OpEd

Borxhet

Duke ua paguar borxhet atyre "që u kemi borxh, sepse ata luftuan përderisa ne të gjithë ishim komandantë të Bllacës", si shoqëri dështuam që të ngremë zërin për secilën viktimë lufte që na e mbytën; për secilën grua që na e dhunuan; për secilin njeri që na e zhdukën; për secilën shtëpi që na e kallën... Dështuam, sepse lejuam që njerëz injorantë, shpirtngushtë e smirëzi të na udhëheqin në përpjekjen për përjetësimin e tyre në histori, edhe me çmimin e injorimit të borxhit për të kërkuar drejtësi për ata që qenë sakrifica më e madhe e kësaj lufte

Njëzet vjet pas Kosova ballafaqohet me njërën nga pjesët më të tmerrshme të luftës së Kosovës, nëpërmjet të një rrëfimi në veten e parë.

Vasfije Krasniqi-Goodman rrëfeu për përvojën më të hidhur të jetës së saj, kur në moshën 16-vjeçare u dhunua nga dy serbë. Rrëfimi rrëqethës, i thurur ashtu që do të mundë të shërbente për skenar filmi, do t'i ketë lënë jo pak veta pa gjumë për disa net. Do t'ua ketë kujtuar secilës nga 20 mijë viktimat e dhunës seksuale nga lufta e fundit tmerrin e përjetuar. Do t'ua ketë rikujtuar mijëra vajzave e grave të tjera se në luftë kishin qenë më me fat se Vasfija, ngase i kishin ikur këtij brutaliteti shtazarak të fashistëve të uniformuar serbë.

Në kushte normale rrëfimi do të duhej ta ngjallte edhe ndërgjegjen e atyre që mundën, por nuk bënë gjë që çështja e grave të dhunuara të gjente drejtësi. Njerëzve që i stigmatizuan këto gra; atyre që as me detyrë zyrtare nuk u morën me ndjekjen dhe dënimin e kryerësve; atyre që vonuan shumë vjet për ta kaluar një ligj që ua njihte statusin e viktimës së luftës, dhe atyre që çështjen e tyre kurrë nuk e ngrenë në negociatat "historike" që mbahen qe sa e sa vite në Bruksel, pa asnjë kusht.

Por kjo do të ndodhte në kushte normale, në një shtet normal. Kosova duke mos i pasur as kushtet normale, e duke mos qenë shtet normal, do ta shohë këtë vetëm si edhe një episod të historisë së vet, për të cilin do të flitet një javë a dy, dhe si rëndom, më pas do të qitet në harresë.

Marketing neveritës

Pas publikimit të rrëfimit të Vasfijes krejt u çuan për ta shpallur heroinë të ditëve tona. Me ngarendje iu ndanë mirënjohjet, e dje iu njoh edhe statusi i viktimës së luftës. Njëzet vjet pas, që të gjithë ia filluam të flisnim për luftën sërish -- ngase në tetë vjetët e fundit qëllimisht janë munduar që të na e varrosin kujtesën për përvojën më të rëndë që e kemi përjetuar ne të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore.

Dhe ashtu siç mund të pritej -- nga dyqani i tij ku i ka të palosura kush e di sa mirënjohje e dekorata u shfaq Thaçi. E priti Vasfijen dhe ia mbajti një fjalim: "Kam përjetuar momente të rënda, prekëse, emocionale dhe të dhimbshme në rast të tragjedive e masakrave nga ushtria serbe drejt popullsisë shqiptare. Një nga brengat më të dhimbshme ka qenë dhunimi i rreth 20 mijë grave dhe burrave shqiptarë nga forcat paramilitare të forcave serbe. Sot është një moment emocionues dhe rrëqethës. Rrëfim që thërret për ndërgjegje në Kosovë dhe thërret ndërgjegjen e drejtësisë ndërkombëtare se e vërteta po thuhet, por drejtësia nuk po zbatohet. Për heroinën e gjallë, Vasfijen, për guximin e saj të jashtëzakonshëm ndaj Medalje për trimëri dhe guxim”.

Aq ka qenë i brengosur për gratë e dhunuara, saqë këtë çështje zor se ndonjëherë e ka ngritur në negociatat me Serbinë.

Aq ka qenë i brengosur, saqë ligji për viktimat si Vasfija është miratuar vetëm në vitin 2013 madje me votën kundër të 14 deputetëve të PDK-së (shefi i të cilëve ishte atëbotë), ndër to edhe dy gra. Madje njëra nga to, Blerta Deliu-Kodra, ngarendi me shpejtësi për ta bërë një foto me Vasfijën. Shpresoj se së paku do t'i ketë kërkuar falje për votën kundër.

Për të vetmen gjë për të cilën është brengosur është t'i bëjë marketing vetes - të japë medalje e të mbajë fjalime të pasinqerta dhe hipokrite -- ashtu çfarë e ka pasur qasjen në politikë prejse është marrë me të. Është neveritëse përpjekja për ta shfrytëzuar një rrëfim të rëndë që ta rehabilitojë veten për mosveprimin e tij në këtë çështje.

E sa e madhe është çështja e grave të dhunuara në luftën e Kosovës e tregon një shifër e thjeshtë: numri i tyre e tejkalon edhe numrin e ushtarëve që UÇK-ja ka pasur ndonjëherë.

Shitblerja e borxhit

E veteranët vazhdojnë të jenë tema e pashtershme e cila do ta ketë efektin e shterjes së buxhetit për motive të pastra klienteliste.

Jo pak herë e kemi dëgjuar kryeministrin tek thotë se Kosova i ka borxh për shkak se ka luftuar. Ashtu kanë thënë edhe shumë të tjerë, ani pse jo gjithherë kaq haptazi dhe në formë eksplicite dhe për këtë arsye, me gjasë, i kemi punët siç i kemi. "Borxhet" që ua paskemi pasur, kanë arritur t'i arkëtojnë në maksimum -- duke i zaptuar pushtetin dhe pasurinë e këtij vendi.

Po një borxh i ngjashëm është edhe ky me punën e veteranëve, "i madh e i vogël", të cilët dosido u futën në lista duke i fryrë ato dhe duke shpenzuar para për t'i paguar borxhet që politikanët ua kanë klientëve të tyre.

Votat është më së lehti t'i sigurosh po qe se i blen. E më së lehti mund t'i blesh me paratë e huaja -- sepse nuk dhembin se nuk të dalin nga xhepi. Dhe kjo është pikërisht çka ka ndodhur me këto lista. Me një matematikë të thjeshtë -- në Dukagjin, janë bërë 15 mijë veteranë. Po qe se mesatarisht llogaritet se bartësi i titullit të veteranit i ka katër anëtarë familjeje, ja ku janë 60 mijë vota që i sigurojnë minimum gjashtë vende në Kuvend. Dhe fare nuk është me rëndësi nëse veteranët janë tamam apo fals. Me rëndësi është që ata që paguajnë i lajnë borxhet ndaj atyre që kanë borxh që t'i votojnë.

Pagesa e borxhit

E logjika e borxhit e përcjell edhe Kuvendin e Kosovës. Fillimisht ata që futen në listën e deputetëve, dhe kjo kryesisht aty ku nuk ka proces demokratik të zgjedhjeve të brendshme, gjenden aty për shkak se ose janë kushërinj me shefin e partisë (borxh familjes); ose janë njerëz që kanë kryer shërbime për shefin e partisë (borxh dostave); ose janë njerëz që vendosen aty për shkak se do ta kryejnë një shërbim për shefin e partisë ose partinë (borxh partisë).

Dhe kjo do të jetë logjika e veprimit të deputetëve që dolën me idenë "fantastike" të rritjes së kufirit të vjetërsisë së veturave që do të importohen. Arsyetimi qe gjendja e vështirë sociale e kosovarëve dhe ofrimi i mundësisë që të pajisen me vetura.

E tash, po ta analizojmë fjalinë e mëparshme një sërë absurditetesh do të na dilnin në pah. Si për shembull, që në Kosovë 30 për qind e popullsisë është e varfër. Kur nuk ke mjaft për të siguruar ekzistencë, nuk ke para për të blerë veturë, e aq më pak të paguash regjistrim, mirëmbajtje e benzinë. Nga ana tjetër, pjesa e kamur e kosovarëve që kanë më shumë se një veturë, as që lodhen për kufizimin, për shkak se do t'i blejnë veturat më të reja, të cilido prodhues në botë. Shtresa e mesme që do të mundë të blinte veturë, më me qejf do ta blinte një veturë të re, në vend, me kusht që akcizat të uleshin sikurse ka ndodhur, ta zëmë, në Maqedoni.

E tash, nëse qëllimi i deputetëve është që nëpërmjet këtij ligji t'i rrisin të hyrat doganore -- mbase edhe do ta arrijnë qëllimin. Porse me këtë vendim do ta rrisin ndotjen dhe do ta rrezikojnë edhe më shumë sigurinë në trafik: aty ku në Kosovë çdo vit vdesin shumë njerëz, qoftë për shkak të pakujdesisë. qoftë për shkak të kushteve teknike të veturave.

Mirëpo kam përshtypjen se qëllimi e çon ujin në disa mullinj të ndryshëm, e këtë më së miri e ka përmbledhur me një periudhë miku im, Agron Demi, në një postim në FB: "Kriteret për importin e veturave na i cakton djali i Sami Lushtakut; homologimin na detyrojnë me e kry aty ku punon djali i Adem Grabovcit; sigurimin e veturave e bëjmë te vëllai i Hashim Thaçit e te familja e Pacollit; cilësinë e naftës na e kontrollon nipi i Jakup Krasniqit, e kur ndotja na sjell sëmundje kancerogjene e respiratore, për shëndetin tonë vendos dhëndri i Ramush Haradinajt në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore".

Borxhet duhen paguar -- unë ty një shërbim, ti mua një, unë ty, ti mua, unë ty, ti mua.... dhe çka ka lidhje nëse veç edhe pak ndotet kjo Kosovë e ndotur deri në mal, me rëndësi borxhet me u kthy. Kah do.

* * *

Borxhi në Kosovë e ka marrë trajtën e parasë ose të një favori të madh që sjell përfitime. Fati i keq i kësaj është se eliminimi i kësaj forme të veprimit do të marrë shumë kohë për t’u çrrënjosur, dhe kjo nëse ndonjëherë i vjen rendi.

Aq shumë është rritur, saqë garniturat politike i ka qorruar dhe topitur aq shumë, saqë nuk duan ta kuptojnë se borxhi që e ka ky vend e ka ndaj vetvetes. Kosova ka pasur dhe vazhdon t'u ketë borxh posaçërisht brezave të lindur pas luftës, për shkak se me këtë çka u ka ofruar i ka bërë analfabetë. Sipas Bankës Botërore, shkollimi në Kosovë është pesë vjet prapa normales, sepse 12,8 vjet shkollimi në Kosovë japin cilësinë e barasvlershme me 7,7 vjet në krahasim me shtetet me standarde arsimore.

Kosova u ka borxh krejt qytetarëve të vet një jetë të shëndoshë, të cilën nuk mund ta kenë, duke e pasur shëndetësinë më të korruptuar në rajon dhe duke qenë shteti i vetëm që nuk ka as sigurime shëndetësore, se biznesit të barnave e mjekësisë kjo punë nuk i konvenon.

Kosova i ka borxh vetes, për shkak se ka ndërtuar një sistem në të cilin drejtësinë vetëm do të mundë ta shohë në ëndërr, ashtu siç do ta mësojë nocionin e zhvillimit ekonomik vetëm duke lexuar përralla nëpër portale.

Duke ua paguar borxhet atyre "që u kemi borxh, sepse ata luftuan përderisa ne të gjithë ishim komandantë të Bllacës", si shoqëri dështuam që të ngremë zërin për secilën viktimë lufte që na e mbytën; për secilën grua që na e dhunuan; për secilin njeri që na e zhdukën; për secilën shtëpi që na e kallën...

Dështuam, sepse lejuam që njerëz injorantë, shpirtngushtë e smirëzi të na udhëheqin në përpjekjen për përjetësimin e tyre në histori, edhe me çmimin e injorimit të borxhit për të kërkuar drejtësi për ata që qenë sakrifica më e madhe e kësaj lufte.

flaka@koha.net