Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tokio 2020

Dressel impresiv, fiton medaljen e katërt të artë olimpike

Notari amerikan, Caeleb Dressel ka fituar medaljen e tij të katërt të artë olimpike dhe të dytën në Tokio 2020. Ai ka notuar në mënyrë impresive në 100 metra stil të lirë, të enjten në mëngjes. Dressel e mbylli njërën prej garave më të pëlqyera të notit me rekord olimpik prej 47.02 sekonda.

Australiani Kyle Chalmers, që kishte fituar të artën në Rio 2016, mbeti 0.06 sekonda prapa. Fitoi të argjendtën me kohë prej 47.08 sekonda.

Dressel kishte fituar të artën në Tokio në stafetën 4x100 metra në stil të lirë. Ai kishte dy të arta ekipore edhe në Rio. Tani ka edhe titull individual, ndërsa synon të shtojë të tjerë në ditët e ardhshme.

Ai pritet të garojë në 50 metra stil të lirë, në 100 metra delfin dhe dy gara ekipore.

Koha e Dresselit ishte për vetëm 0.11 sekonda më e ngadaltë se rekordi i botës. Ashtu si pritej, Dressel doli fuqishëm nga blloku dhe ishte në vendin e parë pas 50 metrave. E mbajti ritmin e lartë edhe në 50 metrat e dytë, duke i rezistuar një sulmi të vonshëm të Chalmersit.

Ai është shfaqur i emocionuar dhe me lot pas garës.

Edhe Mbreti Caeleb: Dressel i bashkohet klubit elitar të olimpistëve Tokio 2020 Mbreti Caeleb: Dressel i bashkohet klubit elitar të olimpistëve

“Ishte një vit i vështirë. Është vërtetë vështirë. Kështu që ky rezultat është i mirëseardhur. Jam shumë i lumtur”, ka thënë Dressel.

Kliment Kolesnikov i Komitetit Olimpik të Rusisë fitoi të bronztën.