Për një plesht nuk digjet jorgani

Flaka Surroi Flaka Surroi 05 shkurt 2019 08:03

Kosova nuk meriton të digjet për një njeri që çdo ditë e më tepër beson se është mbreti i saj dhe i cili fajet e veta do që t'ia lërë kile asaj

Tri javë grevë arsimtarësh përfunduan ashtu siç nisën -- me marrëveshje ndërmjet SBASHK-ut dhe PAN-it. Ajo që u nis gjatë fushatës zgjedhore, kur përfaqësuesit e mësimdhënësve e shitën fjalën e vet (lexo votat) për premtimin për rritje pagash, përfundoi me marrëveshje për rritje laramane pagash të arsimtarëve, jo sipas kualifikimit, por sipas ciklit shkollor në të cilin japin mësim.

Ndërkohë shumë segmente të tjera u lajmëruan se do të protestonin me greva po qe se Ligji për Pagat do të votohet nga Kuvendi në seancën e sotme. Është e logjikshme që në një mishmash të këtillë të krijuar prej vitesh me improvizime dhe udhëzime e vendime të mos munden të kënaqen të gjithë. Porse që të gjithë do të mbesin të pakënaqur dhe të frustruar me rritjen e pagave që Qeveria ia bëri vetes vjet, e që në fakt qe katalizatori i këtyre pakënaqësive.

Nga ana tjetër, mbetet fakt i pamohueshëm se ky ligj nuk është punuar si duhet dhe nuk ka pasur debat më të gjerë në lidhje me të. Se a do të fusë rend apo do ta bëjë edhe më hallakamë punën, mbetet të shihet. Porse gjasat janë se posa të shfaqet nevoja për një turbullim politik që mund të çojë te zgjedhjet e reja, ligji do të shërbejë si alibi shumë e fuqishme për këdo që do të dojë ta rrëzojë këtë Qeveri.

Taksa, kokëfortësi, populizëm a patriotizëm?

U bë tashmë një kohë prejse u fut në fuqi taksa e famshme kundër produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Dhe si asnjëherë më parë, nuk ka pasur aq shumë presion që ajo të hiqet apo të suspendohet.

Më të zëshmit përherë qenë përfaqësuesit e BE-së, të cilët thoshin se ajo e rrezikonte vazhdimin e negociatave. Po ajo BE e cila nuk pati asnjë fjalë reagimi për pengesat e përhershme që i bënte Serbia ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, pavarësisht marrëveshjeve paraprake të arritura mu në Bruksel.

Kur presioni evropian nuk bëri punë, nisi të dëgjohej zëri i Amerikës. I fundit që u deklarua për këtë punë është ambasadori i ri amerikan Kosnett, i cili kërkoi që të suspendohet taksa, për shkak se ashtu do të ishte më mirë për Kosovën.

Megjithatë, edhe pas takimit me të, me liderët e koalicionit qeverisës dhe me kryetarin, Haradinaj nuk heq dorë -- vazhdon ta përsërisë se taksa hiqet në momentin që Kosova pranohet si shtet nga Serbia. Dhe se këtë nuk e bën për t'i kundërshtuar amerikanët por rusët.

Atë që e dimë për efektet e futjes së taksës është se tash Serbisë po i paguajmë shumë më pak për mallin që na e shiste, për shkak se nuk po e blejmë më. Ekonomistët, nga ana tjetër, thonë se kjo ka ndikuar te rritja e çmimeve, posaçërisht të bukës. Në masë thuhet se ky vendim është dashur të merrej moti dhe se mbase gjëja më e mirë që ka pasuar është se produktet nëpër dyqane tash identifikohen me flamujt e vendeve të origjinës.

Dikush do të thoshte se Haradinaj po tregohet kokëfortë me vendimin për të cilin para një kohe thuhej se kishte pasur shumë ideatorë, e të cilin tash ka mbetur i vetmuar për ta mbrojtur, pa e kuptuar arsyen e vërtetë. Nga ana tjetër, pas trysnisë së shtuar Haradinaj u është drejtuar me shkrim qeverive evropiane dhe asaj të SHBA-së për ta shpjeguar arsyen pse insiston që të mbahet taksa: nga shtetet e BE-së e ka kërkuar liberalizimin e vizave, nga amerikanët përkrahjen për organizimin e një konference paqeje, ku do të zgjidheshin negociatat me Serbinë. Dhe këtu, besoj, e ka bërë një gabim të madh. Konferenca e Paqes është gjëja e fundit që i nevojitet Kosovës, për shkak se e kthen në pikën ku ka qenë para njëzet vjetësh.

Elementi i tretë i sagës së taksës kufizohet te populizmi -- sepse Haradinaj, duke ditur sesa euforikë mund të bëhemi, është duke marrë përkrahje jo vetëm nga votuesit e vet për këtë vendim. Pra, thuhet se është duke kalkuluar që t'i mbulojë krejt skandalet e Qeverisë së tij me këtë veprim, përderisa gjithë kohën po ia qesin gogolin e zgjedhjeve të parakohshme para syve, e që mund të ndodhin, siç e kemi përsëritur sa herë, në çastin kur për këtë të vendosë Thaçi.

Sido që të jetë, taksa është temë e pashmangshme dhe e përditshme, e cila nuk hiqet nga rendi i ditës, pavarësisht problemeve shumë serioze sociale, si dhe pavarësisht negociatave të cilat megjithatë po vazhdojnë larg vëzhgimit direkt të opinionit.

Koordinimi Thaçi-Vuçiq

E negociatat jo domosdo nënkuptojnë takimet bilaterale me ndërmjetësimin e Brukselit. Ende krejtësisht e paqartë vizita e Ahmetit dhe Limajt javën e shkuar në Bruksel dhe takimi i tyre me një këshilltare të Mogherinit, në shembullin tipik të devalvimit të vlerës së delegacionit shtetëror për negociata.

Delegacioni nga Thaçi e mori një dokument 9 faqesh, me 9 pika, ku përshkruhen disa kinse parime, por që as nuk e vërteton e as mohon një marrëveshje eventuale që ka mundur të jetë arritur pa e ditur askush pos Mogherinit dhe Thaçit e Vuçiqit. Delegacion, i cili ia dha legjitimitetin e plotë Thaçit për të vazhduar bisedimet, me gjasë më parë pa ta sesa me ta në tavolinë, dhe delegacion që e hartoi një ligj apo, më mirë thënë, një platformë që nuk e përjashton pazarin për kufijtë që askush nuk e do pos Thaçit.

Nga ana tjetër, të dy kryetarët, mbase dhe në kohë të njëjtë, ia nisën nga një letër Trumpit për t'i treguar se sa falënderues janë për përkrahjen dhe për gatishmërinë që të shkojnë në Amerikë për ta nënshkruar një marrëveshje, që, sipas frazave bajate të Thaçit, do ta sjellë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Ajo që nuk ndal së shokuari është lehtësia me të cilën Thaçi ia jep vetes të drejtën që të flasë në emër të Kosovës, e më keq edhe të veprojë në emrin e popullit të vet: "...Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë".

Mbase dikush do të duhej t'ia kujtonte atë që ky bashkë me këshilltarët e vet e dinë mirë: se kryetari i Kosovës nuk i ka fuqitë ekzekutive të kryetarit amerikan, dhe se atë në këtë post e ka zgjedhur Kuvendi (me këtë rast nuk po merremi me mënyrën se si u zgjodh). Pra, përderisa mund ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ai nuk e ka autorizimin të bëjë kompromise asfare për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të cilën e sheh në ëndërr dhe të cilën nuk përton ta shpjegojë në konferencat e veta për shtyp (që besa moti nuk i ka mbajtur). Nëse edhe do ta merrte përkrahjen e delegacionit shtetëror që nuk e përfaqëson konsensusin nacional, përfundimisht për këtë punë nuk e ka përkrahjen e të gjithë popullit. Sepse ende ka shumë njerëz që mendojnë që idetë ruse për korrigjime kufijsh, të cilat "gud gajs" përpiqen t'i shtyjnë, nuk janë në interes, në rend të parë, të Kosovës.

