Futbollistet e Suedisë kanë befasuar Përfaqësuesen e SHBA-së, në ndeshjen e parë të turneut olimpik që u luajt të mërkurën në Tokio.
Në duelin e Grupit G, Suedia triumfoi me rezultatin 3:0 ndaj amerikaneve, që konsiderohen favorite për medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Në fakt, SHBA-ja është kampione e botës në fuqi dhe ka të fituara katër medalje të arta olimpike (1996, 2004, 2008, 2012). Për amerikanet është humbja e parë pas një serie prej 44 ndeshjeve në Lojërat Olimpike.
Te Suedia, Kosovare Asllani ishte startuese dhe luajti gjatë tërë ndeshjes. Stina Blackstenius (25’, 54’) dhe Lina Hurtig (72’), shënuan për fitoren dhe startin bindës të Suedisë në turneun olimpik.
Ndeshjen e dytë të Grupit G, Suedia e luan të shtunën kundër Australisë derisa në të njëjtën ditë, SHBA-ja përballet me Zelandën e Re. Ndërkohë, me fitore turneun olimpik e ka nisur edhe Britania që në ndeshjen e parë të Grupit E, triumfoi ndaj Kilit me rezultatin 2:0.