Tokio 2020

Franca shokon SHBA-në në ndeshjen e yjeve të basketbollit

Franca e ka shokuar SHBA-në në hapje të turneut të basketbollit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Të dielën mbrëma në Saitama, në afërsi të Tokios, Franca shënoi fitore me rezultat 83:76.

Ishte një ndeshje e yjeve të NBA-së. Falë finishit më të mirë, te fitorja arritën yjet francezë. Shkëputja në rezultat u bë vetëm në çastet e fundit të ndeshjes.

Me gjithë humbjen, SHBA-ja vazhdon të jetë favoritja e madhe për medalje të artë olimpike. Për amerikanët, disa prej të cilëve kanë luajtur në serinë finale të NBA-së deri pak ditë më parë, kalimi i grupit nuk pritet të jetë problem. SHBA-ja luan me Iranin më 28 korrik, ndërsa më 31 korrik përballet me Çekinë. Me dy fitore kalon tutje.

Ndeshja është luajtur në palestrën shumë të bukur në Saitama, “Saitama Super Arena”, që ka kapacitet të përgjithshëm prej 36 mijë e 500 shikuesve. Është palestra e dytë më e madhe në botë, e hapur në vitin 2000. Por atmosfera, që do të ishte e pashmangshme në këtë ndeshje me emrat më të mëdhenj të lojës, megjithatë ka munguar. Lojërat Olimpike po zhvillohen pa praninë e shikuesve. Fillimisht ishin lejuar vetëm tifozët vendas, por pas valës së fundit të infektimeve me koronavirus u vendos që mos të ketë shikues fare.

Kështu në palestër ishin qindra gazetarë e zyrtarë të ndryshëm, por pjesa më e madhe e tribunave ishte e zbrazët.

Pasi kanë vetëm pak ditë të gjithë së bashku, amerikanët nuk kanë shfaqur më të mirën. Me avancimin në turne, yjet e NBA-së pritet të shfaqin shumë më tepër. Edhe Franca ka potencial për të luajtur edhe më mirë.

Evan Fournier udhëhoqi Francën duke shënuar 28 pikë. Rudy Gobert i kishte 14 pikë e nëntë kërcime, derisa Nando De Colo i shtoi 13 pikë.

Te SHBA-ja, Bam Adebayo kishte 12 pikë e 10 kërcime. Jrue Holiday shënoi 18 pikë, ndërsa shtoi edhe shtatë kërcime e katër asistime. Ndërkohë Kevin Durant luajti me 10 pikë e nga dy kërcime e asistime. Ka munguar kontributi edhe i yjve tjerë të SHBA-së.