Zhagun natyrisht se ia mban dosti i tij Vuçiqi, i cili në letrën e tij Trumpit pak a shumë e thotë të njëjtën gjë, porse që kërkon që taksa të hiqet para se të vazhdojnë negociatat publikisht. Ndërkohë është thuajse e sigurt se vazhdon kontakti i këtyre dyve për t'ia lidhur kokën një gjëje nga e cila, po qe se arrihet, Kosova do të dalë e përvëluar.

Shpëtimi personal me çmim të lartë

Mbase njëra nga shenjat që tregon se nuk e ka ndërmend të ndalet është njëfarë plani i përshkruar në një shqipe të keqe e plot gabime gjuhësore që ka qarkulluar nëpër rrjete sociale pardje. Sipas atij përshkrimi 16-pikësh, që përmban këmbime territoresh, statuse speciale për Bujanocin dhe Mitrovicën; eksterritorialitet për kishat ortodokse serbe; faljen e reparacioneve të luftës; privatizimin e Ujmanit dhe të Trepçës për 99 vjet; zgjatjen e mandatit të KFOR-it edhe për 33 vjet dhe krijimin e ca bazave ushtarake, e të ngjashme -- kjo është pak a shumë çka ka mundur të jetë diskutuar deri tash në Bruksel. Duke ditur se asgjë nga ato bisedime nuk ka qenë publike, edhe mund të jenë të vërteta. Porse gjithashtu mund të jenë një balon provues për të parë se si do të reagojë masa.

Dhe vërtet nuk e di cili është reagimi i atyre që e kanë lexuar këtë përmbajtje. Popullin tonë është lehtë ta mashtrosh me çfarëdo -- e besoj se 20 vjet rrena konsistente, në veçanti nga Thaçi në rend të parë, e dëshmojnë këtë punë.

Porse ajo që po shihet qartazi është se manovrat, të cilave iu ka hyrë për të bërë "kompromise të dhimbshme" pa e pyetur popullin paraprakisht, dhe pa e pasur as bazën politike e juridike për një gjë të tillë, tregojnë për frikën e tij nga Specialja. Ky fakt është përmendur qëmoti dhe u vërtetua në përpjekjen e dështuar të PAN-it për ta zhbërë Specialen, si dhe vazhdon të ndihet në ajër sa herë që përpiqet ta paraqesë veten si të vetmin njeri që mund të vendosë për fatin e popullit dhe shtetit të vet. Duke u munduar të paraqitet si i pazëvendësueshëm, duke e mbajtur të shantazhuar këtë qeveri dhe partinë e tij, si dhe duke mbajtur kontakte të afërta me kryeministrin e Shqipërisë, që përherë i del në krah.

Porse problemi i Kosovës është shumë më i madh sesa problemi personal i Thaçit. Është shtet i pakryer dhe shtet i korruptuar, duke iu falënderuar sundimit të tij mbi njëdekadësh. Është shtet që kurrë nuk mundi ta shtrinte pushtetin e vet në të gjithë territorin. Është shtet i pazhvilluar dhe pa ekonomi, dhe është shtet që ndërhyrjen apo ndihmën e huaj përherë e ka përdorur si alibi për dështimet e veta.

E problemi i Kosovës mund të bëhet edhe më i madh po qe se ky njëmend e nënshkruan një marrëveshje, ku, siç thotë Rada Trajkoviq, "Serbia do të pajtohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare", për shkak se kjo marrëveshje e kotë nuk mund ta obligojë as Rusinë e as Kinën që të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës në OKB. Këmbimi i territoreve që planifikohet mund të shkaktojë ortekë në të gjithë rajonin dhe në vend të paqes mund të sjellë luftë - e jam e sigurt se këtë luftë komandantët e luftës së shkuar do ta shikonin nga jashtë, në rehatinë e jetës së kamur falë parave që i kanë zhvatur në këta 20 vjet.

* * *

Jo rrallë e kam dëgjuar thënien e vjetër se për një plesht nuk digjet jorgani. Kurrë më kuptimplotë nuk ka qenë kjo thënie sesa tash. Kosova nuk meriton të digjet për një njeri që çdo ditë e më tepër beson se është mbreti i saj dhe i cili fajet e veta do që t'ia lërë kile asaj.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi