OpEd

Një histori të cilën askush nuk mund ta ndryshojë

Në çdo histori kredibile të Kosovës, greva tetëditëshe e minatorëve në Stantërg, prej 20-27shkurt 1989, konsiderohet si momenti kyç, i cili, në një anë, aktivizoi alarmin tek shoqëria kosovare se tashmë ishte nën sulm brutal prej Beogradit, dhe në anën tjetër ia hap sytë botës për ato që në Kosovë janë duke ndodhur dhe do të ndodhin, duke e bërë në njëfarë mënyre të pashmangshëm fundin e kësaj historie: intervenimin e Perëndimit në mbrojtje të Kosovës dhe popullit të saj nga një pushtim ilegal, të dhunshëm, dhe në fund edhe tërësisht kriminal nga Serbia. Këtë histori nuk ka kush e ndryshon

Të pakta janë ngjarjet (apo dhe figurat) në historinë e re politike të Kosovës rreth të cilave nuk ka debat polemizues dhe kundërshtime, shpeshherë të skajshme e të papajtueshme. Në këto ditët tona tashmë gjithçka u nënshtrohet kontestimit, rivlerësimit dhe interpretimit. Prej ngjarjeve historike deri tek synimet strategjike të vendit dhe popullit, që të gjitha po futen në atë kazanin në vlim të debateve të ndezura mes palëve të ndara nëpër taborë partiakë, rajonalë, kuazi-ideologjikë dhe grupeve të interesit kryesisht financiar. Apo si në rastin e polemikës “kush e shpalli Pavarësinë e Kosovës”, apo të asaj se “kush e vendosi taksën ndaj Serbisë” – janë thjesht përplasje mes inateve personale dhe nevojës për ndërtimin e ndonjë kulti të personalitetit apo mbledhjes së poenëve zgjedhorë.

Kështu, gati asgjë nuk ka mbetur pa u keqpërdorur e manipuluar për hesape e interesa personale të njerëzve që dominojnë hapësirën publike.

Gati asgjë. Pra - jo të gjitha.

* * *

Një ngjarje e tillë, që nuk ka mundur të privatizohet nga askush, është ajo e para 30 vjetëve, kur minatorët e “Trepçës” hynë në grevën e urisë, në tokën e Kosovës veriore, për të mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj nga agresioni serb.

Në çdo histori kredibile të Kosovës, greva tetëditëshe e minatorëve në Stantërg, prej 20-27shkurt 1989, konsiderohet si momenti kyç, i cili, në një anë, aktivizoi alarmin tek shoqëria kosovare se tashmë ishte nën sulm brutal prej Beogradit, dhe në anën tjetër ia hap sytë botës për ato që në Kosovë janë duke ndodhur dhe do të ndodhin, duke e bërë në njëfarë mënyre të pashmangshëm fundin e kësaj historie: intervenimin e Perëndimit në mbrojtje të Kosovës dhe popullit të saj nga një pushtim ilegal, të dhunshëm, dhe në fund edhe tërësisht kriminal nga Serbia.

Këtë histori nuk ka kush e ndryshon.

Një tjetër anë e kësaj historie, që e bën atë edhe më madhështore, është se ajo nuk identifikohet me asnjë lider politik. Është kryekëput histori e një populli, i cili ngrihet jo thjesht kundër një pushteti, por kundër një pushtuesi, jo për të ngritur në pushtet një njeri apo një sistem, por për të ngritur lart zërin në kërkim të lirisë për një komb të tërë.

Sigurisht, nuk është kjo histori pa aktorë individualë dhe me peshë.

Siç ishte Azem Vllasi, lideri komunist i Kosovës së asaj kohe, të cilin regjimi serb i Slobodan Milosheviqit e sulmoi meqë e kishte pengesë për ta futur Kosovën plotësisht nën kthetrat e veta.

Siç ishin menaxherët e “Trepçës”, Aziz Abrashi dhe Burhan Kavaja, të cilët moshezitimin e vet për të përkrahur kauzën e minatorëve e paguan me burgim nga regjimi serb, si organizatorë të grevës së minatorëve.

Siç ishte edhe Kaqusha Jashari, e shkarkuar bashkë me Vllasin nga udhëheqja e partisë së Kosovës për shkak se i rezistonte Serbisë së Milosheviqit.

Ka dhe shumë të tjerë - gazetarë, profesorë, mjekë e studentë, gra e burra, qytetarë të të gjithë Kosovës.

Por, para të gjithëve janë minatorët. Ata 1.300 njerëz të Kosovës që u futën në horizontet e Stantërgut, të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetën, për të mbrojtur vendin dhe popullin e vet.

* * *

Greva e minatorëve dhe protestat e shkurtit 1989 ishin një betejë, të cilën Kosova e humbi. Jugosllavia e kontrolluar nga serbët vendosi masa të jashtëzakonshme në Kosovë. Arrestoi ata që i identifikoi si liderë e simbole të grevës dhe protestës, e shtrëngoi grushtin e kontrollit policor e ushtarak ndaj Kosovës, dhe hapi një kapitull të ri të pushimit të vet në Kosovë, i cili do të shquhet nga brutaliteti dhe represioni i shtuar, arrestime e vrasje, gjykime e dëbime. Regjimi serb detyroi qëllimisht shqiptarët e Kosovës të organizojnë jetën e vet në sistemin paralel, si qytetarë të rendit të dytë, duke nxitur edhe largimet masive të rinisë së Kosovës.

Por i gjithë ky represion shërbeu edhe si motivim për rezistencën e shqiptarëve të Kosovës, së pari në një lëvizje masive paqësore, e më pas edhe në një luftë të armatosur, e cila përfundoi me disfatën përfundimtare të regjimit fashist serb të Milosheviqit – 10 vjet pas grevës së minatorëve.

Andaj greva e shkurtit 1989, edhe pse ishte një betejë e humbur, njëkohësisht ishte dhe një betejë që e nisi një luftë të fituar për Kosovën.

Dhe këtë meritë askush nuk mund t’ua marrë as minatorëve, as popullit të Kosovës.

agronb@kohaditore.com