Çanta që peshon shumë

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 03 mars 2019 08:00

Në Enciklopedinë Pedagogjike të Jugosllavisë, botuar në fundin e viteve ‘80, mes tjerash, zinte vend një statistikë e habitshme. “Grafiku” ilustrues për numrin e studentëve ishte dizajnuar në formën e hartës së RSFJ-së. Shpeshtësia e pikave tregonte përfaqësimin e të rinjve në nivelin universitar në raport me numrin e popullsisë. Në mesin e gjashtë republikave dhe dy krahinave, harta e Kosovës kishte shpeshtësinë më të madhe. Numri i studentëve të Universitetit të Prishtinës, që nuk kishte kremtuar ende 20 vjetorin e themelimit, vlerësohej rekord. Ndryshe prej popujve të tjerë të Federatës, shqiptarët prinin edhe me dëshirën për të studiuar në universitetet e tjera, si në të Zagrebit, Beogradit, Lubjanës, Sarajevës, Shkupit...

Studimet e asaj kohe nuk ishin vazhdimësi e thjeshtë e transferimit të të gjithë maturantëve, siç ndodh sot, nga shkolla e mesme në fakultet. Studimet ishin të rezervuara kryesisht për nxënës të dalluar, që kishin prirje për të avancuar dijen profesionale e shkencore. Madje, një përqindje e konsiderueshme e nxënësve me sukses shembullor nuk ia dilnin t’i përfundonin studimet themelore. Shumë prej tyre dorëzoheshin që në vitin e parë dhe i ktheheshin realitetit, ashtu siç kishin bërë të tjerët “me dysha e tresha”, që këtë të vërtetë të “hidhur” e kishin kuptuar qysh gjatë shkollimit parauniversitar.

Ishte rregull i pashkruar që nxënësit që nuk tregonin afinitet për studime të orientoheshin me kohë në zanate, të punësoheshin në fabrika dhe shërbime të tjera profesionale, ekuivalente me përgatitjen e tyre nga shkolla e mesme. Këtë e dinin edhe prindërit e tyre, andaj të rralla kanë qenë përpjekjet për t’i shtyrë nxënësit me sukses të dobët drejt karrierës akademike.

Entuziazmi, sidomos i viteve ‘70 dhe ’80, buronte nga dëshira për t’i dhënë fund periudhës së errët të analfabetizmit. Buronte edhe nga një frymë e përgjithshme popullore e nxitur nga qarqet intelektuale të kohës. Ishte një shans i artë për të përmirësuar edhe mirëqenien e edhe statusin shoqëror.

Në një sistem të konsoliduar vlerash kulturore dhe arsimore, dija ishte komponent i domosdoshëm afirmimi.

***

Në fillim të viteve 90, regjimi i Millosheviqit i dëboi shqiptarët nga objektet shkollore. Pavarësisht kushteve dhe rrethanave të vështira financiare, të infrastrukturës dhe të sigurisë, populli gjeti mënyrat dhe format për të mbajtur gjallë shkollën, si të vetmin instrument padëgjueshmërie, mobilizimi dhe mbijetese kolektive. Secili nga protagonistët e asaj periudhe mbartë me vete histori, sa dhimbjeje po aq krenarie.

“Po i jap zor me mbyll kapitullin e studimeve”, më pati thënë një shok i imi i gjeneratës që ndiqte mësimet në Fakultetin Filozofik, dega e Sociologjisë. Një vit e kishte shijuar në objektet e Universitetit të Prishtinës, për t’i vazhduar tre të tjerë në shtëpi-shkolla. “Ua kam borxh edhe prindërve që kanë sakrifikuar shumë”, ishte arsyetimi i tij për domosdonë e kryerjes së provimeve të fundit.

Fakultetin ai e kishte idealizuar ashtu si edhe familja e tij, që po ashtu kishte nxjerrë të tjera kuadro universitare. Ishte i vetëdijshëm se nuk do të gjente punë në sistemin e kontrolluar nga regjimi i Milosheviqit. Pavarësisht se për një pjesë të qytetarëve ishin shuar shpresat se mund të bëhej mirë, ai krenohej me arritjen e tij, dhe ishte i gatshëm që për mbijetesë të punonte në ndonjë kantier ndërtimi për të mbajtur familjen që kishte mbetur pa burime financimi.

Nuk përkthehej atëbotë dot shkolla me vlerën e parasë, me vend pune, me luks e me privilegje. Të shkolluarit më shumë identifikoheshin si “ushtarë” të vijës së parë të frontit për zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë.

***

Ta trajtojnë shkollën dhe mësimdhënien si “biznes” nuk e kam dëgjuar asnjëherë as mësuesin tim, Avdi Idrizi. Ai qe 10 vjet po shijon pensionin. Me të më lidhin shumë kujtime, edhe për arsyen e thjeshtë, e kam edhe familjar e edhe fqinj. Qetësia dhe stili i tij me ngjasojnë shumë me rrëfimet për “mësuesit skandinavë” – disa kolegë të tij më shumë se të mësuesit e luanin rolin e “policit me kërbaç”.

Nga shumë episode me të, mbaj mend se si për tri javë rresht pata vajtur në shkollë, në klasën e parë, dhe ai nuk donte të më regjistronte. Je ende i ri, pa i mbushë shtatë vjet nuk mundesh me nis shkollën, më thoshte. Ishte si një lojë pingpongu. Nëna më thoshte shko, ai më këshillonte që ditën tjetër të mos shkoja, meqë normat pedagogjike nuk lejonin një gjë të tillë. Kjo zgjati derisa u detyrua një ditë të vinte vetë në shtëpinë tonë. Takoi prindërit e mi. Nuk e mbaj mend çfarë biseduan në oborr, por e di se nana si nanë më çoi në qiell me lëvdata - dinë me shkru, me lexu, me numëru... Të nesërmen me bëri një “test” për të justifikuar vendimin dhe më regjistroi në ditar, të fundin në listë.

Autoritetin mësuesi Avdi dukej se e kishte ndërtuar nëpërmjet përgatitjes shkollore, përgjegjësisë së lartë në punë, integritetit dhe karakterit të fortë njerëzor dhe kombëtar. Nuk bënte kompromis me të keqen e me të këqijtë. Është ditur publikisht që për afro 20 vjet, rrallë ka komunikuar me kolegët e tij të nacionalitetit serb në shkollë. Madje, me sekretarin që vinte nga ky komunitet dhe para të cilit përkuleshin gati të gjithë, kolegët e tij kanë rrëfyer se, nuk ka folur asnjëherë. Dhe sjellja prej nacionalisti i ka kushtuar mjaft. Asnjëherë nuk ka ushtruar poste drejtuese, ndërsa ka mundur ta paguajë edhe me jetë. Në vitin 1999, kapet nga policia dhe ushtria serbe - rrahet e torturohet gati për vdekje.

“Kokëfortësinë” dhe drejtësinë e tij e kam provuar në shkollë, por edhe vite të tjera që kemi bashkëjetuar në të njëjtën mëhallë. Ndonëse i afërm, nuk është se si nxënës isha i përkëdheluri i tij. Ai qëndrimin me autoritet e reflektonte edhe ndaj fëmijëve të tij. Por nga kjo distancë kohore, e ndiej se kishte vlerësim real, dhe nuk dyshoj në këtë – ishte kuadër i Normales, dhe kjo e bënte diferencën e tij me të tjerët dhe të nxënësve të tij me të mësuesve të tjerë.

Shumë herë pasi përfundonim orët dhe vendoste për pak kohë të qëndronte me kolegët e tij, ma jepte çantën e tij ngjyrë të zezë prej lëkure që t’ia dërgoja në shtëpi. Ishte e rëndë sa edhe ajo që mbaja në shpinë, nuk kishte as vjegë dore e as rrip krahu. Duhej mbajtur fort nën sqetull. Më shkonte mendja se po e bënte edhe me qëllim – që pas shkollës të mos bridhja me shokët.

***

Debati për arsimin nuk është ndalur asnjëherë në vitet e pasluftës në Kosovë. Por, jo aq për cilësinë e tij, për reformat dhe strategjitë e zhvillimit. Preokupimi i personelit arsimor, ka qenë se si të rritet shpërblimi për “punën e bërë”. Edhe politika ka ndjekur këtë kurs, duke e përdorur si aset të çmuar numrin e madh të të punësuarve në këtë sektor për qëllime elektorale, si dhe numrin e madh të nxënësve e studentëve, që sipas shënimeve të fundit është gjysmë milioni.

Rritja e pagave ka qenë pazari më i madh që politika ka bërë me përfaqësuesit e mësimdhënësve, dhe ai është përsëritur në secilin proces zgjedhor, dhe pas tij. Asnjëherë pagat nuk janë rritur me qëllim që t’i shërbejnë ngritjes së përgjegjësisë dhe profesionalizmit në punë, dhe asnjëherë nuk janë rritur pasi është bërë analizë shkencore mbi gjendjen reale të këtij sektori.

Preokupimi i politikës në raport me shkollën është orientuar edhe në punësimet pa kriter, në avancimet akademike dhe në kontrollin e fondeve financiare që dedikoheshin për investime. Janë ndërtuar me qindra shkolla dhe objekte përcjellëse, disa prej tyre në zonat ku trendi i migrimit të popullatës ka paralajmëruar mungesë të nxënësve në të ardhmen e afërt. Sot, për shkak të këtyre politikave të gabuara dhe kriminale, shumë shkollave u është vënë dryni, e vetë arsimit i është dhënë e mbrapshta. Testi PISA është argumenti. Të rinjtë tanë, që jetojnë në kohën e teknologjisë dhe digjitalizimit, që kanë qasje të pakufishme në informacion, kanë problem me shkrim-leximin e me matematikën elementare.

***

Gjashtë mijë marka gjermane (3 mijë eurot e sodit – sa paga e presidentit, kryeministrit, kryegjyqtarit, kryeprokurorit...) ishte shuma që përgjegjësi për financimin e shkollës fillore në Zhegër, që mbante emrin “Bashkimi” (pas luftës “Agim Ramadani”) , i duhej çdo muaj të tërhiqte nga fondi që mblidhej nga kontributet e qytetarëve për t’ua ndarë pagat afro 100 të punësuarve, në vitet ‘90. Hise në këtë shumë kishte edhe mësuesi Avdi. Nga kjo distancë kohore mendoj se çanta e mësuesit që paguhej me 40 marka në muaj, dhe që pata privilegjin ta mbaja edhe unë në dorë, në simbolikën e saj ishte një lidhje e besimit reciprok. Më shumë se kaq, ishte vlerësim për shkollën, për misionin e saj, që me krejt ulje-ngritjet na obligon t’i nderojmë me respekt ata që i dhanë hov arsimit dikur, dhe ata që punojnë sot me nder e përgjegjësi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi