Tokio 2020

Pas Olimpiadës më të mirë në histori, në Indi po shpresojnë për një epokë të re në sport

Vendi me plot 1.38 miliardë banorë, India, po jeton moment krenarie.

Medalja e artë historike e Neeraj Chopras në hedhjen e shtizës në Lojërat e Tokios bëri që paraqitja olimpike e Indisë të ketë përfundim spektakolar.

Medalja e artë e atletit 22-vjeçar - e para e vendit në një garë të atletikës qëkur e fitoi pavarësinë nga Britania - konsolidoi performancën më të madhe të Indisë ndonjëherë në Lojërat Olimpike, duke fituar gjithsej shtatë medalje.

Dhe kur Chopra mbërriti në kryeqytetin e Indisë, New Delhi të hënën pasdite, një turmë u mblodh në aeroport për të parë një paraqitje të shkurtër të heroit të tyre të ri kombëtar. Videot e turmave të mëdha që rrethojnë atletin kanë ardhur për të simbolizuar atë që do të thotë fitorja e tij për kombin e dytë më të madh në botë.

Duke folur në një konferencë shtypi të shtunën, kryeministri i shtetit verior të Haryanas, nga edhe është Chopra, u tha gazetarëve me krenari: “Djali nga Haryana ka lënë gjurmët e tij”.

Medaljet historike të Indisë vijnë ndërsa vendi është ende duke u tronditur nga pasojat e një vale të dytë shkatërruese të pandemisë së koronavirusit. Vendi ka më shumë se 428 mijë vdekje nga Covid-19 dhe pothuajse 32 milionë infeksione, sipas të dhënave nga universiteti “Johns Hopkins”. Këto shifra i çuan spitalet në prag të kolapsit dhe mbingarkuan sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit.

Ndonëse duke u përballur me pandeminë, sportistët indianë kanë arritur të ndezin një ndjenjë të freskët të krenarisë kombëtare.

India mposhti Gjermaninë për të fituar të bronztën në hokej në bari për meshkuj - medalja e saj e parë në këtë sport në 41 vjet. Skuadra e femrave u afrua jashtëzakonisht shumë, duke humbur nga Britania në ndeshjen për medaljen e bronztë, por fitoi lëvdata dhe respekt nga miliona njerëz në të gjithë vendin. India fitoi medalje argjendi ose bronzi në pesë ngjarje të tjera.

Suksesi i Indisë gjithashtu ka vënë në qendër të vëmendjes infrastrukturën relativisht të dobët sportive të vendit dhe disavantazhet e shumta me të cilat përballen sportistët indianë, përfshirë faktin se shumica prej tyre nuk janë sportistë me orar të plotë.

Tradicionalisht i parë si një vend me vetëm një sport, për shkak të suksesit në kriket, India përjetoi një “pikë kthese të vogël” në vitin 2008, sipas Nalin Mehta, bashkautor i librit “Ëndrrat e një miliard njerëzve: India dhe Lojërat Olimpike". Qitësi Abhinav Bindra fitoi medaljen e parë të artë të vendit në Lojërat Olimpike të Pekinit.

“Kishte një qëllim serioz në një nivel qeveritar për të vënë më shumë para në sport”, tha ai. “Kishte një ndjenjë se kjo mund të ishte një medalje e fitores. Një ndjenjë e re nacionalizmi që do të ngrinte Indinë në nivel global”.

Qeveria rriti përpjekjet për të ngritur profilin sportiv të vendit në skenën ndërkombëtare. Katër vjet më vonë, në Londër, vendi mori gjashtë medalje - numri i dytë më i madh i medaljeve olimpike.

Në vitin 2016, performanca e pakënaqshme e Indisë në Lojërat Olimpike të Rios - një medalje argjendi dhe një bronzi - i shtyu autoritetet të rrisin financimin më tej. Dy vjet më vonë qeveria nisi një program mbarëkombëtar “Khelo India” ose “Le të luajmë për Indinë” për të “ringjallur kulturën sportive në Indi”, me qëllim identifikimin dhe financimin e talenteve të reja premtuese.

Deri në vitin 2019, qeveria po shpenzonte 297.7 milionë dollarë për sportin, me gati 90.7 milionë dollarë më shumë se në vitin 2016, sipas raporteve vjetore nga Ministria e Çështjeve të Rinisë dhe Sporteve. Departamenti i Sporteve i Indisë tani njeh 61 federata të sporteve, nga 48 sa i kishte në vitin 2017. Sportet e reja përfshijnë basketbollin, netballin dhe kalërimin.

Mehta gjithashtu vë në dukje përhapjen e ndërmarrjeve jofitimprurëse, përfshirë atë “Olympics Gold Quest”, e cila u krijua nga lojtari i bilardos Geet Sethi pasi ai ndjeu “një ndjenjë të përgjithshme të dëshpërimit” midis sportistëve indianë. Ajo ka ndihmuar sportistët kryesorë, përfshirë boksieren Mary Kom dhe lojtarin e badmintonit P.V. Sindhu të arrijnë suksese olimpike.

Shumë shpresojnë se performanca olimpike e këtij viti do të çojë në një epokë të re në sportin indian - atë ku sportistëve u jepet një platformë për të shkëlqyer dhe për t’u rritur.

Bandana Chhetri, partnere në kompaninë “FairPlay Sports”, e cila menaxhon sportistët kryesorë indianë, beson se fitorja e Chopra do të bëhet një “moment i rëndësishëm” për sportet në Indi.

“Shpresoj që shumë fëmijë të vegjël të frymëzohen”, tha ajo. “Unë dua që sporti indian të rritet edhe më shumë dhe më shpejt sesa në vitet e fundit. Përpjekjet e qëndrueshme të të gjithë të përfshirëve - Ministrisë së Sportit, financuesve privatë, trajnerëve dhe palëve të tjera - do të jetë mënyra e vetme për ta parë Indinë të thyejë edhe më shumë rekorde në skenën globale”.

Mehta tha se ai kurrë nuk kishte parë diçka si Lojërat e këtij viti “gjatë gjithë jetës së tij”.

“Unë kurrë nuk kam parë indianë të shfaqin një entuziazëm dhe festim të tillë për sportistët tanë olimpikë. Pas një viti të vështirë është një ngritje e madh emocionale”, tha ai.

Të dielën, kryeministri Modi reagoi në Twitter për të uruar sportistët , duke shtuar se medaljet e kanë bërë kombin “krenar dhe të gëzuar”. Ai theksoi se do të punojë më shumë për të ngritur sportin në vend.

“Kjo është koha për të vazhduar punën për popullarizimin e mëtejshëm të sporteve në bazë, në mënyrë që të shfaqen talente të reja dhe të kenë mundësinë të përfaqësojnë Indinë në vazhdim”, shkroi ai.

Në New Delhi të hënën në mbrëmje, Chopra doli në një skenë të madhe për ceremoninë e pritjes të kampionëve olimpikë indianë.

“Kjo medalje e artë nuk është vetëm e imja”, tha ai. “Kjo i përket Indisë”.