OpEd

“Eyyy Merkel”, “Eyyy Europa”

“Këqyrëm në sy, pse nuk po më këqyr në sy?”: çka tregon gjuha e Rexhep Taip Erdoanit, e Vladimir Putinit dhe e diplomatëve rusë?

Edhe politikanët janë njerëz, në të shumtën e rasteve. Shajnë e bërtasin. Zemërohen kur gazetarët u bëjnë pyetje kritike. Humbin kontrollin kur mediat zbulojnë ndonjë skandal, në të cilin mund të jenë të përzier. Por politikanët e zgjuar dinë të fshehin nervozizmin së paku në paraqitjet publike. Atëherë sillen si profesionistë, të cilëve sulmet nuk u lënë shenjë. Angela Merkel është kryeshembulli i maturisë. Fjalia më e rëndë që mund t’ia thotë ajo një kundërshtari apo kritiku tingëllon kështu: “Sa i përket kësaj çështjeje ne kemi mendim tjetër”. Merkel nuk flet në veten e parë në këso rastesh, tipar ky politikanësh modestë dhe të pjekur. Natyrisht, këtu luan rol edhe edukimi. Merkel është rritur në një familje ku nxënia e dijes ka qenë prioritet. I ati i saj ishte prift protestant, e ëma mësuese e anglishtes.

Krejt ndryshe qëndron puna me Sulltanin e ri turk, Rexhep Taip Erdoanin. Në filmin “Reis”, një portret i Erdoanit nga fëmijëria deri kur e mori postin e kryeministrit më 2003, përshkruhet një djalosh shembullor, i cili përherë qetëson gjakrat dhe lutet në xhami, kur të tjerët mbjellin farën e ngatërresës, ai luan rolin e pajtimtarit. Kjo duket e pabesueshme në filmin “Reis”, sepse Erdoan është rritur në lagjen “Kasëmpasha” të Stambollit, e njohur si qendër e dhunës mes të rinjve, e përleshjes mes të fortëve, e tërbimit si pjesë e pandashme e fëmijërisë dhe e adoleshencës.

Edhe në film ka plot skena të rrahjeve mes të rinjve, ndërsa vetëm Erdoani rri i qetë si engjëll. Që kjo është vetëm fantazi e regjisorit vërehet në paraqitjet publike të Erdoanit si politikan. Kur atij nuk i pëlqen një artikull gazete, ai kërcënon se do ta çojë në burg gazetarin. Kur kritika nga politikanët apo mediat evropiane ia acaron nervat, ai pa një pa dy i fyen evropianët si anëtarë të një kryqëzate të re që ia kanë inat Turqisë për shkak të sukseseve. Thua se sukseset e Turqisë do të ishin të mundshme pa shkëmbimin e ngushtë tregtar me Bashkimin Evropian.

Kur i drejtohen njëri-tjetrit publikisht, politikanët edhe kur janë armiq ruajnë një kulturë elementare të komunikimit. Kur e bombardonte Serbinë, Bill Clintoni fliste për “zotin Milosheviq”. Mund të merret me mend sa respekt ka pasur Clintoni për diktatorin serb, por një president amerikan (me përjashtim të këtij aktual) ruan nivelin e komunikimit.

Ndryshe sillet Rexhep Taip Erdoani. Në fushatën elektorale për referendumin mbi ndryshimin e Kushtetutës, Erdoan i drejtohej kancelares gjermane Angela Merkel si të ishte në ndonjë kafehane të “Kasëmpashës”: “Eyyy Merkel!”, pastaj dihet çfarë pasonte: Merkel shpallej përkrahëse e terrorizmit dhe shtypëse e turqve në Gjermani. “Eyyy Europa” (në fakt Avrupa), pastaj një batare zemërimi. Me këtë vokabular Erdoan shpalos sfondin e tij kulturor dhe të origjinës.

Në këtë aspekt nuk dallon shumë nga presidenti rus Vladimir Putin, edhe ky i rritur në një familje të varfër dhe në një lagje problematike të Shën Peterburgut, ku mbijetonte vetëm ai që argument e kishte grushtin. Kur në vitin 2002 një gazetar francez e pyeti Putinin në Bruksel mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Çeçeni, kryetari rus u përgjigj në atë mënyrë, saqë edhe përkthyesi e humbi orientimin: “Nëse dëshironi të bëheni islamik radikal dhe nëse jeni i gatshëm të bëheni synet, ejani në Moskë. Jemi vend multikonfesional. Kemi specialistë edhe për punë të tilla. Dhe unë do t’i këshilloj specialistët që juve t’ju operojnë në atë mënyrë, saqë pastaj të mos ju rritet më asgjë”.

Një skenë tjetër: Diku në provincën ruse Putini e viziton ndërmarrjen “Proletarski”, e cila gjendet para falimentimit për shkak të konfliktit mes pronarëve. Putin i detyron biznesmenët e atyshëm të nënshkruajnë një marrëveshje për shpëtimin e ndërmarrjes, por vëren se mungon nënshkrimi i Oleg Deripaskës, njërit prej oligarkëve më të njohur rusë, i cili po ashtu ishte i pranishëm në takim me Putinin. “Deripaska, thotë Putin, nuk po e shoh nënshkrimin tënd. Hajde këtu. Nënshkruaj. Qe marrëveshja”. Deripaska çohet në këmbë, shkon në krye të tavolinës, merr një laps nga Putini, nënshkruan, dhe duke u kthyer në vendin e tij Putini i thotë: “Kthema lapsin tim”.

Sjelljet ofenduese apo kërcënuese të Putinit po gjejnë imitues edhe në diplomacinë ruse. Gjatë debatit të fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi sulmin me armë kimike ndaj popullsisë civile në Siri, përfaqësuesi i Moskës, Vladimir Safronkov, atakoi ambasadorin britanik në OKB me një gjuhë që i afrohej vokabularit të rrugaçëve. “Këqyrëm në sy! Përse po i largon sytë. Mos shiko anash! Përse po shikon anash? Mbase po frikësohesh!” Ambasadori britanik kishte kritikuar Sirinë, Iranin dhe Turqinë, të gjitha këto shtete partnere të Rusisë. Diplomati rus vazhdoi: “Mos gabo ta ofendosh Rusinë edhe një herë”.

Si Erdoani (“Eyyy Merkel”, “Eyyy Europa”) edhe Safronkov i drejtohej kritikut të tij me “ti”, jo me “ju”, siç është praktikë jo vetëm në botën diplomatike. Safronkovit i ka ardhur radha të flasë në Këshillin e Sigurimit pasi javë më parë vdiq ambasadori i Rusisë në OKB-së, Vitali Çurkin, i njohur si mbrojtës i zjarrtë i politikës së jashtme të Kremlinit, por jo si ofendues personal i kolegëve të tij.

Zyrtarja më e zhurmshme ruse pa dyshim është Maria Saharova. Ajo është zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. Revista gjermane “Der Spiegel” e ka quajtur “ekspertja e Putinit për fashizëm”. Saharova me lehtësi i kualifikon artikujt e mediave evropiane si fashizëm, për Qeverinë ukrainase thotë se “së shpejti do të zhduket në gjithësi”, ndërsa me siguri të plotë nënvizon se “për euroburokratët është kthyer koha e shenjtë e inkuizicionit”. Edhe Rexhep Taip Erdoani flet për kryqëzata. “Eyyy Merkel”, “Eyyy Europa”.