OpEd

Zgjedhjet në mes të dezinformatave dhe nevojës për edukim medial të qytetarëve

Sot, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, bota është fokusuar në sfidat e medias gjatë zgjedhjeve në kohën e dezinformimit. Të paktën për këtë do të flasin qindra pjesëmarrës në konferencën vjetore të UNESCO-s, që këtë vit po mbahet në Etiopi për të shënuar 3 Majin.

Sigurisht që trendët botërorë afektojnë edhe audiencën kosovare, e cila ngjashëm me vendet e tjera të botës është e ekspozuar në mjetet e komunikimit masiv, e posaçërisht në platformat online.

Vendi ynë gëzon shtrirje të madhe të rrjetit të internetit, ku vetëm në variantin mobil statistikat e këtij viti flasin për mbi 1.9 milionë përdorues të internetit, kurse thuhet të jenë 1.1 milionë përdorues të mediave sociale (Facebook) pa i llogaritur mediat tradicionale: gazeta, radio e TV.

Përderisa amerikanët fitoren e Obamas si president qysh në 2008-n ia atribuuan fushatës së tij online dhe mënyrës se si i përdori rrjetet sociale në të mirë të kampanjës së tij politike, 8 vjet më vonë ishin sërish mediat sociale ato që i ndikuan rezultatet zgjedhore, veçse me pak ndryshime në “rregullat e lojës”. ‘Fake news’, i përhapur përmes mediave sociale, bëri që të ndikohej rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, duke e vënë në disavantazh njërin kandidat.

Tek ne qysh nga zgjedhjet e 2014-s janë vërejtur tendenca të zhvendosjes së fushatës zgjedhore nga mediat tradicionale në rrjete sociale dhe portale, duke u theksuar së tepërmi më 2017, kur u mbajtën dy palë zgjedhje, ato parlamentare dhe lokale.

Duke pasur parasysh praktikat botërore, por edhe tendencën e politikanëve vendorë për ta zhvendosur fushatën e tyre në mediat sociale, atëherë padyshim se e gjithë vëmendja zhvendoset në këto platforma si mundësi e vetme për të komunikuar me politikanët të cilët shquhen për numër të vogël të takimeve direkte me qytetarë e posaçërisht me grupmosha të reja. Një hulumtim i Institutit Demokratik të Kosovës, i realizuar në 2017-n, tregon se vetëm rreth 15% e të rinjve në Kosovë kanë pasur rastin të komunikojnë apo të takojnë një politikan në ndonjë debat.

Tërë ky aktivitet dhe interaksion që zhvillohet në këto platforma, krahas lehtësimit të komunikimit, njëkohësisht lehtëson edhe mundësinë e përhapjes së dezinformatave, gjuhës së urrejtjes apo propagandave të ndryshme politike.

Jo që nuk është e mundur në mediat tradicionale të ketë dezinformim, por portalet dhe mediat sociale janë platforma që maksimizojnë përhapjen e një lajmi të rremë, që zakonisht tingëllon sensacional duke e përhapur atë në një kohë tepër të shpejtë dhe me një shtrirje jashtëzakonisht të madhe. Andaj edhe koncentrimi dhe çdo monitorim duhet të fokusohet tek këto platforma e sidomos gjatë kohës së zgjedhjeve.

Mediat, politikanët dhe qytetari përbëjnë një trekëndësh, që në rast se secili e kryen pjesën e vet, mundësia për dezinformata dhe përhapje të tyre do të zvogëlohet.

Autori i shumë librave mbi edukimin për media, W. James Potter, vlerëson se mediat kanë një ndikim të madh në mënyrën se si ne e perceptojmë botën dhe se si i formësojmë bindjet dhe pritjet tona. Sipas tij, duke u edukuar për përmbajtje mediale ne mund të shmangim efektet potencialisht negative nga mesazhet mediatike, përderisa i përforcojmë efektet potencialisht pozitive nga mesazhet që konsumojmë.

Roli i medias

Sot suksesi i mediave po matet me numrin e pëlqimeve dhe shpërndarjes së lajmeve në platforma online. Secili medium operon edhe në media sociale, pavarësisht a bëhet fjalë për një edicion lajmesh në TV, emision në radio apo reportazh i gazetës së shtypur. Të gjitha publikohen në media sociale dhe pastaj aty nisin shpërndarja, komentimi nga audienca dhe krijimi i trendëve që nënkupton shpërndarje masive të një informate nga përdorues të këtyre platformave, posaçërisht në Facebook.

Mediat duhet të tregojnë kujdes të shtuar që të mos shpërndajnë përmbajtje të dyshimta dhe të verifikojnë informatat që publikohen online, sidomos nga mediat online që nuk kanë adresë, nuk u dihen pronarët dhe as gazetarët që i prodhojnë ato lajme. Kjo pasi që nuk mjafton vetëm citimi i burimit se prej nga janë marrë informatat, por edhe vërtetimi i tyre. Kështu do të minimizohej mundësia e shpërndarjes së të dhëna të rreme si një problematikë aktuale.
Gjithashtu lajmet që përhapen online duhet të plotësojnë standardet (të paktën minimale) gazetareske, siç është citimi i burimeve kryesore që lidhen me temën e trajtuar, sado që ngutësia për të plasuar informatën i pari është element i rëndësishëm në konkurrencën e sotme mediale.

E ky kujdes posaçërisht duhet të shtohet në kohë fushatave zgjedhore, kur edhe fillojnë të shfaqen profile, faqe dhe portale të reja në skenë, për të cilat nuk dihet se kush menaxhon me to dhe shpeshherë shërbejnë për përhapjen e dezinformatave që mund të favorizojnë dhe dëmtojnë palë të caktuara.

Manipulimet e politikanëve në kohë zgjedhjesh

Duke qenë se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, ato të vitit 2017, partitë politike u fokusuan në të bërit fushatë në rrjete sociale, krahas përpjekjeve reale për të tërhequr elektoratin, opinioni u përball edhe me manipulime përmes lajmeve të rreme.

Aso kohe mediat kanë raportuar për portale fantome, të cilat janë hapur dhe kanë operuar me qëllim të përhapjes së propagandave ndaj personaliteteve të ndryshme politike, me qëllim të dobësimit të profileve të caktuara gjatë garës politike. Për më tepër, këto portale kanë etiketuar media serioze në vend duke u bazuar në citim të tyre dhe duke vënë në lajthitje lexuesit, të cilët në shumicën e rasteve nuk e marrin mundin të vizitojnë faqet e mediave që këto portale kinse i citojnë, në mënyrë që të verifikojnë nëse ato të dhëna janë reale.

Në këtë rast, dëmtimi i imazhit të disa politikanëve mund të ketë forcuar konkurrentët e tyre. Megjithatë nuk ka ndonjë matje reale që vërteton ndikimin që mund ta ketë pasur përhapja e dezinformatave gjatë fushatave zgjedhore, në rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.

Qytetari dhe nevoja për edukim medial

E këtu qytetari po ashtu duhet ta luajë pjesën e vet. Në kohën e dezinformimit, fake news, qasjes së lehtë në media, mundësisë së madhe të ineteraksionit me audienca të mëdha falë medias sociale, qytetari duhet të jetë i aftë të bëjë selektimin e informatave qe i servohen dhe të detektojë përmbajtjet e pavërteta, propagandën, por edhe manipulimet e tjera që bëhen përmes mjeteve të komunikimit masiv.

Për shembull, duhet të konsiderohen portalet e besueshme që kanë adresë, informata kontaktuese, emra të autorëve, datë të publikimit, përmbajtje të bazuar në fakte, citime e referenca. Ekspertët e mediave online sugjerojnë të shmangen domenet e pazakonshme si “.com.co”, pasi që zakonisht shfrytëzohen për përhapje të ‘fake news’.

Edukimi për media është qenësor për secilin në mënyrën që përmbajtjet mediale dhe konstruktimet e informacionit të perceptohen drejt dhe me një distancë të duhur në rastet kur ato informata nuk janë të plota apo kur tingëllojnë të pasakta.

Në këtë mënyrë audienca duhet të sigurohet se informacioni që merr është i saktë dhe nuk mund të bjerë pre e tendencave për manipulim të opinionit, qoftë për qëllime politike në kohë zgjedhjesh apo të përfitimit të individëve të caktuar, që tashmë e kanë shndërruar në biznes fitimprurës përhapjen e lajmeve sensacionale, që realisht janë lajme të rreme.

(Autorja është koordinatore për marrëdhënie me publikun në Institutin Demokratik të Kosovës, njëherësh edhe asistente në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës)