Diplomacia si shteti

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 28 tetor 2018 08:00

Shteti i dobët karakterizohet me mungesën e besimit të qytetarëve në institucione, mungesën e kohezionit të brendshëm politik e social dhe me mungesën e kapaciteteve për të siguruar sovranitetin ndërkombëtar

Pesë tërheqje të njohjeve dhe dhjetë të tjera në proces të rishikimit të saj - ky është bilanci i mospunës së Qeverisë dhe i shërbimit të jashtëm diplomatik të Kosovës. Ky është ndëshkim për menaxhimin e keq dhe komprometimin e shtetit, për cilësinë e dobët të politikëbërjes dhe për humbjen e besimit në institucione. Është ndëshkim për sjelljen e papërgjegjshme në raport me vendet që s’e kanë njohur Kosovën, e sidomos me ato që e kanë njohur.

Dështimi për të siguruar njohje të reja nuk buron nga mungesa e vullnetit të afro 100 shteteve të botës, as nga “armiqësia” që disa nga vendet me ndikim në botë kanë ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar.

Nuk është pasojë as e mungesës së mbështetjes financiare e as e resurseve njerëzore.

Nuk është as krejt rezultat i fushatës agresive të Serbisë.

Më shumë se këto është rezultat i imazhit të keq që qeveritë e njëpasnjëshme kanë ndërtuar ndër vite. Është mungesa e një politike konsensuale për çështjet e interesit nacional. Mungesë e vullnetit dhe e përkushtimit për të ndërtuar frontin e gjerë dhe pa hile në funksion të përballimit të sfidave të shumta me të cilat përballet shteti. Është edhe mungesë e cilësisë së politikave, strategjive dhe veprimeve.

Katër vjetët e parë pas Pavarësisë mesatarisht ka ndodhur një njohje në muaj. Vitin e fundit ka ndodhur vetëm një njohje, nga 12 sa kanë ndodhur nga viti 2014.

A thua është ndalur angazhimi “kreativ” i dy protagonistëve të politikës së jashtme; Hashim Thaçit me “fuqi të madhe” politike brenda dhe Behgjet Pacollit me ”lidhje të forta” jashtë, apo është ndalur presioni i shteteve mike ndaj vendeve hezituese.

Po të ishte sipas versionit “kosovar”, njohjet nuk do të duhej të përjetonin ulje të shifrave. “Të fortët” edhe ashtu i kemi ende me pushtet.

Hashim Thaçi është president dhe ka të drejtën ekskluzive për politikën e jashtme, siç e kishte kur ishte kryeministër e edhe ministër i Jashtëm. Edhe miku i tij i ngushtë brenda dhe jashtë politikës, Behgjet Pacolli, është po aty. I ka “bindur”, sipas mënyrës së tij votuesit dhe partnerët në Qeveri, se di të bëjë më së miri punën – marrëdhëniet me jashtë.

Ndërsa janë në dijeni të dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces, të dy kanë zgjedhur të tjera metoda pune e arsyetimi.

Thaçi është angazhuar në projektin e tij për “korrigjim të kufirit” me Serbinë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, sipas teorisë së tij, do të sigurohet bashkimi i Luginës, njohja nga Beogradi dhe rrjedhimisht edhe nga vendet e tjera.

Pacolli, në anën tjetër, është duke përdorur teknikat e panjohura të bërjes diplomaci, një si tip i “tallavasë”, ku gjërat bëhen ad hoc, edhe agjenda, edhe duarshtrëngimet, edhe përcaktimet strategjike të Kosovës (Lindje-Perëndim), edhe emërimet e edhe shkarkimet në shërbimin e jashtëm.

Sjellja e padinjitetshme dhe aspak diplomatike e dy protagonistëve dhe e vartësve të tyre ngre dilemën. A thua ka ndonjë njohje që ka burimin nga diplomacia e Kosovës. Dhe, a thua janë meritë e politikës së Kosovës vetëm këto njohje “afariste” që sot po kontestohen nga Serbia.

Nëse njohjet shumica janë rezultat i ndikimit të vendeve partnere si SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania,Turqia dhe të tjera, i bie që edhe ndalja e tyre ka të bëjë me një diskurs të ri të marrëdhënieve me këto shtete.

Ndalja e hovit dhe e presionit në favor të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, nga këto shtete, del të mos jetë e rastësishme. Kosova ka dëshmuar se i takon grupit të shteteve të dobëta, nëse jo të dështuara. Shteti i dobët në literaturën e shkencave shoqërore konceptohet nisur nga pamundësia e tij për të kryer tri funksioneve themelore – të ofrojë siguri, të plotësojë nevojat bazë dhe në mënyrë efikase të qytetarëve dhe të gëzojë legjitimitet në veprimet politike.

Shteti i dobët karakterizohet edhe me mungesën e besimit të qytetarëve në institucione, mungesën e kohezionit të brendshëm politik e social dhe me mungesën e kapaciteteve për të siguruar sovranitetin ndërkombëtar.

Nisur nga kjo e fundit, Kosova nuk mund të klasifikohet ndryshe.

Prania ndërkombëtare ushtarake vazhdon të menaxhojë me territorin dhe ta sigurojë atë.

Kosova ka dështuar të ndryshojë konceptin e ekonomisë nga shoqëri konsumuese në atë prodhuese. Raporti i saj i tregtisë së jashtme është në raport 10 me 1 në favor të importit. Pa potencial ekonomik është i pamundur plotësimi i kërkesave të qytetarëve për jetë dinjitoze.

Arsimi e shëndetësia vuajnë nga papërgjegjësia menaxhuese, mungesa e profesionalizmit, korrupsioni dhe nepotizmi. E drejtësia është e kapur, dhe për pasojë të gjitha hallkat e tjera të shoqërisë vuajnë nga mosfunksionimi i saj.

Kuvendi, Qeveria, Presidenca, janë po ashtu të përfshira në krizë. Të tria këto kanë humbur besimin e qytetarëve.

E para për shkak të raportit të forcës ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Ky mjedis bëhet më kompleks edhe për shkak të fuqisë kushtetuese që kanë përfaqësuesit e komunitetit serb. Shumica e seancave nuk mbahen për mungesë të kuorumit - janë mbi 100 projektligje që presin shqyrtimin dhe miratimin.

Qeveria në përbërje ka strukturë heterogjene të përfaqësimit dhe udhëheqjes. Përveç liderëve të secilës parti veç e veç që marrin vendime të ndara, sfidë tjetër është padëgjueshmëria e ministrave të Listës Serbe. Ata mbajnë postet, menaxhojnë me buxhetin, marrin pagat, por nuk i njohin as Qeverinë e as shtetin e Kosovës.

Presidenca si institucion unifikues politik ka shkëputur lidhjet me Kuvendin, Qeverinë e edhe me qytetarët. Polarizimi i raportit të tyre vjen si rezultat i kontestimit të legjitimitetit të presidentit Thaçi nga opozita dhe divergjencave në raport me dialogun edhe me Qeverinë. Vetëmandatimi për të udhëhequr dialogun me Serbinë dhe propozimet e tij për “korrigjim të kufirit” e kanë degraduar rolin kushtetues të Presidencës.

Marrëdhëniet institucionale në Kosovë nuk janë të parat të këtij lloji. Por vitin e fundit ato janë përshkallëzua në atë masë, saqë vendi përballet me krizë (të pashpallur) të përgjithshme. Energjia që subjektet politike dhe jopolitike kanë shpenzuar në betejat për pushtet, ka dobësuar përkushtimin dhe kapacitetet shtetërore në rrafshin ndërkombëtar. Paradoksi shkon deri aty sa edhe kryetarët e komunave, në përpjekjen për të adresuar “komente” mbi politikat e mëdha, janë vetëpërjashtuar nga mandati për t’iu shërbyer qytetarëve.

Kjo stërkeqje është adresuar nga partnerët ndërkombëtar me dhe pa gjuhë diplomatike.

Ata kanë ndezur alarmin qëmoti, ndërsa i kanë dhënë forcë atij kur e sinjalizuan Kosovën që të heqë dorë nga kërkesa për pranim në INTERPOL. I treguan se përkrahja është humbur edhe nga disa vende që e kanë njohur Pavarësinë, sidomos pas dështimit për t’u pranuar në UNESCO.

Dy dështime, që përbëjnë dy momente kthese në diplomaci, disfatiste deri atëherë, të Serbisë. Inkurajim për të dhe vendet partnere të saj që të rrisin presionin kundërshtues ndaj përpjekjeve të tjera të Kosovës, apo riaktualizimin e anëtarësimit në këto dy institucione.

Askush nuk është marrë me shkaqet e këtij kursi të ri mbrapakthyes. Është e pakuptimtë vetëkënaqësia e Qeverisë me arritjet e saj kozmetike, edhe më shumë heshtja e opozitës. Nuk na duhet një dështim i madh ndërkombëtar për të korrur një sukses elektoral. Nuk na duhet dëmtimi i perspektivës së vendit dhe i qytetarëve për të përdorur këtë si kartë për devalvimin e pushtetit dhe zëvendësimin e tij me këtë kosto të lartë.

Duhet të hiqet dorë nga rezolutat. Në vend të kësaj urgjent duhet të mblidhet Kuvendi për të marrë në përgjegjësi presidentin, ministrin e Jashtëm e kryetarin e Qeverisë. Duhet të kërkohen raporte të detajuara për performancën e stafit diplomatik në vendet ku ata janë akredituar. Duhet të iniciohet strategji e ndryshimit të kursit në raport me politikën e jashtme dhe procesin e integrimit ndërkombëtar.

Kosova duhet të angazhohet në ndryshimin e marrëdhënieve me vendet aleate duke mos përsëritur episode të shëmtuara si ajo me Gjykatën Speciale dhe të ndërtojë politika për bashkëpunime me vendet që nuk e kanë njohur ende.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi