Braktisja nga të zhgënjyerit

Agron Bajrami Agron Bajrami 14 April 2019 08:19

Faktet janë të pamëshirshme: kriza e vazhdueshme politike, e përcjellë me abuzim në rritje të pushtetit, rezulton me shtim të dëshirës për t’u larguar në kërkim të kushteve më të mira ekonomike dhe kontekstit më të shëndoshë politik e shoqëror. Dhe kjo është një simptomë e një gjendjeje shumë të rëndë e të ndërlikuar në vend, e cila zanafillën e ka në mungesë sistematike të ekonomisë së qëndrueshme, demokracisë funksionale dhe sundimit të ligjit.

Pas skandalit më shumë se njëvjeçar politik me korrigjimin e kufijve dhe abuzimit të pozitës nga pushtetarët për punësimin e të afërmve të gjakut dhe përkatësisë partiake, rishfaqja e trendit të braktisjes së vendit nga numra të mëdhenj qytetarësh duket të jetë rrjedhë logjike e ngjarjeve. 

Ndërlidhja është e dukshme: kriza e vazhdueshme politike, e përcjellë me abuzim në rritje të pushtetit, rezulton me shtim të dëshirës për t’u larguar në kërkim të kushteve më të mira ekonomike dhe kontekstit më të shëndoshë politik e shoqëror. 

Thënë kështu, del e qartë se kemi të bëjmë me një fenomen të njohur që moti në Kosovë, të largimit nga vendlindja nën trysninë ekonomike dhe represionit politik - apo të dyjave bashkë. 

Kështu ishte në vitet ’80, pasi Kosovës iu hoq autonomia dhe iu imponua sundimi i plotë nga Beogradi. Kështu ishte përgjatë viteve ’90, kur diskriminimi dhe represioni i shtuar ndaj shqiptarëve në Kosovë linin vetëm dy mundësi për qytetarët: ikjen apo rezistencën. 

Kështu ishte pas luftës, kur çlirimi në vend të demokratizimit dhe prosperitetit u shoqërua me një kaos politiko-ekonomik. Kështu ishte edhe pas shpalljes së Pavarësisë, kur shteti i ri nisi të ndërtohej jo për të gjithë, por për një grup njerëzish në krye të tij. Dhe, tani, jemi sërish në të njëjtën pikë - në momentin kur diskutojmë për arsyet e braktisjes së vendit nga popullata, derisa arsyet i kemi të njohura shumë mirë me vite: njerëzit janë aq të pakënaqur me rrethin ekonomik, politik e social ku jetojnë, sa që nuk hezitojnë të marrin botën në sy, në kërkim të një jete më të mirë. 

Me perspektivë. Sepse nuk besojnë se këtë mund ta gjejnë në vendin ku janë lindur e ku janë rritur.

Sigurisht, rrethana e re (dhe lehtësuese) është fakti që tashmë njerëzit nuk kanë nevojë të marrin rrugën ilegale drejt Perëndimit. 

Në vend të kalimit të kushtueshëm, të rrezikshëm dhe ilegal të kufijve e lumenjve hungarezë, si në vitet 2015- 2016, sot kosovarët shkojnë në Perëndim me viza të rregullta pune dhe leje qëndrimi, ndërsa atje i pret vendi i punës, me pagë të dinjitetshme e sigurim social, shpesh edhe me banim të siguruar dhe të gjitha të drejtat e respektuara. 

Vendet, si Gjermania, Sllovenia e Kroacia kanë hapur dyert për punëtorë të kualifikimeve të caktuara, dhe largimi nga Kosova nuk shihet si problem nga Bashkimi Evropian. Por, për shumë arsye, është problem për Kosovën. 

Është tregues se vendi stagnon me vite, se qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë arritur t’i adresojnë problemet themelore, ekonomike e sociale të qytetarëve, se pushteti ka degraduar në masën që qytetari më nuk ka asnjë shpresë se shteti do t’ia zgjidhë problemet jetike. 

Faktet që e dëshmojnë këtë janë të pamëshirshme: papunësia mbetet më e madhja në rajon, niveli i shërbimeve publike mbetet më i ulëti, kostoja e jetës mbetet e papërballueshme, ndërsa paga mesatare mbetet e pamjaftueshme. 

Tutje: çdo vit korrupsioni rritet në nivel edhe më të lartë, shtresa qeverisëse bëhet edhe më arrogante, ndërsa keqpërdorimi i parasë publike shtohet deri në masën që bëhet para syve të publikut dhe pa asnjë ndëshkim për keqpërdoruesit. Janë kompromituar tërësisht nocionet e drejtësisë, meritokracisë, cilësisë, profesionalizmit, pavarësisë dhe paanësisë. 

Kosovari i rëndomtë sot nuk u beson institucioneve dhe liderëve të shtetit, nuk beson se ato duan ta gjykojnë drejt, t’i japin mundësi të barabartë, t’i ofrojnë kushte të drejta pune. Dhe, kur gjithë këtyre ua shtojmë krizën e përhershme politike në të cilën jetojmë që nga pavarësia, nën një udhëheqje politike, e cila më së miri di të prodhojë skandale politike dhe të ushtrojë represion retorik (dhe jo vetëm), atëherë është e qartë: këta që shkojnë, në fakt, nuk është se e braktisin shtetin. Këta më shumë ikin nga pushteti.

Faktet i bëjnë gjërat të jenë shumë të qarta: problemi është braktisja në masë e vendit, ndërsa shkaku është paaftësia (apo mungesa e vullnetit, pak ka rëndësi) e atyre që qeverisin vendin. 

Dhe këta që qeverisin e kanë përgjegjësinë, e cila nuk mund të shmanget me deklarimet e tipit: Ai që di si bëhet kjo punë, le të vjen të bëhet kryeministër! Problemi i braktisjes së vendit nuk është thjesht problem i atyre që gjejnë një vend pune jashtë, marrin vizën dhe shkojnë. 

Është problem edhe i atyre që mbeten në Kosovë, por ndihen të braktisur nga shteti. Apo të zhgënjyer prej tij. Dhe presin ditën kur, ndoshta, edhe ata të marrin rrugën drejt Perëndimit. Dikush për studime, dikush për punë, e dikush thjesht për një pensionim të rehatshëm. Ky nuk është një problem fiktiv, siç duan ta portretizojnë disa që janë në pushtet, as nuk është një devijim i momentit, siç mund ta shohin disa të tjerë. 

Është një simptomë e një gjendjeje shumë të rëndë e të ndërlikuar, e cila zanafillën e ka në mungesë sistematike të ekonomisë së qëndrueshme, demokracisë funksionale dhe sundimit të ligjit. 

Është tregues i sëmundjes prej së cilës vuajmë. Nëse duam ta ndalim braktisjen e vendit, do të duhej ta trajtojmë gjendjen. Ndryshe, situata vetëm do të përkeqësohet.

 agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami