OpEd

Llavë e përdalë vreri ndaj deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku!?

Shkaku dhe shkasi, si dhe mëkatet qenkan, se z. Abdixhiku, në cilësinë e Deputetit të Kuvendit të Kosovës, ka kritikuar me fakte të pamohueshme, nepotizmin që po ia zë frymën vendit e qytetarëve, e veçanërisht, po i pamundëson rinisë dhe gjeneratës së mesme Kosovare (me shkollim superior) – të punësohen në ndërmarrjet publike e institucionet shtetërore, edhe atëherë, kur përzgjidhen nga panele ndërkombëtare (siç është projekti i mbështetur nga Ambasada britanike, tash e tri vjet)!

Apo, pse të pengohen, që të paktën të marrin pjesë në gara korrekte e ligjore, e të punësohen edhe në Telekomin e Kosovës dhe gjetiu - pa pas hy në lista partiake excel-i (ku po ashtu hyhet me favore të përdala), si “në toptan”!?

Por, ka edhe diçka tjetër, që ka nxitë këtë llavë fyerjesh rrugaçërie!

Shkaku, shkasi dhe mëkati tjetër i z. Lumir Abdixhiku - për llavën ofenduese qenka se Deputeti Abdixhiku – këtë herë, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Buxhet e Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës - ka shpaluar një duzinë faktesh konkrete (pra, jo Opinionesh, por faktesh të dokumentuara!) rreth keq menaxhimit të parasë publikë, të pronës dhe aseteve të vendit e të qytetarëve të Kosovës...

Asnjëri, nga ata që lexova e që fyen..., s’flet për çështjet që ka ngritur deputeti i LDK-ës dhe kryetari Komisionit për Buxhet e Financa! Asnjëri, s’flet (natyrisht) as për (mos)kompetencën eventuale profesionale të Deputetit të LDK-ës tij, apo përgatitjen akademike, rreth çështjeve që ka ngritë ai..., ngase e dinë se Deputeti i shënjuar i LDK-ës, z. Abdixhiku, ka një arsimim të admirueshëm në Britani - “MSC in Economics and Business Analysis”, gjegjësisht, “PhD in Economics” në Staffordshire University! Dhe ka një përvojë rreth 15 vjeçare si Hulumtues gjegjësisht, Drejtor Ekzekutiv në Institutin Riinvest! Rrjedhimisht, merren me kopalla, me ofendime dhe qasje të përdalë “Ad hominem”!

A ka të meta, qasja dhe forma e opozitarizmit që aplikon LDK-ja?!

Po! Ngase është e vërtetë, se LDK dhe edhe z. Abdixhiku në këtë rast, opozitarizmin në Parlamentin e Kosovës dhe në paraqitjet publike, e kuptojnë dhe shpalojnë me fakte, dokumente e analiza përmbajtjesorë.

Pa u shkuar mendja, asnjëherë, që të përdorin Gaz lotsjellës (prodhimesh të dreqit e të birit) në Parlament. Dhe në rastin e Abdixhikut, si profesor e pedagog i nderuar, s’bëhet fjalë se i shkon ndonjëherë mendja, për të ndërsyer dhe instruktuar të tjerë (e as vetën) - që të gjuajnë Mollotov e Zolla drejt Parlamentit të Republikës sonë, drejt Institucioneve - apo mos e bir Zot, drejt oponentëve politikë!

Është kohë pa kohë! Vendi dhe pasuria e tij, po bjerret për ditë e më shumë! Dhe për këtë fakt (që gjithashtu s’është Opinion!), besojë se pajtohemi po ashtu, të gjithë!

Rrjedhimisht, as Abdixhiku dhe as LDK - sikurse as edhe një qytetar i këtij i vendi – të mos shpalojmë fakte, të heshtim e të mos veprojmë - s’na lejohet dhe s’guxojmë!

Secili, lutemi, që të bëjë punën e tij me nder, mbështetur në Kushtetutë dhe ligje..., në hapësirën mediale publike, në institucione, apo përmes postit dhe kompetencave që i janë deleguar, apo dhënë e besuar...!