Ndërsa u takuan në qendër të fushës së futbollit për hedhjen e monedhës, kapitenia e Brazilit, Marta, dhe homologia e saj nga Zambia, Barbra Banda u përshëndetën me grusht dhe buzëqeshje të njohura. Marta 35-vjeçare, pa dyshim futbollistja më e mirë e të gjitha kohërave dhe ndër më të dekoruarat në njërën anë, ndërsa në tjetrën ishte Banda e talentuar. Dhe, Banda ka treguar në Lojërat Olimpike të Tokios se talenti nuk i mungon aspak.
Pavarësisht se Zambia u eliminua në fazën e grupeve në paraqitjen e saj të parë ndonjëherë në turneun olimpik të futbollit pas humbjes 1:0 nga Brazili në Saitama, sulmueses Banda i kanë mjaftuar pak ndeshje për ta tërhequr vëmendjen dhe për të vendosur veten si një nga perspektivat më të mëdha të këtij sporti. Në ndeshjen e parë të Zambias në Olimpiadë kundër Holandës, Banda shënoi “hat-trick” në humbjen e thellë 10:3. Në ndeshjen e dytë të turneut olimpik, në barazimin 4:4 me Kinën, Banda sërish realizoi tre gola dhe në të njëjtën kohë shkroi emrin e saj në librat e rekordeve: Asnjë futbolliste nuk ka arritur kurrë dy “hat-tricka” rresht në Lojërat Olimpike. Dhe, gjashtë golat e saj në turne gjithashtu barazuan një rekord. Pas “hattrickut” të dytë kundër Kinës, Banda u tha gazetarëve se ajo “po synonte të bëhej futbollistja më e mirë në botë”.
Golashënuesja më e mirë në ligën e Kinës
Ajo tashmë po shkon në drejtimin e duhur. Karriera profesionale e 21-vjeçares filloi në Logrono në Spanjë, dhe që nga atëherë e ka çuar atë në Shanghai Shengli në Kinë. Ky transferim i saj në elitën e futbollit kinez për 300 mijë dollarë dëmshpërblim e bëri Bandan lojtaren e tretë më të shtrenjtë të të gjitha kohërave në futbollin e femrave. Klubi i saj tashmë ka vlerësuar se ato para u shpenzuan në mënyrën më të mirë të mundshme: Banda përfundoi si golashënuesja më e mirë e ligës sezonin e kaluar, duke shënuar 18 gola në 13 paraqitje.
Është shumë larg nga ditët kur adoleshentja Banda i hidhte këpucët nga dritarja e dhomës së gjumit, në mënyrë që të mundë të dilte vjedhurazi për të luajtur futboll, sepse prindërit e saj nuk mendonin se ishte një zgjedhje e përshtatshme për karrierë dhe preferonin që ajo të përqendrohej në shkollë. Gjëja e jashtëzakonshme është se nëse Banda kishte zgjedhur ndryshe, ajo mund të kishte konkurruar në një sport tjetër tërësisht në këtë olimpiadë. Kur ishte 16 vjeçe ajo provoi dorën e saj në boks, pasi u frymëzua nga suksesi i shoqes nga Zambia, Catherine Phiri, një ish-kampione e botës. Banda mori pjesë në pesë meçe profesionale, duke i fituar të gjitha. Ajo ishte dhe është ende shumë e mirë në ring, por në fund ishte futbolli ai që fitoi.
“Mendja ime ishte shumë në futboll, kështu që nuk mund të përqendrohesha shumë në boks”, tha sulmuesja Banda. “Kështu që, unë vendosa se duhet të shkoja në sportin që ndihem më mirë. Zgjodha futbollin dhe mendoj se nuk gabova fare”.
Krahasimet me Ronaldon
Banda ndihet rehat në fushë, dhe e tillë dukej në Lojërat Olimpike të Tokios. Duke krijuar hapësira për bashkëlojtaret e saj, duke kaluar kundërshtaret dhe duke shënuar gola, Banda nxori në pah të gjithë vetëbesimin që e kishte, falë idhullit të saj, yll i Juventusit, Cristiano Ronaldos. Në fakt, Bandan e krahasuan me sulmuesin portugez pas paraqitjeve fantastike që i pati me fanellën e Zambias në turneun olimpik. Edhe Banda ka pranuar se i pëlqejnë krahasimet me Ronaldon, të cilin mundohet ta imitojë në fushë.
“Më pëlqen mënyra se si luan Ronaldo. Më pëlqen disiplina e tij dhe puna që e bën. Unë kam të njëjtën forcë me Ronaldon. Unë kam besim dhe guxim në fushë, sepse e njoh futbollin ashtu siç është”, pranoi Banda.
Për sulmuesen e Zambias, lojërat olimpike “Tokio 2020” mund të kenë përfunduar, por bazuar në paraqitjet dhe ambiciet e saj mund të thuhet se Bandan e pret një e ardhme e ndritur. Në fakt, spekulimet për transferimin e saj në një klub të madh të Evropës tashmë kanë filluar.
“Jam e kënaqur me paraqitjet në Lojërat Olimpike, por më vjen keq që nuk e fituam të paktën një ndeshje”, shtoi Banda. “Nuk dua të flas për të ardhmen, pasi me këtë punë merret menaxheri im. Unë vetëm duhet të punoj dhe të mos ndalem, pra të kem synime të mëdha”.