Shën Valentini romantiko-politik 2019

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 18 February 2019 08:18

Sot pritet se do të jetë një ditë shumë dinamike dhe me të papritura, dhe surpriza të shumta romantiko-politike. Se çfarë do të pjellë ky muaj, kur edhe macet janë në kërkim të romancave të tyre, na mbetet të presim dhe të shohim. E enjte, 14.2.2019. Rastisi që shkrimi i radhës në ditarin tim të ndodhë në ditën e të dashuruarve, pra në Ditën e Shën Valentinit.

Të gjithë të dashuruarve shumë fat dhe shumë dashuri edhe për shumë mot! Ndërkaq të dashuruarve dhe protagonistëve më të famshëm të këtij shekulli do t’ua bëjë një rëntgen diplomatik politiko-romantik. Në skenën politike dashuriçkat janë paksa më të komplikuara. Edhe këto vendoret, e edhe ato dashuriçkat në distancë shënojnë ngritje në dramaticitetet e tyre.

Kryeministri Haradinaj po thotë se ai e do Amerikën, mirëpo taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk do ta heqë. Amerika, në anën tjetër, gjithashtu thotë se edhe ajo shumë e do Kosovën, dhe çuditet se si Kosova ia kthen fjalën asaj kur kjo kërkon nga Kosova që ajo taksë të ndërpritet. Por kryeministri Haradinaj është burrë, edhe “burrat flasin vetëm një herë”! PleHsidenti Thaçi i do të gjithë, edhe Amerikën edhe BE-në, edhe Rusinë edhe Turqinë, nga pak edhe Serbinë, dhe po deklaron që s’do të ketë viza sivjet po që se nuk hiqet taksa ndaj produkteve serbe. Pse Hashim, a kemi me ia harxhu Evropës të gjitha vizat e kanë me mbet pa to për me na i dhanë a? Edhe kryeparlamentari Veseli po deklaron se ai e do shumë Amerikën, dhe se edhe dashuria për Thaçin nuk është zbehur edhe pse partner zyrtar e ka Haradinajn. Po ku di zemra çka është zyrtarizimi? Dashnia e parë nuk harrohet! Edhe Aleksandri po vuan shumë.

Ai nuk po thotë se Serbia e do as Amerikën, e as Evropën, Kosovën e ka zemër, mirëpo taksa po e bën që të vuajë shumë. Serbisë vuajtja nga kjo dashuri i është kthyer në anoreksi dhe humbje totale të apetitit. Po e “lut” Hashimin amputoma Luginën, Medvegjën dhe Preshevën, dhe asgjë mos më jep, vetëm më jep dashuri dhe ma hiq taksën. Edhe Isa Mustafa po e përjeton një romancë të vonshme, kësaj radhe me Albinin. Çift simpatik. Së paku Dita e Shën Valentinit do t’i gjejë në paqe dhe në përqafim politik këtë çift të ri. Një çift i ri politik për këtë Shën Valentin na dolën Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, dy kryenegociatorët e Delegacionit kosovar për aminimin e bisedimeve të PleHsidentit me Serbinë. Fillet e romancës së tyre politike po i kalojnë me takime romantike-politike në Bruksel. Mirëpo, jo të gjitha çiftet janë duke kaluar nëpër çaste romantike. Situata pak më e tendosur është tek një çift i hidhëruar romantiko-politik.

Nuk e dimë nëse ata të dy do të arrijnë që t’i tejkalojnë inatet e tyre dhe kapriçiot romantike, së paku sot për Shën Valentin. Bëhet fjalë për çiftin politiko-romantik Mimoza Kusari dhe Ilir Deda. Sikur të vijë deri te ndarja e tyre përfundimtare e pariparueshme, atëherë njëri nga ta mbetet Alter, ndërsa tjetri Nativa. Edi Rama vazhdon që të mos e dojë Sali Berishën, dhe kjo urrejtje mbetet e ndërsjellë si nga ato serialet latino-amerikane. Por Edi është në dashuri të thellë me veten e tij. Është duke u përvëluar në kazanin e dashurisë, duke vuajtur se përse Edi nuk e do Edin, sot më pak se dje e më shumë se nesër. Në skenën romantike botërore vazhdon drama indiane e quajtur Brexit. Romanca ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian ka kohë që ka përfunduar, mirëpo zyrtarizimi formal dhe ndarja legale ende hasin në vështirësi. BE-ja e do shumë Anglinë, dhe nuk e do jashtë përqafimit të saj dhe orgjive me 26 anëtaret e tjera, mirëpo ja që Anglia është ngopur nga një dashuri e tillë dhe dëshiron që në jetën e saj romantiko-politike të provojë dhe shijojë edhe romanca të reja të paeksploruara politike. Ky mund të jetë Shën Valentini i tyre i fundit së bashku, por të ndarë.

Amerika e ka gjithashtu Portokallinë e saj romantiko-politike-humoristiko-tragjike, të quajtur Donald Trump. Edhe ky është një nga ata të dashuruarit në veten e vet, verbëria nga dashuria e tij narcistike i ka vendosur Amerikën dhe administratën e saj në një pozitë qesharake karshi partnerëve të saj ndërkombëtarë dhe një shumice intelektuale amerikane, të cilët assesi nuk pajtohen me qasjen e Trumpetës. Ky deklaron se nuk e do Rusinë, por përflitet për xhirimet nga dhoma të hotelit në Moskë para kohës kur Trumpi u zgjodh president, ku Trumpi joshej dhe nuk rezistonte bukurinë ruse. Disa sosh, në të njëjtën kohë. Përflitet edhe për “dush të artë” nga bukuroshet ruse. Por si duket nëse këto xhirime ekzistojnë diku, ato mund të jenë vetëm në sirtarin e Putinit, dhe kushdo që ka qenë akter apo pjesëmarrës në to (përveç Trumpit) ka kohë që mund të jetë dy metra nën tokë, e tani ato vetëm i shërbejnë Putinit për shantazhet e tij ndaj Amerikës. Sidoqoftë, kjo ishte diçka nga sirtarët e konspiracioneve diplomatike, dhe ne ndoshta kurrë nuk do ta kuptojmë të vërtetën, por nga ajo që unë kam parë edhe më parë nga sjelljet e këtij njeriu me gjininë më të bukur dhe sjelljet e tij në përgjithësi, personalisht nuk do të çuditesha aspak edhe sikur këto konspiracione të qëndronin të vërteta.

Qysh nga koha e reality show “Apprentice”, ku Donald Trump merrte pjesë si punëdhënës dhe biznesmen, dhe ku të rinjtë ishin në gjendje që të bënin çmos vetëm që të ishin të përzgjedhurit e tij në “projekt”, vërehej qasja e tij e poltronit dhe një narcisi eklatant. Unë një punëdhënës të tillë poltron kurrë nuk do ta duroja për shef timin. Edhe ashtu jam kampion në numrin e dorëheqjeve të dhëna gjatë karrierës sime, pak apo shumë, për arsye të ngjashme.

Pasi që veç e përmenda Putinin, edhe ky është nga këto llojet narcistike, që është i dashuruar në veten e tij, por qëndrimi i tij i ftohtë rus e kamuflon atë, fytyrë me mimikë dhe buzëqeshje të ngrirë. Por vetëm Universi e di se si sillet ai dhe çfarë monologu bën ai para pasqyrës së tij në dhomën e vet të fjetjes? “Pasqyrë moj pasqyrë, kush është më i bukuri në botë”? “Hamami i Hyrës do t’ia kthente pasqyra”. “Kush është Hamami i Hyrës”, do të pyeste Putini me ton të ngritur? ”Është Pussy Riot” do t’ia kthente pasqyra, dhe 10.000 copëzat e saj as ata poçarët e qeramikës më delikate kineze më nuk do të mundnin që t’i bënin bashkë. Por një gjë është e sigurt. Këtë Shën Valentin, Putini do të kalojë në përqafimin e Pashës, deltarit ilir, të cilin ia dhuroi Vuçiqi, kur Putini e vizitoi Beogradin. Sot pritet se do të jetë një ditë shumë dinamike dhe me të papritura dhe surpriza të shumta romantiko-politike. Se çfarë do të pjellë ky muaj, kur edhe macet janë në kërkim të romancave të tyre, na mbetet të presim dhe të shohim. Jo të gjithë lexuesit e ditarit tim mund të jenë në dijeni mbi muzeun e Madame Tussauds në Londër. Ky muze është i njohur botërisht për figurat e saj të dyllit, të cilat janë të punuara me një delikatesë aq precize, dhe të cilat ngjasojnë aq shumë me personat realë që ato përfaqësojnë. Me mijëra turistë e frekuentojnë atë muze brenda ditës dhe aty bëjnë foto me Winston Churchill, Mbretëreshën Elizabeth të Britanisë së Madhe, me The Beatles, me Michael Jackson, Princeshën Diana, e shumë e shumë personalitete të shquara botërore, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë britanike, si dhe atë botërore, gjatë periudhave të ndryshme historike.

Më 22 gusht të vitit 1995 nga prindërit Anesa dhe Dukagjini erdhi në jetë Dua Lipa, e cila u lind në St. Mary’s Hospital, jo shumë larg nga muzeu Madame Tussands. Atë kohë unë jetoja në Chalfont Court, “Baker Street”, ndërsa familja Lipa në Chiltern Court, “Baker Street”. Largësia jonë fizike nga muzeu i famshëm botëror ishte 100 metra. Tani, pas 24 vjetësh, njëra nga figurat e dyllit, që do t’i ketë ngjashmëritë dhe përmasat identike me ato të personit real do të jetë figura e Dua Lipës, në kuadër të muzeut Madame Tussauds, e cila do të promovohet me datë 15.2.2019. Unë nuk di si t’ua përshkruaj mburrjen, si dhe domethënien e sukseseve të kësaj vajze të re shqiptare nga Kosova, të cilën unë e kujtoj qysh nga koha kur ajo u lind. Dukin e kisha shok qysh nga Kosova, ndërsa në Londër na rastisi që të ishim edhe fqinjë, si dhe të ishim anëtarë të rock grupit ODA së bashku me Labinot Krasniqin, dhe të cilët në vitin 1995 disa muaj pasi që Dua erdhi në jetë nxorëm edhe CD-në e parë “Rrugë e Mbarë”. Gjithsesi, nuk duhet harruar të përmend edhe Besim Hajdinin, si dhe Petrit Rizajn, të cilët ishin mysafirë bashkëpunëtorë. Ajo kohë do të mbetet e gdhendur në kujtimin tim përgjithmonë. Shumë punë, shumë përkushtim, shumë nostalgji dhe emocione, si dhe shumë dëshira dhe ambicie.

Por “Rrugë e Mbarë” nuk mbeti vetëm një titull i një kënge nostalgjike dhe i një rock albumi të një bendi kosovar në Londër, “Rrugë e mbarë” mbeti dhe do të jetë edhe rruga “Baker Street”, ku Dua jonë e madhe mori edhe hapat e saj të parë, ndërsa tani po e vulos suksesin e saj edhe me kukullën e saj nga dylli me përmasat natyrale të Duas, në kuadër të muzeut Madame Tussauds në “Baker Street” të Londrës. Të dua, Dushe.

P.S. Ramush mos e hiq taksën! ...

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani