Tokio 2020

Atleti francez tregon si erdhi te rrëzimi i shisheve të ujit gjatë maratonës në Tokio

Atleti francez Morhad Amdouni 33-vjeçar bëri bujë të dielën gjatë maratonës (42 kilometra e 195 metra vrapim) në Lojërat Olimpike në “Tokio 2020” me një gjest josportiv.

Një video e tij ka qarkulluar duke rrëzuar shishet e ujit nga tavolina, për t’u pamundësuar garuesve tjerë që të marrin ujë.

Francezi Amdouni është kritikuar ashpër në rrjetet sociale për këtë. Por vet ai thotë se e gjitha ishte aksidentale.

“Ishte e vështirë. Kam dhënë çdo gjë nga vetja. Nuk ishte e lehtë me lodhjen. Humba në qartësi dhe energji. Dua t’u kërkojë falje të gjithë atletëve. U mundova të kapi një shishe, por u rrëzuan gjitha tjerat. Nuk ishte e lehtë. Respektoj të gjithë atletët”, ka thënë Amdouni, transmeton “Blick”.

Në Instagram ai është kritikuar ashpër, disa e kanë quajtur egoist e disa shumë josportiv. Ka pasur thirrje për pezullimin e tij.

Amdouni përfundoi i 17-i në garën e të dielës me rekord të stinorit prej 2:14:33 orë.

Medaljen e artë e fitoi keniani Eliud Kipchoge, të argjendtën holandezi Abdi Nageeye e të bronztën belgu Bashir Abdi.