më shumë, zgjedhjet do të merren parasysh edhe në vendimin se kush do të jetë në të ardhmen në krye të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe kush do ta drejtojë Politikën e Jashtme të përbashkët të BE-së.