Flijimi i keqpërdorur

Flaka Surroi Flaka Surroi 12 March 2019 08:09

Atë që kemi për t'ua “thënë” atyre që s'janë më, është se Kosova është kthyer aty ku ka qenë nga fillim i shekullit të shkuar, udhëhequr nga mentaliteti i cubave e kaçakëve, ku gratë e gjejnë vendin në "ligën e dytë"; ku i forti i dikton rregullat; ku krejt është e lejueshme, madje edhe mashtrimi në Parlament, edhe ndëshkimi selektiv në gjyq, edhe shpëtimi pa therrë në këmbë për faj të madh...

Deri nga fundi i shkurtit të 1998-s, pakkush do të ketë ditur se ku ishin fshatrat Likoshan e Qirez. Por masakra e parë e luftës së Kosovës që ngjau më 28 shkurt, tashmë do ta njoftonte Kosovën me gjeografinë që thuajse kurrë nuk e kishte mësuar. Nuk do të kishte shqiptar që nuk do t'i mbante në mend emrat e dy fshatrave, njëri në Gllogovc e tjetri në Skënderaj, ku edhe shpërtheu lufta.

Nisi me një sulm të UÇK-së kundër një patrulle policore serbe te "Gjashtë lisat", pak para se të mbërrihej në Likoshan, dhe përfundoi me një masakër të paparë, ku u vranë 24 civilë, përfshirë edhe një grua shtatzënë.

Përdorimi i tepruar i forcave policore e ushtarake serbe, që i futën në funksion madje edhe helikopterët prej nga, ndër të tjerë, u vranë katër vëllezërit Sejdiu, kishte për qëllim t'u tregonte shqiptarëve se këtë luftë e kishin ndërmend ta përfundonin shumë shpejt dhe se nuk do të kishin mëshirë për askënd. Dhe se viktimat më të mëdha do të ishin, sikur në të gjitha rastet që i përshkruan historia, civilët, për shkak se përherë ishin të pambrojtur dhe të paarmatosur.

* * *

Vrasja e 10 anëtarëve të familjes Ahmeti (vetëm Xhevdeti do të shpëtonte për shkak se gjatë sulmit gjendej në Prishtinë), të anëtarëve të familjeve Gjeli, Rexhepi, Nebihu... dhe e djalit të vetëm të familjes Behrami nga Baksi, në situatën kur informatat vinin me shumë vështirësi në Prishtinë, nxiti reagimin e paparë të qytetarëve, kryesisht të Prishtinës, në njërën nga protestat më masive që janë mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

E ftuar si protestë paqësore, masa u mblodh më 2 mars 1998. Nga ora 10:00, masa prej mijëra njerëzish vendosën të uleshin në tokë, dhe të protestonin qetazi. Masa sa shkonte e rritej, njësoj sikurse edhe nervozizmi i policisë që vëzhgonte nga helikopterët se çfarë po ndodhte në qendër të qytetit. Kur e vlerësuan se u bë boll më me protesta, e futën në përdorim topin e ujit në kërkim të shpërndarjes së masës. Kur as kjo nuk funksionoi, iu kthyen stilit të vjetër tashmë të dëshmuar: kondakëve dhe shqelmave. Shumë dhunë, shumë lëndime, shumë tym..., porse prej aty njerëzit dolën disi më të fortë -- me bindjen se më nuk kishin rrugë tjetër, duke ditur se Kosova tashmë kishte hyrë në luftë.

* * *

Por protesta masive nuk i luhati planet e Serbisë. Shuarja e çfarëdo shprese, qëllimi i spastrimit etnik, e pse jo edhe shfarosjes së shqiptarëve nga Kosova, do të përpiqej të arrihej me vazhdimin e masakrimit të popullatës, ofroi apo nuk ofroi rezistencë. Dhe nuk u deshën shumë ditë dhe ndodhi Prekazi.

Ngjarja u zhvillua në një shtetrrethim të çeliktë ku askush pos policisë nuk kishte mundësi as t'i afrohej Prekazit. Luftimet treditore përfunduan me vrasjen e Jasharëve dhe me nisjen e shkatërrimit të fshatrave që gjatë gjithë luftës do të ishin "trademark" i policëve dhe paramilitarëve serbë.

Jashtë Drenice u kuptua se numri i të vrarëve ishte tepër i madh. U kuptua se policia donte t'i mbulonte shenjat e krimit kinse duke ua bërë obduksionin viktimave për t'i varrosur më pas në një varr të përbashkët. U kuptua se populli atje ishte mobilizuar që t'u jepte një përcjellje të fundit dinjitoze në kushte të terrorit që e sillte me vete lufta. U kuptua se më nuk kishte absolutisht asnjë siguri se Kosova do të kishte fuqi e mundësi t'i kundërvihej një ushtrie kaq të fuqishme dhe të madhe. Tmerri i përmasave edhe më të mëdha kërcënonte, kurse bota shikonte nga larg dhe reagonte kohë pas kohe me ndonjë deklaratë.

Populli u çua për së dyti për të protestuar nën moton "Për paqe -- kundër dhunës, luftës dhe terrorit serb". U mblodhën nja 200 mijë qytetarë në Prishtinë dhe mbase po aq në vende të tjera të Kosovës -- dhe, edhe pse u shpërndanë pas disa orësh, dhe kësaj radhe jo për shkak të intervenimit policor, megjithatë e përçuan një porosi shumë të rëndësishme te perëndimorët: nëse nuk ndërmerrej ndonjë masë që do ta mbronte këtë popull, Serbia do të na hante për së gjalli.

* * *

Si çdo vit prejse ka nisur lufta në Kosovë, nuk ka shkurt a mars që nuk më kujtohen Likoshani, Qirezi e Prekazi. Dhe nuk ka herë që nuk më kujtohet Bajram Kelmendi me të bijtë, familja Berisha në Suharekë, fshatarët e ngujuar të Izbicës, Qyshkut a Mejes, fëmijët e Gjakovës... e plot njerëz të tjerë të cilëve me dhunë iu mor jeta gjatë një lufte të vrazhdë e barbare që u ushtrua ndaj njerëzve që u lindën për të vdekur në tokën e tyre.

Lufta qe kulmi i një jete të gjatë në represion, ku i gjithë një popull iu nënshtrua dhunshëm një sundimi fashist, që e vazhdonte traditën shekullore të përpjekjes për ta shuar qenien shqiptare në Kosovë, ashtu që ta zgjidhte njëherë e përgjithmonë "problemin shqiptar": qoftë me dëbim, qoftë me vrasje.

Për ne që kemi pasur fatin t'u mbijetonim të gjitha eksperimenteve të cilave na nënshtruan, në veçanti pas shuarjes së autonomisë, çlirimi i Kosovës ishte një shans i ri, për të jetuar një jetë pak më ndryshe. Një jetë ku ne do të bëheshim të zotët e vetes dhe ku vetë do ta udhëhiqnim tokën tonë, ashtu që të ndiheshim krenarë edhe me rrënjët tona e edhe me atë që e kishim para vetes.

E nëse nuk do ta bënim për vete, së paku do të duhej ta kishim bërë për ata që u flijuan vetë dhe me gjithë çka kishin në atë që doli të ishte çlirimi, të cilin na e solli NATO-ja.

* * *

Për fat të keq, nuk kemi ditur as t'u falënderohemi perëndimorëve si duhet për faktin se na i shpëtuan jetët dhe na e mundësuan kthimin në shtëpi me shpejtësi të dritës. Krejt çka kemi ditur të bënim është që të mbetemi të papjekur politikisht, të jemi servilë aty ku bash nuk ka asnjë nevojë dhe ta sakatojmë shtetin aq sa të mbërrijmë ta dërmojmë ekonomikisht për më pak se disa vjet.

Është jashtë mase zhgënjyese që edhe pas 21 vjetësh nga përshkrimi i ngjarjeve nga fillimi i kësaj kolumne, që Kosova ende nuk është shtet funksional, që e ka një ide të qartë se ku është nisur dhe se ku do që të mbërrijë. Është tmerruese që pas dy dekadash eksperimentesh politike, sa të huaja, sa tonat, skenën politike të Kosovës ta dominojnë njerëzit e njëjtë, të cilët edhe pas gjithë këtyre vjetëve ia dalin ta dëshmojnë edhe më fuqishëm të gjithë injorancën e tyre politike dhe aftësinë e jashtëzakonshme për të gllabëruar krejt atë që munden.

Është për vaj të sjellësh në mendje të gjitha ato fotografi të tmerrit, të njerëzve me fytyra të copëtuara, pa gjymtyrë, të foshnjave të pajetë, të grave të përvuajtura - teksa e sheh se çfarë ka ndodhur me vendin që ka qenë i të gjithë neve, përfshirë edhe ata të cilët i flijuan me gjithë atë dhunë, në emër të luftës për këtë tokë, të cilën ne po e shkatërrojmë ngadalë por sigurt me duart tona.

* * *

Flijimi i tyre u keqpërdor, dhe vazhdon të keqpërdoret. Premtime boshe se "flijimin do t'ua çojmë në vend" janë tepër të pasinqerta dhe janë edhe një goditje për gjithë ata njerëz që e vuajtën humbjen dhe zhdukjen e të dashurve të tyre. Dhe janë fjalë që nuk mund të përmbushen me vendosjen e kurorave të luleve një herë në vit, e as deklaratave patetike për "veprat më sublime" të këtij apo të atij.

Krejt ndryshe do të ishte po qe se sa herë të vizitoheshin këta memorialë do t'u "thuhej" atyre që nuk janë më, se Kosova ka hyrë në binarë të mbarë; me një rini që mëson e punon dhe krejt dijen e shkrin për të ardhmen e vet më të mirë; me një prosperitet ekonomik ku nuk do të kishte nevojë të merret me taksa 100%, sepse kapacitetet prodhuese në vend i ka zhvilluar aq shumë sa nuk varet prej askujt; ku njerëzit do të ndiheshin të sigurt se jeta dhe prona e tyre do të mbroheshin, sepse ekziston një polici efikase dhe një gjyqësi e ndershme; ku ajri do të ishte aq i pastër sa do të na e kishin lakminë edhe shtetet me traditë më të madhe hortikulture...

Po jo, për fat të keq, atë që kemi për t'ua "thënë" është se Kosova është kthyer aty ku ka qenë nga fillimi i shekullit të shkuar, udhëhequr nga mentaliteti i cubave e kaçakëve, ku gratë e gjejnë vendin në "ligën e dytë"; ku i forti i dikton rregullat; ku krejt është e lejueshme, madje edhe mashtrimi në Parlament, edhe ndëshkimi selektiv në gjyq, edhe shpëtimi pa therrë në këmbë për faj të madh...

I gjithë ky flijim ka merituar të "shpaguhet" me një Kosovë të mirë e të mbarë. E Kosova mund të bëhet e mirë dhe e mbarë. Madje duhet, porse këtë nuk do ta arrijë përderisa nuk lirohet nga ata që sakrificën e gjithë këtyre njerëzve e shndërruan në mjet për sundim dhe pasurim pa asnjë skrupull të vetëm.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

naimi13/03/2019 13:50

Të lumtë z.Flaka je e mrekullueshme.

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi