Zhvatja industriale e shtetit dhe pagat

Melihate Termkolli Melihate Termkolli 11 February 2019 18:43

Në zgjedhjet nacionale të vitit 2010, atëbotë ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, deklaroi se është bërë “vjedhje industriale” e votave, e nënkuptuar me përfitues të kësaj vjedhjeje, PDK-në. Pas nëntë viteve, tani, ata që ushtruan vjedhje industriale të votave, me disa përforcime të reja, me ligjin për pagat e shtrinë në përmasa industriale zhvatjen e shtetit dhe parasë publike.

Për të përligjur dhe arësyetuar zhvatjen industriale pushtetore. Vjedhja industriale e votës solli zhvatjen industriale të shtetit, për vjedhje të sërishme industriale të votës. Tani, në mënyrë institucionale, krejtësisht hapur dhe me “vullnetin e popullit”.

Baza politike e këtij ligji qëndron në ngritjen enorme të pagës së kryeministrit, qeverisë dhe zyrtarëve tjerë politik ndërsa në rrafshin praktik kjo bazë ndërlidhet me nivelizimin e pagave në shërbimin civil, që të dyja këto baza skajshmërisht të gabuara e të dëmshme.

Në aspektin profesional, zbatimi i modelit të nivelizimit të pagave në shërbimin civil dhe shtrirja e këtij modeli si bazë edhe për shërbimet tjera është gabim dhe shkelje ligjore. Shërbyesit civilë janë kategori e veçantë ligjore e përcaktuar me Ligjin për Shërbimin Civil (2010), ashtu siç është përcaktuar qartë me këtë ligj edhe cilat kategori nuk hyjnë në shërbimin civil (punonjësit e arsimit, shëndetësisë, të kulturës etj.). Rrjedhimisht as pagat dhe sistemi i pagave nuk mund të bëhet mbi baza të njëjta. Në asnjë rast, shërbimi civil dhe as përfaqësuesit politik nuk mund të shërbejnë si bazë e sistemit të pagave për shërbimet tjera profesionale. Është gabim esencial ngatërrimi i të gjitha këtyre kategorive dhe futja e të gjithëve në “një thes”. Pagat e punonjësve të arsimit, shëndetësisë etj. duhet të përcaktohen në mënyrë të veçantë, bazuar në natyrën e veprimatrisë që ushtrojnë, që do të thotë zbatim i parimit të decentralizimit të sistemit të pagave dhe ligj e rregulla të veçanta për paga për punonjësit e secilës veprimtari publike ose me interes publik. Është jashtë çdo logjike që paga dhe koeficienti i pagës së një punonjësi të arsimit, mësues, profesori universitar etj, apo të një mjeku të njëjtësohet me koeficientin dhe pagën e nëpunësit shtetëror ose zyrtarit politik. Ligji/et për pagat e punonjësve të arsimit, shëndetësisë, kulturës etj. koeficienti i pagës së tyre etj.duhet të jenë të ndara nga ligji për pagat e shërbyesve civilë, ashtu siç duhet të ketë ligj të veçantë edhe për punonjësit e ndërmarrjeve publike. Përcaktimi i pagave dhe koeficientëve për punonjësit e ndërmarrjeve publike dhe të ngjashme, me këtë ligj ka tejkaluar edhe imagjinatën e mendësive neodiktatoriale.

Me sa u pa, tërë këtë kohë, nuk ka qenë qëllimi i ndërtimit të sistemit të mirëfilltë të pagave, por thjeshtë qëllime me prapavijë politike. Maskarada në Kuvendin e Kosovës me rastin e miratimit të këtij ligji shpërfaqi tërë bizaritetin dhe qëllimin zhvatës të shtetit si dhe mashtrimin e punonjësve për rritje të pagave. Ajo ishte veç përligjje e pangopshmërisë së politikanëve për të zhvatur paranë publike duke bërë hisedarë të zhvatjes edhe punonjësit të cilët të nxitur nga politika nuk i rezistuan tundimit “për paga e jetë më të mirë” ( si jeta e politikanëve, kur ata mund të trefishojnë pagën e vet pse të mos trefishohet edhe paga e mësuesve, mjekëve dhe gjithë të tjerëve?!). Duket normale për mendësinë që po dominon shoqërinë dhe shtetin tonë! Por e dëmshme dhe e paqëlluar! E vetmja gjë me vlerë dhe mbase edhe me efekte afatgjata do të ishte cilado formë e reagimit kundër rritjes së pagave të qeverisë dhe hartimi i ligjit për paga mbi baza reale. Reagimi me bojkotim të punës dhe greva në arsim e gjetiu nuk ka zgjidhur asgjë, përveç acarimit të mëtejmë të shumë kategorive që përfshihen në ligj e të cilët mbetën pa rritje të pagave sepse sponzorët politik nuk qenë aq të fuqishëm sa të imponojnë në Kuvend kërkesat e tyre. Kjo mënyrë mund t’ju shkojë përshtati shoqërive parapolitike me tendenca anarkike, por një shteti demokratik dhe një institucioni shtetëror, assesi.

Pasojat nga ky ligj, nëse nuk tërhiqet do të jenë të mëdha dhe afatgjata, për shtetin, shoqërinë dhe në fund të fundit për vetë ata punonjës të cilëve “iu ngritën” pagat. Të gjithë ata që kujtojnë se do të marrin paga më të mëdha dhe do të rehatohen, gabohen rëndë. Edhe për një njohës të rëndomtë të ekonomisë dhe nisur nga përvojat e kaluara, çdo rritje e pagave pa bazë të rritjes ekonomike ka rezultuar me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe produkteve tjera me çka nuk do të ndryshojë për asnjë milimetër cilësia e jetës së përfituesve të pagave të rritura. Përkundrazi, kriza dhe varfëria do të thellohen. Në anën tjetër, edhe po të rriten pagat nuk ka asnjë garancë për rritje të cilësisë së punës në ato fusha për faktin e thjeshtë se baza e pagës nuk ndërlidhet me asgjë me cilësinë e punës.

Të mos flasim për efektet tjera negative që nënkuptojnë më pak punësim e me këtë zbrazje e mëtejme e Kosovës nga të rinjtë dhe kategori tjera, më pak zhvillim ekonomik, dërmim i sektorit privat të ekonomisë etj. FMN ka tërhequr vërejtjen për pasoja të mëdha për Kosovën në rast të zbatimit të këtij ligji.

Të vetmit përfitues real, mund të jenë ata që i bënë hisedarë të zhvatjes industriale edhe punonjësit e arsimit, shëndetësisë etj. për të kërkuar votën e tyre e mbase edhe për ta marrë atë në mënyrë që të zhvatin edhe më shumë shtetin.

Për të “shpëtuar” nga ligji për pagat e vetmja zgjidhje e drejtë është ribërja e tij, ose bërja e ligjeve për paga në të gjitha fushat publike, me një qasje të drejtë për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të pagave.

Anulimi i vendimit për rritje të pagave të qeverisë dhe zyrtavë tjerë, është hapi i parë i domosdoshëm.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Atilla13/02/2019 16:54

Shefi yt R.H. e boni kete ligj, pse spo e permend?

Shto koment

Tjera nga Melihate Termkolli