Integrimi i vendeve të Ballkanit në BE: një projekt që e humbi shkëlqimin

Enver Robelli Enver Robelli 16 May 2019 08:25

Gjasat që vendet e Ballkanit të integrohen në Bashkimin Evropian po zbehen dita-ditës – sidomos me fajin e liderëve të rajonit.

Në vitin 2003 gjërat dukeshin të thjeshta dhe premtuese. Në Samitin e Selanikut, Bashkimi Evropian u premtoi anëtarësim të gjitha vendeve të Ballkanit. Projekti do të përmbyllej më 2014 – në 100-vjetorin e Atentatit të Sarajevës, pas të cilit nisi Lufta e Parë Botërore, katastrofa zanafillore e kontinentit të vjetër.

Në vitin 2019 rrëfimi për Samitin e Selanikut të vitit 2003 tingëllon si një përrallë e bukur nga kohërat e largëta. Ende përmenden vite për hyrjen e vendeve të Ballkanit në BE, për shembull së fundi viti 2025 për Serbinë dhe Malin e Zi, por kush beson në këtë? Mund të flitet me ditë të tëra për gabimet e BE-së ndaj Ballkanit, për mungesën e strategjisë, për përkrahjen e stabilokratëve që “fitojnë” zgjedhjet sa herë që duan falë makinerisë së tyre të sofistikuar për blerjen e votave.

Por projekti për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit e ka humbur shkëlqimin në radhë të parë me fajin e vetë elitave sunduese në rajon. Nën regjimin e Aleksandar Vuçiqit, Serbia është shndërruar në një autokraci. Institucionet e pavarura praktikisht nuk ekzistojnë, mekanizmat e kontrollit të pushtetit janë pezulluar, pushteti është i koncentruar në duart e Vuçiqit dhe vëllait të tij të lidhur me mafiozë të ndryshëm serbë, ndikimi i të cilëve shtrihet edhe në Kosovë, sidomos në veri të vendit. Shumica e mediave kontrollohen direkt nga Vuçiqi. Rrjedhimisht, nuk ishte befasi që gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” së fundi shkroi se Serbia nuk është kandidat i përshtatshëm për t’u integruar në BE. Shumica e popullit serb prej vitesh deklarohet indiferente apo refuzuese ndaj BE-së. Ndërsa 84 për qind e njerëzve në Kosovë mbështesin BE-në, 83 për qind në Shqipëri dhe 59 për qind në Maqedoninë e Veriut, në Serbi janë vetëm 29 për qind. Serbia i është kthyer po ashtu së kaluarës. Me parada ushtarake kërcënon fqinjët, ajo ndan mjete financiare për forcat ushtarake më shumë se ç’ndajnë të gjitha vendet e tjera të Ballkanit së bashku. Kriminelët e luftës janë shndërruar në figura publike inspiruese.

Kush shikon këto ditë në drejtim të Tiranës, sheh një vend të zhytur në kaos politik – me një opozitë me mentalitet kusari dhe me një pushtet arrogant. Dhuna e opozitës kundër institucioneve qendrore të pushtetit në Shqipëri është e papranueshme. Është dhunë e një opozite me liderë të korruptuar. Është dhunë e një opozite që në zgjedhjet e fundit ka pësuar debakël. Por kjo dhunë s’erdhi nga qielli. Ky shpërthim nuk po vjen papritur. Kur një ministër i Brendshëm dyshohet e akuzohet për kontrabandë me drogë, kur zyrtarë të lartë të policisë marrin azil në Holandë e Zvicër, sepse kanë denoncuar dilerët e drogës me rroga të shtetit, kur kontratat me partneritet publiko-privat janë vetëm maskë për vjedhje, kur planet për rrëzimin e godinave në Tiranë janë vetëm skema për grabitje, kur për një kilometër asfalt ndahen shuma astronomike, kur reforma për drejtësi shfrytëzohet për instalim të të dëgjueshmëve në prokurori e gjykata, kur përmes firmave fiktive tentohet të vidhen miliona nga buxheti, kur qeveria i blen mediat duke u ndarë atyre miliona euro, kur biznesmenët thonë se kjo qeveri ka krijuar monopole me firmat që i kontrollon, atëherë – atëherë mos të befasohet askush për këtë gjendje të Shqipërisë.

Dhe për këtë faji është sidomos i Edi Ramës. Por, kush beson sinqerisht se Shqipëria do të ecën në rrugë të mbarë me Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin? A ka shoqëria shqiptare nga Kukësi në Sarandë fuqi të bëjë një kthesë të madhe politike, të krijojë diçka të re, të shporrë të vjetrën, të keqen, të korruptuarën? Kjo është e domosdoshme më shumë se kurrë. Sot për sot jo vetëm në BE, por edhe në Shqipëri ka pak njerëz që me të vërtetë besojnë se vendi një ditë të largët do të hyjë në BE.

Për shkak të zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është lavdëruar mjaft muajve të fundit. Por kryeministri Zoran Zaev nuk po shquhet as si menaxher i shkathët që gjallëron ekonominë me politika largpamëse, as si luftues i sistemit kleptokratik të Nikolla Gruevskit. Mali i Zi mbetet një shoqëri e përçarë me pushtet të dominuar nga Millo Gjukanoviqi dhe klani i tij, i cili vetëm duarpastër nuk është, e gjithçka tjetër po. Kosova e Bosnjë-Hercegovina po mbesin projekte të përkohshme.

Në këto rrethana zgjerimi i BE-së duket iluzion. Projekti i Evropës gjendet në një krizë të thellë dhe askush nuk e di se si do të përmbyllet, shkruan historiani gjerman Herfried Münkler në gazetën “Neue Zürcher Zeitung”: “Vendet mesdhetare të BE-së po vendnumërojnë të zhytura në borxhe, në shtetet e Evropës Lindore është krijuar një nacionalizëm i papërputhshëm me idenë e Evropës, po ashtu atje kanë ardhur në pushtet politikanë autoritarë, të cilët hedhin poshtë shumë vlera evropiane”. Kur këto vlera hidhen poshtë nga politikanët në Hungari, Sllovaki, Poloni e gjetiu, kush pret që politikanët ballkanikë do ta pasurojnë Evropën me kontributin e tyre?

Ndoshta ka ardhur koha për të menduar për modele të tjera. Për shembull integrim i pjesshëm në BE. Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI), një organizatë joqeveritare e drejtuar nga Gerald Knausi, ka propozuar që deri në vitin 2025 shtetet e Ballkanit të plotësojnë të gjitha normat për t’u bërë pjesë e tregut të përbashkët. Njëkohësisht vendet e Ballkanit do të duhej të integroheshin hap pas hapi në politikën rajonale dhe të kohezionit të BE-së. Por ekziston rreziku që autokratët e Ballkanit do të bëjnë sikur janë hidhëruar që BE-ja nuk po i hap portat për anëtarësim dhe do të orientohen edhe më shumë nga autokratët e afërt dhe të largët, të cilët joshin me para dhe modele të këqija sunduese.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli