Nuk tutet shosha me arushë!

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 20 May 2019 08:06

Retorikës së Kadriut në stilin se kush është kundër Tribunalit, në mënyrë që të krijojë përçarje dhe “armiq kombëtarë” brenda nesh, atë retorikë le t’ia varë arushës së Prizrenit për bishti. Hmmm, tash me siguri jeni në dilemën tjetër të radhës, a paska arusha bisht? Ka Kadrush, ka, por e ka cubel - shumë të shkurtër, e kur jemi te arusha, nuk tutet shosha me arushë, o Kadrush!

Edhe një jave të ngjeshur diplomatike po i vjen fundi dhe i bëhet vendi në Ditarin tim.

Janë të kamotshme ato dilemat tona jetësore pellazge, më iku treni, më iku autobusi, më iku rasti, më iku aeroplani, më iku historia… e kuptoni sa djallëzore janë këto fjalë? Të bëjnë të kuptosh se ato ashtu, për inat, apo bash kundër teje, kanë lidhur inat dhe në momentin e caktuar kanë vendosur që të ikin. Pellazgu nuk thotë isha vonë, u vonova, por kjo zëvendësohet me foljen “më iku”.

E si t’ua shpjegoj atë shprehjen tonë të vëllezërve tanë toskë, “më iku mëndja”?

Këto i mora si analogji me këtë iniciativën e Kadri Veselit për formimin e “Tribunalit kundër krimeve të serbëve në Kosovë”. Edhe Kadriut i ka ikur diçka, por edhe unë tash jam në dilemën time diplomatike se çka saktësisht. I ka ikur tegeli i logjikës, i ka ikur vota e partisë, apo thjesht i ka ikur ora e historisë me së paku 20 vjet distancë?

Kjo iniciativë është për konsum të brendshëm dhe nuk bart asnjë peshë me vlerë ligjore e aq më pak me ndonjë peshë të ndonjë tribunali ndërkombëtar. Ku ishim ne qe 20 vjet? Kadriu dhe kolegët e tij partiakë me të vërtetë mendojnë se mund të na e fekondojnë inteligjencën deri në atë nivel. E kam një lajm për ty Kadrush! Të ka ikur topi. Edhe atë ndërmjet vegëve tua, je duke dribluar, por topi të ka ikur… moti… e për këso driblimesh e zhonglerësh dhe kaskaderësh politikë në ajër, Kosova paska qenë akademi. Jam i sigurt se të gjitha shkollat botërore me renome në të cilat ligjërohen marrëdhëniet politike dhe diplomacia janë duke vëzhguar me vëmendje, dhe të gjitha u përvishen studimeve empirike të ngjarjeve politike në Kosovë. Në vazhdën e driblimeve politike do ta prisja një prononcim të bashkëpartiakes suaj politike, zonjës Ganimete Musliu, në stilin “tash Mesi ka me ja tregu qefin Iverpoolit vetëm sa të nxehet edhe pak”.

E kjo përveçse është fyese për ne të gjallët, për ato viktimat e pafajshme e ato viktima të shumta të pagjetura është vetëm se edhe një krim i radhës ndaj tyre dhe të gjithë të tjerëve me plagë të hapura në trup.

Retorikës së Kadriut në stilin se kush është kundër Tribunalit, në mënyrë që të krijojë përçarje dhe “armiq kombëtarë” brenda nesh, atë retorikë le t’ia varë arushës së Prizrenit për bishti. Hmmm, tash me siguri jeni në dilemën tjetër të radhës, a paska arusha bisht? Ka Kadrush, ka, por e ka cubel - shumë të shkurtër, e kur jemi te arusha, nuk tutet shosha me arushë, o Kadrush!

Të njëjtën retorikë dhe sulm mbrojtës e përdor edhe shefi i dikurshëm e i tanishëm i Kadriut, Hashim presidenti me “korrigjimin” e kufijve të vet, duke e bërë pyetjen retorike “e kush qenka ai që nuk dëshiron që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkangjiten Kosovës”. Me këtë ai e siguron veten se qëndrimi i tij është e drejtë patriotike dhe i pakontestueshëm, se çdo pyetje e bërë për ta sfiduar në atë drejtim do ta cilësonte atë që do të bënte pyetjet si tradhtar kombëtar. Kjo loja me semantikë gjuhësore në politikë është goxha interesante.

* * *

Ngjarje tjetër me rëndësi në javën që po e lëmë pas gjithsesi është edhe mbajtja e seancës së jashtëzakonshme parlamentare për Telekomin, krahas zhvillimit të punës së Komisionit hetimor parlamentar për Telekomin, të caktuar më parë. Këtë temën mbi Telekomin e shtjellova në Ditarin tim ca javë më parë, ato që do t’i shtoja kanë të bëjnë me qëndrimet e ministrit të Zhvillimi Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili në çdo prononcim të tij theksin e vë mbi faktin se kjo kompani publike është buzë falimentimit. Po çfarë zhvillimi ekonomik o ministër zeza?! Sidomos kur e kam të qartë se e kaluara e CV-së së tij profesionale ndërlidhet si shef i marketingut te Devollët, atëherë e kam më se të qartë se ministër i çfarë zhvillimi ekonomik përfaqëson ky.

PTK-në dhe Telekomin i kanë rroposur secila parti në pushtet, por ajo rroposja kryesore e cila Telekomin e ka qitur përtokë dhe e ka hangër deri në asht është PDK-ja, kur jemi tek ndarja e meritave të stërvinarëve.

Mund të kemi shumë pyetje dhe pikëpyetje në lidhje me deputetin Milaim Zeka, mirëpo fjalimit të fundit të tij në Kuvend në lidhje me Telekomin nuk do t’ia hiqja asnjë presje. E kam thënë edhe shumë herë më parë, sot nuk mund ta skuqësh askënd për veprimet e tyre. Jemi bërë imunë ndaj asaj gjëje. Na ka ikur edhe skuqja, marrja, vajtën për lesh…

* * *

Pak rreshta do ta argëtoj Ditarin tim edhe me prononcimet e kohës së fundit të skllotës politike kosovare, presidentit të saj Hashim Thaçi. Është aq kontrovers me veten e vet dhe me prononcimet e veta të mëhershme, saqë kalon në perversitet politik. Por kush është duke e marrë seriozisht sot Hashim Thaçin, përveç komradit të tij, Baton Haxhiu, dhe vartësve direkt të Hashimit? Figura e tij është një figurë tragjikomike, të cilën populli naiv e lartësoi dhe e vuri në piedestal historik. Por ne të gjithë e dimë forcën e popullit, qoftë edhe të një populli letargjik dhe të fjetur. Një ditë mund të zgjohet nga gjumi. E edhe pse popullit mund t’i ketë “ikur” treni, por vaj halli për atë që e quan veten udhëheqës i popullit në ato çaste.

Fati apo dredhitë e tij gjarpërore e vendosën atë që të ishte njëri nga aktorët e të gjitha ngjarjeve politike, të cilat ndërlidhen me Kosovën dhe historinë e saj të fundit 20-vjeçare. Por atyre nuk do t’u referohesha nga libri autobiografik i sponsorizuar nga ai vetë me taksat e qytetarit të fjetur kosovar, por nga ndonjë libër i pavarur historik që ende nuk është shkruar. E në sytë e mi ai libri i vërtetë i shtjellimit të historisë së 20-vjeçarit të fundit të politikës kosovare ka për të qenë i dhimbshëm.

Shumë lexues së këtij libri të së vërtetës historike një ditë edhe do ta pyesin veten- e ku isha unë? Si më “iku” kjo? Por kjo ashtu do të jetë vazhdimësi e trendit pellazg … historikisht të vonuar …

* * *

Nuk kam se si të mos ia kushtoj ca rreshta Ditarit tim edhe me ngjarjet dhe protestat që po zhvillohen në Shqipëri me moton “Rama IK”.

Nuk jam ithtar i Edi Ramës dhe i figurës së tij politike, dhe mendoj se i ka shkaktuar shumë dëme Shqipërisë me korrupsionin dhe kriminalizimin e saj të skajshëm.

Por edhe opsionet opozitare për zëvendësimin e tij nuk më ngrenë mornica patriotike në trup. Sali Berisha? Lulzim Basha? Monika Kryemadhi? Jo, ju faleminderit. Edhe këta emra e fytyra nuk janë zgjidhje për një të ardhme të ndritur për shtetin e Shqipërisë. Është e dhimbshme se si të gjithë shqiptarët në trojet ku jetojnë dhe veprojnë kemi rënë në fazën e riciklimit të fytyrave të njëjta politike qe 20 vjet e më tepër.

Nuk mund të ketë zgjidhje të reja me fytyra të sprovuara të vjetra politike. S’e kuptoj, ose do të duhej jetëgjatësia e dikujt që merret me politikë të ishte më e gjatë dhe e dikujt i cili p.sh. merret profesionalisht me sport?

Ta lëshon bre takati. Ta lëshon kondicioni edhe në politikë, shtjerrësh. Nëse asgjë, nuk je më as karizmatik për popull e për masa. Ik atje pensionohu. Shkruaj poezi, qëndis tentene, luaj shah. Janë shumë aktivitete të tjera të cilat mund t’i bësh dhe së paku ta mbash njëfarë dinjiteti njerëzor, ja ky ishte, u mundua mjaft, por nuk ia doli. Por çka t’ju themi këtyre të cilët qe 20 vjet e kanë atë sjelljen zbrit tash ti e të hipi unë! E kjo hipje është mbi kurrizin e një populli të lodhur e të rraskapitur. Çfarë ndodh me rininë progresive? Me një rini e cila nuk do të dëshironte një Shqipëri të tillë të kriminalizuar edhe për brezat që do të vijnë.

Shqipëria dhe Kosova që të dyja kanë nevojë për fytyra të reja me ide të reja dhe pa bagazh nga e kaluara, i cili bagazh do të rëndonte mbi kurrizin e lodhur të popullit. Fytyra të pastra dhe me të kaluar të pastër. Nuk e kemi luksin për të ricikluar hajnat dhe pallavraxhinjtë!

P.S. Ramush, e di që ti Ditarin tim nuk e lexon, përveç këtyre shënimeve të mia post scriptum. Ramush, dëgjo, tash ty edhe me të shku mendja me e hjek ose me e zbut taksën ndaj Serbisë, të cilën ti e ke vendosur “s’ka me të lonë” Hashimi që e ka adaptuar si fëmijë të vetin e çdo ditë e më shumë është duke bërë be në krye të saj!

© KOHA Ditore

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Driton Beshiri21/05/2019 15:00

T'lumtë Asdren!

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani