Tokio 2020

Franca fiton të artën në hendboll, mposht Danimarkën në finale

Franca e ka fituar medaljen e artë në Olimpiadën e Tokios në sportin e hendbollit në konkurrencën e meshkujve.

Të shtunën, francezët mposhtën me rezultat të ngushtë Danimarkën me rezultatin 25:23.

Franca ishte duke udhëhequr me gjashtë gola herët në pjesën e dytë, para se Danimarka të kthehej në lojë dhe ta ngushtonte epërsinë në një gol në minutën e fundit.

Ludovic Fabregas arriti ta vjedh një top dhe të shënonte në portën e zbrazët gjashtë sekonda para fundit, për t’ia siguruar përfundimisht fitoren francezëve.

Franca luajti në finalen e katërt rresht në konkurrencën e meshkujve në hendboll në Lojëra Olimpike. E fitoi titullin në vitin 2008 dhe 2012, dhe u mposht nga Danimarka në vitin 2016.

Ekipi i femrave të Francës në hendboll do të luajë kundër ruseve për të artën të dielën.

Spanja mposhti Egjiptin 33:31 dhe e fitoi medaljen e bronztë.