Kosova mbi gjithçka

Islam Lauka  Islam Lauka 24 janar 2019 10:54

Viti 2018 në Kosovë u mbyll me diskutimet mbi letrën e Presidentit Donald Tramp, drejtuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaçi, për marrëveshjen Kosovë–Serbi. Ato po vazhdojnë edhe me fillimin e vitit 2019. Protagonisti kryesor i këtyre diskutimeve është vetë presidenti Thaçi, i mbështetur kryesisht nga këshilltarët e tij. Në shkrimet autoriale, në intervistat dhe deklaratat e tyre zyrtare, presidenti Tramp trajtohet si Perëndi, ndërsa presidenti Thaçi si pejgamber a Mesia që solli në tokën e Kosovës urdhëresat dhe ndalesat e të Plotfuqishmit. Edhe fjalori i tyre i përngjan atij të librave të shenjtë si, “Jemi të bekuar si vend e si popull që kemi mbështetjen e Trampit”, apo “Kosova do jetë e bekuar që të respektojë letrën e presidentit Tramp”. Për nga rëndësia e saj, letra e Trampit krahasohet me mesazhin e Kërshëndellave të presidentit Bush (i vjetri) në vitin 1992, nëpërmjet të cilit ai paralajmëroi Serbinë që të përmbahet nga ndërhyrja ushtarake në Kosovë; me urdhrin e presidentit Klinton, në mars 1999, që të sulmohet ushtarakisht ish-Jugosllavia dhe me deklaratën e presidentit Bush (i riu) në Tiranë, në qershor 2007, “Mjaft është mjaft” që çoi në pavarësimin e Kosovës.

Edhe koalicioni qeveritar dhe opozita u shprehën me vlerësime pozitive, shpesh me nota ekzaltuese, për letrën e Trampit.

Ajo që bie menjëherë në sy është mungesa e analizës politike kritike ndaj letrës së Presidentit amerikan, nga ana e klasës politike të Kosovës. Në mungesë të kësaj analize, konstatohet një mbështetje e plotë, që arrin deri në adhurim nga ana e pozitës dhe opozitës kosovare, për presidentin Tramp dhe letrën e tij “magjike”.

Një qëndrim i tillë shpjegohet me ndikimin e disa faktorëve:

Së pari, janë vështirësitë e kuptimit të vendimmarrjes së këtij, apo atij aktori. Këto vështirësi shtohen, kur kemi parasysh natyrën komplekse të vendimmarrësit Donald Tramp. Gjithsesi, mendoj se ky faktor ka ndikim periferik, aq më tepër në rastin e Thaçit, i cili deri më tani i ka shkrehur me bisht kurthet që i janë ngritur. Nuk besoj që qëndrimet e tij politike, përfshirë atë për letrën e Trampit, të jenë të ndikuara nga padija.

Së dyti, mbështetja dhe adhurimi ndaj presidentit Trump, në njëfarë mase vijnë si pasojë e servilizmit dhe mercenarizmit të klasës sonë politike. Kjo nuk është një dukuri vetëm kosovare, por thuajse e krejt elitës politike mbarëshqiptare.

Së treti, mbështetja dhe adhurimi i Tramp-it, në masë të madhe, shpjegohen me përpjekjet e pozitës dhe opozitës për ta shfrytëzuar atë si instrument për ruajtjen e pushtetit (pozita) ose për rikthimin në pushtet (opozita).

Së katërti, siç shprehet një mik i sprovuar i shqiptarëve, ambasadori amerikan, Uilliam Uokër, disa udhëheqës të Kosovës janë të gatshëm të bëjnë atë që u thonë ndërkombëtarët, nga frika se mos akuzohen nga Gjykata Speciale. Mendoj se ndikimi i këtij faktori në formësimin e qëndrimeve politike aktuale, sidomos në rastin e Presidentit Thaçi, është me rëndësi vendimtare.

Analiza politike kritike, e cila merr në konsideratë vendimmarrësin dhe kodin e tij operacional, kontekstin e brendshëm e të jashtëm, si dhe bashkëveprimin e bashkëndikimin dinamik midis aktorëve dhe strukturave, na jep mundësinë të bëjmë këto vlerësime për letrën e presidentit Tramp:

Së pari, është shumë pozitiv fakti që Presidenti amerikan vë në dukje investimin e SHBA-ve për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe ripohon angazhimin e vendit të tij në këtë çështje.

Së dyti, ashtu si administratat e mëparshme amerikane, ai e klasifikon shtetin e Kosovës si një partner kyç të Amerikës për të garantuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Europën.

Së treti, ndryshe nga administratat e mëparshme amerikane, që pas 17 shkurtit 2008 kanë kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, Donald Tramp-i bën thirrje për arritjen e një marrëveshjeje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar, interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Ky është një dallim thelbësor në politikën amerikane për çështjen e Kosovës, sepse qëndrimi i Uashingtonit ka qenë në mbështetje të Planit Ahtisari, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, si zgjidhja më e drejtë, më realiste dhe më e qëndrueshme, në interes të dy palëve, të paqes e sigurisë në rajon dhe Europë. Në vend të planit Ahtisari, tashmë të shpallur të vdekur, kërkohet një ekuilibër i ri interesash midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të fiksohej në një marrëveshje të re dypalëshe. Letra nuk e thotë shprehimisht se si do të arrihet ky ekuilibër interesash, por presidenti Thaçi dhe këshilltarët e tij lënë të kuptohet që presidenti Tramp mbështet tezën e shkëmbimit të territoreve, e cila, sipas tyre mund të mos na pëlqejë, por, përderisa këtë na e kërkon Amerika, ne nuk na mbetet gjë tjetër veç ta dëgjojmë e të veprojmë siç porosit ajo.

Por çfarë kërkohet të shkëmbehet, në mënyrë që të arrihet balancimi i interesave midis Kosovës e Serbisë? Këtë e bën të qartë njëri nga këshilltarët politik të Thaçit. Serbia kërkon pjesën në veri të lumit Ibër, në këmbim të një pjese të papërfillshme të Luginës së Preshevës, pa korridorin 10. Më së fundi, pas kaq kohësh, kemi diçka konkrete për atë që Thaçi e ka fshehur siç fsheh gjarpri këmbët– tezën e shkëmbimit të territoreve, pra çfarë do t’i japim ne Serbisë dhe çfarë do të marrim prej saj. Është e qartë se ky shkëmbim rezulton me humbje të rëndë për palën tonë.

Nga ana tjetër, analiza politike kritike kërkon që të bëhen përpjekje për të hulumtuar dhe kuptuar motivet që e kanë shtyrë presidentin Tramp në formulimin e kësaj letre. Për këtë çështje nuk ka një mendim unik midis studiuesve dhe analistëve ndërkombëtarë. Për disa, letra e Trampit na kujton Kemp Dejvidin, vendin ku në vitet 1978-1979 u arrit pajtimi midis Egjiptit dhe Izraelit. Sipas këtij argumenti, Trampi është i interesuar, jo aq për zgjidhjen e konfliktit shekullor midis shqiptarëve e serbëve, sesa për të fituar kapital politik për veten e tij, pas dështimeve të njëpasnjëshme, në politikën e jashtme, për të mbetur në histori si pajtuesi i madh i dy popujve ballkanikë.

Një argument tjetër është ai, sipas të cilit interesimi aktual i Uashingtonit për rajonin tonë ka të bëjë me heqjen e atusë së fundit të Rusisë në Ballkan – çështjen e pazgjidhur të Kosovës, nëpërmjet së cilës Moska shantazhon Beogradin, duke ruajtur kështu praninë dhe ndikimin e vet në këtë zonë.

Të dyja këto argumente janë të diskutueshme. Sipas mendimit tim, presidenti Tramp ka çështje të tjera më të mëdha, me të cilat pretendon të mbetet në histori, sesa pajtimi i dy popujve të vegjël, në periferi të Europës, pa ndonjë interes për të.

Të tilla janë: arritja e marrëveshjes me Korenë e Veriut për armët bërthamore; riformulimi i marrëveshjes së re me Iranin, po për këtë çështje; ndërtimi i murit me Meksikën etj.

Sa i takon largimit të Rusisë nga Ballkani, ky do të ishte një qëndrim i mirëpritur, por marrëdhëniet e veçanta të Donald Trampit me Vladimir Putinin, përpjekjet e vazhdueshme të tij, në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin politik të Kongresit amerikan, për një ujdi me Presidentin rus, nuk shkojnë në favor të këtij argumenti.

Studiuesi i njohur, Ivan Krastev, i përmbahet tezës se Presidenti Trump është në kërkim të aleatëve kundër Kinës, sfiduesit kryesorë të interesave amerikane, brenda dhe jashtë vendit. Kemi të bëjmë me një rikthim të strategjisë Nikson – Kisinger, të viteve 70’, kur u tërhoq Kina kundër Bashkimit Sovjetik, ndërsa tani synohet të tërhiqet Moska kundër Pekinit. Ky argument, në gjykimin tim, është më logjik dhe më i qëndrueshëm.

Nuk besoj që është rastësi përkimi në kohë i dërgimit të letrës në adresë të Thaçit dhe i shpalljes së tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, duke e lënë këtë vend dhe të ardhmen e tij në dorë të Putinit dhe aleatëve të tij; nuk mund të jetë rastësi deklarata e Trampit, në fillim të këtij muaji, e cila justifikon pushtimin e Afganistanit nga Moska, në vitin 1979, gjoja, për shkak të kërcënimit terrorist; nuk mund të jetë rastësi që, tri ditë pas nënshkrimit të letrës nga Presidenti Tramp, më 17.12.2018, u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Rusisë për të diskutuar, “në mënyrë të hollësishme situatën në Ballkan”; nuk mund të jetë rastësi që Këshilli rus për çështje ndërkombëtare, i themeluar me dekret të Presidentit Putin, më 27.10.2018, paraqiti studimin “Formatet e ndryshme ndërkombëtare të zgjidhjes “në paketë” për Ballkanin”, ku theksohet se “rregullimi i sotëm territorial në Ballkan nuk e justifikoi veten” dhe propozohet që për rivizatimin e hartës së re ballkanike të organizohet një konferencë ndërkombëtare, në të cilën parashikohet që Rusia të luajë rol qendror. Së fundi, nuk mund të jetë rastësi që, vetëm një muaj pas letrës së Trampit, më 17.01.2019, Putini të vizitojë Serbinë. Në prag të kësaj vizite, në intervistën e dhënë me 16.01.2019 gazetave serbe “Politika” dhe “Veçernije Novosti”, Putini ripërsëriti vlerësimet e Moskës për “agresionin” e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, më 1999, për shpalljen e “paligjshme” të pavarësisë së Kosovës dhe formimin e ushtrisë së saj, si “kërcënim” ndaj paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Dyshimi im është që Ballkani, përfshirë Kosovën, mund të jetë pjesë e paketës së ujdisë midis Trampit dhe Putinit për t’i lënë dorë të lirë këtij të fundit në rajonin tonë, në Lindjen e Afërt, etj, me kusht që Moska, minimumi, të jetë neutrale në marrëdhëniet SHBA-Kinë, maksimumi, t’i bashkohet Uashingtonit kundër Pekinit.

Është tjetër gjë, a do të bjerë Putini në karremin e Trampit dhe a do ta lejojë Kongresi Presidentin që të shkojë aq larg në ujdinë e tij me Moskën, duke kërcënuar seriozisht interesat amerikane të sigurisë, ato europiane, ballkanike dhe interesat jetike të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.

Përfundimi që del nga kjo analizë është ky: nuk duhet mbështetur apriori, çdo qëndrim i aleatëve tanë strategjikë, përfshirë SHBA-në, ndaj Kosovës. Përkundrazi, qasjet e tyre ndaj nesh duhen parë, patjetër, nga këndvështrimi i interesave tona kombëtare dhe shtetërore. Kosova mbi gjithçka/Panorama.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë

Komentet

Shto koment